“Open Balkans”, projekt alternativ me shumë pikëpyetje

“Open Balkans”, projekt alternativ me shumë pikëpyetje

Kosova duhet të qëndrojë në principet e veta, në vendosmërinë e saj për procesin e Berlinit dhe nismat tjera integruese, duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe duke dëshmuar seriozitet. Kosova nuk ka interes as kohë të hyjë në aventura të dyshimta, qoftë edhe atëherë kur do të mund të mbetet e vetmja pa u bërë pjesë e tyre.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Sado të tingëllojë skeptike, nga historia politike, por jo vetëm, e Ballkanit Perëndimor, mësohet se është tepër i vështirë, në mos i pamundur, unifikimi, paqësimi e vënia e këtij rajoni në korniza të një marrëveshjeje afatgjate paqeje e stabiliteti. Përbërja heterogjene etnike e fetare, antagonizmat politikë dhe ekonomikë, natyra e botëkuptimit dhe mentalitetit që bartin banorët e këtij rajoni, e veçanërisht elitat dhe regjimet politike (të palidhura me ndonjë shkollë a kulturë politike që do të derivonte emancipim mbi disa principe), të cilat për përfitimet e veta bëjnë kompromise me korrupsionin shoqëror dhe ruajnë status-quo-në, që në të shumtën e rasteve, pra, luajnë rol destruktiv e denigrues, janë disa nga faktorët ku do të mund të adresohej shkaku i stagnimit në fjalë. Natyrisht, këtu luan rol edhe instrumentalizimi i këtij rajoni nga aktorët kryesorë të politikës botërore, ku historikisht janë takuar interesa e ndikime të ndryshme e ku secili nga popujt e rajonit e kishte padronin a kujdestarin e vet në politikëbërjen botërore. Ky pikëtakim interesash vetëm e thellon më tutje shumësinë e dallimeve dhe pamundëson ecjen tutje të një “projekti unifikues” që ka për bazë solidaritetin, idenë, identitetin dhe premisat e tjera autentike ballkanike.

Projekti “Ballkani i hapur”, i nisur fillimisht si “mini-shengen”, nga kryeministri i Serbisë, ai i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Shqipërisë, në tetorin e vitit 2019, i cili është bërë subjekt i disa vështrimeve dhe polemikave në diskursin publik ballkanik, përmban disa të vërteta problematike e të patejkalueshme. Pikësëpari, vetë emërtimi si i tillë është problematik. Ballkani “i hapur” ndaj kujt, ndaj vetvetes? Në mënyrë që Ballkani të jetë i hapur, presupozohet të ekzistojë një subjekt tjetër ndaj të cilit ai hapet. Të jetë Ballkani i hapur si njësi politike a rajon gjeografik në kontekstin kur ai pret që Europa të jetë e hapur ndaj tij, nuk ka asnjë kuptim. Po të kishte potencial të tillë unifikues përbrenda, ai sot do të ishte në BE që kur. Por, ja që është zgjedhur rruga e ndarë e secilit për integrim e anëtarësim. Ballkani i hapur brenda vetes? Ky emërtim mbase do t’i shkonte më shumë për shtati vetë Bashkimit Europian sesa Ballkanit. Në rastin më të mirë, Ballkani mund të jetë një njësi shumëpalëshe politike e ekonomike dhe rajon gjeografik i unifikuar mbi bazën e një aleance strategjike zhvillimore. As më shumë e as më pak.

 

Skepticizmi i Kosovës, i arsyeshëm, i argumentueshëm

Kosova vazhdon të mos jetë pjesëmarrëse e kësaj nisme. Natyrisht, mjedisi vendimmarrës politik e intelektual kosovar dhe ai shqiptar, në përgjithësi, duhet parë me skepticizëm këtë projekt. Kjo nismë lë hapësirë për të dyshuar nëse ka një qëllim dhe strategji të sinqertë për të ardhmen e rajonit. Nismë nga Serbia (dhe në Serbi), pjesëmarrëse Serbia, e cila e ka një çështje të hapur me Kosovën, e të cilën BE dhe SHBA po insistojnë ta zgjidhin. Nëse ky projekt argumentohet me idenë se lehtëson rrugën për në Bashkimin Europian, atëherë rruga e Serbisë për në BE kalon përmes Kosovës. Nëse ajo dëshiron dhe synon aq shumë integrimin rajonal e europian, le të jetë më e shpejtë e këmbëngulëse në procesin e integrimit të nisur tashmë në raport me BE-në. Prandaj, Serbia nuk do të duhej të arrinte të përparojë në procesin e integrimit europian pa e mbyllur hesapin me popullin shqiptar dhe Republikën e Kosovës, duke njohur e kërkuar falje për krimet dhe dëmet e luftës, duke bërë dëmshpërblimet dhe të gjitha kthimet e nevojshme, duke njohur Republikën e Kosovës dhe duke arritur marrëveshje finale me të. Për sa kohë që nuk bëhet kështu, ky projekt vetëm se do t’ia lehtësonte Serbisë shfajësimin, do ta shpëtonte atë pa u ballafaquar me fajin e vet e ta zgjedhë një alternativë tjetër “dashamirëse” për të rrugëtuar drejt BE-së. Madje, edhe nëse Serbia – përmes këtij projekti “qëllimmirë” – mëton të blejë kohë që ta stërzgjatë çështjen e Kosovës edhe ca kohë. Andaj është për keqardhje pjesëmarrja në rolin e prijatarit e Shqipërisë në këtë nismë.

