` . “Open Balkan” – një stratagjemë dredhie serbo-maqedonase ndaj shqiptarëve dhe jo vetëm - TV SHENJA

“Open Balkan” – një stratagjemë dredhie serbo-maqedonase ndaj shqiptarëve dhe jo vetëm

Dihej që më pare se “Open Balkan” do jetë vetëm një episod banal i përpjekjes së Vuçiqit për ta shtyrë këtë projekt si “paqtues i Ballkanit”, pas projektit të ish-padronit të tij, Millosheviqit si “përgjakës i Ballkanit”.

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

“Open Balkan”, sado që të mbulohet me sofizma “europiane” dhe me një “entuziazëm vizioni” të rremë, është një formulë politike dhe jo vetëm, përmes së cilës shpështillet një stratagjemë dredhie jo vetëm ndaj shqiptarëve në Shqipëri-Kosovë dhe shqiptarëve në Ballkan, por edhe ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, si edhe ndaj Bullgarisë, me një nuancë dhe një optikë ndryshe prej këtyre tjerave. Këto vende, përveç ne shqiptarëve, që në fillim e pritën me indiferencë dhe, së fundi, me refuzim të qartë të kësaj strategjeme serbe, e cila mori kahe të endet përmes një “dysheje vizioni” Vuçiq-Zaev, për t’ua hedhur më parë dhe kryesisht shqiptarëve si komb, kurse Rama ra me lehtësi të madhe në kllapën e tyre përmes afërsisë “fqinjësore” me Zaevin, i cili në njëfarë dore prej disa vjetësh ka “afërsi më të madhe fqinjësore” me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Ramës sesa me vetë kryeministrin Rama, ndaj të cilit qeveria parashkuese e Gruevskit hapi dosjen “Platforma”, kurse qeveria e Zaevit nuk u deklarua se çka ka bërë me të, është aktive, apo jo?

Dihej që më pare se “Open Balkan” do jetë vetëm një episod banal i përpjekjes së Vuçiqit për ta shtyrë këtë projekt si “paqtues i Ballkanit”, pas projektit të ish-padronit të tij, Millosheviqit si “përgjakës i Ballkanit”. Ndryshimi i taktikës përmes sofizmash diskurzive nga “Naçertania”, në “Komonwelt serb”, nga “Komonwelti” në “Kombi gjuhësor serb”, nga kjo në “Bota serbe” tek shtetet që pretendonte t’i fuste prapë në një “bashkësi ballkanike nën tutelën serbomadhe” nuk i ndihmoi fare, kurse kryeministri Zaev, në rolin e karagjozit në këtë operetë gjeopolitike të Vuçiqit, do ta kujtojë me gabim se ka përfituar po aq sa përfitoi presidenti Kiro Gligorov që luajti “rolin iniciues” të mbajtjes së ish-Jugosllavisë me formulat e federatës asimetrike të Millosheviqit dhe me dirigjim të tij prapa kulisave: 5+1 (Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia), të reduktuar mandej në 4+2, e “shpëtoi Maqedoninë” e tij juridike njëetnike dhe e shpalli “oazë të paqes”!!!

Ndërkaq, lëvizjet për gjoja “Open Balkan” si “vizion” i kësaj tresheje, Zaevi pretendoi t’i  shfrytëzojë si strategji ad-hoc për trysni “europiane” për zgjidhjen, si do vetë, të kontestit me Bullgarinë dhe të defaktorizimit të subjektivitetit shqiptar në  Maqedoni të Veriut dhe për këtë e futi me sherr në mes kryeministrin Rama. Kjo rënie në kurth jo aq të panjohur e Ramës dhe jo vetëm e tij, se aty do gjenden gati të gjitha “anët politike” shqiptare me “kontribute” pro Zaevit dhe jo vetëm, i dëmton disa interesa shqiptare në perspektivën e tyre si komb në rrafsh gjeopolitik bile. Por, kjo tash e tutje duhet sheshuar si temë më vete.

“Open Balkan” është (po mund të themi se ISHTE) një projekt me sherr për gjithë rajonin, kurse për shqiptarët si komb edhe më i sherrshëm. Është një shmangie e madhe nga procesi euro-integrues i Berlinit – tregu i përbashkët rajonal, i cili është një formulë integruese e institucionalizuar, shumë më e ekuilibruar ndaj interesave politike, gjeopolitike dhe ekonomike  e zhvillimore të vendeve të rajonit. Së këndejmi, shqiptarët do gabonin rëndë nëse lëvizjen e tyre euro-integruese nuk e vënë në vijën strikte të procesit të Berlinit dhe në integrimin e tyre brendakombëtar në të gjitha rrafshet që e tërësojnë atë integrim përmes horizontit të gjerë të katër lirive. Në këtë drejtim, është fare e kuptueshme se Shqipëria dhe Kosova, përtej kësaj formule, kanë të drejtën sovrane që bashkëpunimin ndërshtetëror mes vete ta artikulojnë dhe institucionalizojnë në përputhje me interesat zhvillimore vitale të kombit shqiptar dhe të ngrenë një perspektivë legjitime bashkëpunimi asimetrik dhe preferencial autonom, por unik si komb, me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Çka pretendon Serbia të përfitojë nga riorganizimi aktual i Ballkanit dhe Europës, kjo le të jetë gajleja e tyre. E jona është që ta mendojmë tash si komb më vete që jemi në vendin dhe rolin tonë në Ballkan dhe ta garantojmë, sigurojmë dhe mbrojmë atë vend me vullnetin tonë, me fjalën tonë dhe për perspektivën tonë. Kjo është ora shqiptare e ardhur dhe në këtë drejtim nuk duhet lejuar të rrimë të përgjumur ose të biem në anarki politike dhe intelektuale si në shumë raste të historisë që mbaruan fatalisht. Kjo kërkon hapjen e një paradigme të emergjencës vepruese kombëtare në shumë drejtime. Aktualisht, këto zhvillime na kanë gjetur në një plogështi të madhe mosvepruese dhe në një lëngatë moskoordinimi, në një lloj sindromi të anarkisë të vjetër në historinë politike të shqiptarëve, të cilën duhet kapërcyer domosdoshmërisht. Së këndejmi, moskuptimet, moskoordinimet ose vonesat në këto relacione ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, në fakt në relacionet Rama-Kurti, të cilat ne nuk i kuptojmë si lajthitje ose faje vetëm të njërit apo tjetrit, por i kuptojmë si më komplekse, me shumë aktorë dhe faktorë mes tyre, andaj është përgjegjësi e tyre morale e kombëtare që t’i kapërcejnë një ditë e më parë.