 

“Përkrahja” ndërkombëtare për nismën

Ndërsa faktori ndërkombëtar, i cili duket se vetë nuk e ka iniciuar as sponsorizuar këtë nismë, sado që të bëjë thirrje formale (në përputhje me vlerat pluraliste e përparimtare që promovon) për ta përkrahur atë, megjithatë duket se nuk është ftesë serioze e rrënjësore. Në adresimin e saj, kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës në Shqipëri tha se sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni, aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit. Po ashtu, Presidentja e Këshillit të Europës, Vonder Leyen, potencoi se çdo iniciativë që është brenda procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin, mirëpritet nga ana e tyre. Siç shihet, nga këto referime, të dyja vënë theksin te Procesi i Berlinit dhe për nismën në fjalë flasim vetëm në parim, për sa kohë që ai është në funksion të integrimit të definuar nga vetë BE-ja dhe me një gjuhë të rezervuar. Natyrisht që në nivel publik e formal BE-së edhe i takon të përkrahë në parim nisma të tilla përbashkuese e qëllimmira. Ftesa e sinqertë e bashkësisë ndërkombëtare për t’iu bashkuar kësaj nisme do të dukej ndryshe. Për sa kohë që ekziston Procesi i Berlinit në rend dite, ani pse protagonistët e Ballkanit të Hapur argumentojnë se nisma e tyre nuk bie ndesh me të, nuk ka nevojë të ketë nisma të tilla, kalkulimet e të cilave nuk duken të jenë në dobi të faktorit shqiptar, madje as ballkanik.

 

Unifikimi rajonal, rrugëtim strategjik me garanci ndërkombëtare

Si mund t’i kalojë kaq lehtë Serbia barrierat që ka me popujt fqinjë e të ftojë në unifikim rajonal kur ajo ato nuk mund t’i kalojë as me BE-në, e cila në fakt është vetëm ndërmjetësuese e jo palë? Deklarimet e fundit të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se do të konsultohet me anëtarët tjerë të “Open Balkans”, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe atë maqedonas, Dimitar Kovaçevski, për të vendosur për pjesëmarrje në Samitin e Brukselit, e vë në pah qysh në fillim prirjen shantazhuese që pritet ta përbrendësojë ky konfigurim interesant. Skepticizmin dhe rezervën e vet karshi BE-së ai ua faturon edhe fqinjëve të tij. Por, a e ka komoditetin Kosova dhe Shqipëria, madje edhe Maqedonia e Veriut, ta rishqyrtojë kështu pozicionin politik e strategjik në arenën ndërkombëtare? Këtë do të duhej ta mendonin politikëbërësit e vendeve në fjalë dhe të shohin, mos vallë, nisur nga premisa e parathënë, ky projekt është kthim prapa.

Kosova duhet të qëndrojë në principet e veta, në vendosmërinë e saj për procesin e Berlinit dhe nismat e tjera integruese, duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe duke dëshmuar seriozitet. Kosova nuk ka interes e as kohë të hyjë në aventura të dyshimta, qoftë edhe atëherë kur do të mund të mbetej e vetmja pa u bërë pjesë e tyre. Kosova nuk mund të hyjë në marrëdhënie të tjera kontraktuese e dypalëshe me Serbinë, përveç në formacionin e garantuar nga dhe përmes BE-së. Mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një çështje e pazgjidhur, që herë bëhet më e dukshme e herë më e padukshme. Prandaj, nuk mund të qesim hapa sikur s’ka ndodhur gjë. Pa u zgjidhur ky problem, nën ndërmjetësimin dhe lehtësimin e BE-së dhe SHBA-së, nuk mund të hyhet në marrëdhënie të tjera ndërvepruese me subjektin e quajtur Serbi e ta zhvendosim kështu marrëdhënien me të në një fushë tjetër pa garanci, pa një solidaritet reciprok e vizion të qartë e me dallime e mospajtime të thella.