“Open Balkan”, faktorizues i Serbisë

“Open Balkan”, faktorizues i Serbisë

Serbia është, siç ka qenë gjithmonë, i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka qenë në gjendje të iniciojë lufta dhe që ka dëshiruar ta bëjë këtë gjë. Në fakt, Serbia ende i posedon këto dy mundësi. Ekonomia e saj është më e madhja në rajon, së bashku me industrinë e armatimit, të cilën ajo e zhvillon vazhdimisht. Por, realiteti nuk përfundon me kaq. Serbia ende i kërcënon fqinjët, kurse Kosovën e konsideron territor të saj.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Në takimin e fundit të “Open Balkan”, që u mbajt në Ohër, është vërejtur vazhdimi i entuziazmit të mëparshëm për këtë “organizatë” nga treshja Rama, Vuçiq dhe Kovaçevski. Pjesëmarrja e diplomatëve të lartë amerikanë, Zëvendëssekretarit të Shtetit dhe, njëkohësisht, edhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorit të këtij shteti në Beograd, Chistopher Hill, i ka dhënë peshë të veçantë këtij takimi. Kuptimi i pjesëmarrjes së këtyre dy diplomatëve në këtë takim nënkupton mbështetjen e SHBA-së për këtë organizim. Megjithatë, mbështetjet në diplomaci ose në marrëdhënie ndërkombëtare duhet të shikohen me kujdes dhe qasje analitike. Natyrisht, SHBA-ja nuk do të shprehë kundërshti ndaj formave të bashkëpunimit ndërmjet shteteve në Ballkan, pasi që ato janë të domosdoshme për zhvillimin e marrëdhënieve në këtë rajon, që vazhdimisht cilësohet si problematik. Për amerikanët, çdo iniciativë që çon në përmirësimin e marrëdhënieve në Ballkan është e mirëseardhur.

Nëse i lexojmë me kujdes paraqitjet e dy diplomatëve në fjalë, do të shohim se ata nuk e konsiderojnë këtë organizim si të domosdoshëm. Deklaratat e mëhershme të Escobarit bëjnë me dije se “Open Balkan” nuk ka efekt nëse në të nuk përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pra, nëse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten jashtë, nuk ka “Open Balkan”. Në takimin e Ohrit, Escobari ka nënvizuar ose, më mirë të themi, ka porositur se “Open Balkan” nuk guxon të jetë organizatë politike, por duhet të mbetet projekt ekonomik. Porosia tjetër e Escobarit, e përsëritur edhe nga Hilli, është se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të tregojnë më shumë angazhim në zhvillimin e demokracisë, sidomos në forcimin e institucioneve që qëndrojnë pas zbatimit të rendit dhe ligjit. Kjo është porosi e vjetër amerikane, që bën me dije se këto vende kanë ende punë në zhvillimin e funksionimit të institucioneve shtetërore dhe nuk mund të shkojnë larg pa i rregulluar këto gjëra elementare.

Si shtesë, deklaratat e zyrtarëve amerikanë nuk janë presione që e detyrojnë Kosovën ta ndryshojë mendjen dhe t’i bashkohet këtij projekti. Por, qeveria e Kosovës do të duhej që të merrte pjesë, qoftë edhe në cilësi të vëzhguesit ose qoftë vetëm një herë, sa për ta paraqitur qëndrimin e saj, duke i radhitur arsyet e refuzimit.

Duke e pasur parasysh edhe ndikimin rus në Ballkan, kryesisht rolin që luan Moska në Beograd dhe lidhjet e krijuara mes Serbisë e Rusisë, Uashingtoni nuk mund të inkurajojë krijimin e ndonjë projekti politik në Ballkan. Një organizim i tillë do të ishte kundër programit të Unionit Europian, të cilin e mbështet administrata amerikane e që është në harmoni dhe me planin e saj. Amerikanët janë në dijeni për rolin e mediave ruse (Sputnikut), që janë të vendosura në Serbi dhe që më shumë se shpesh kanë deklaruar se “Open Balkan” shihet si “stacion” politik dhe ekonomik i Rusisë në rajon. Madje, këto media edhe e promovojnë prore këtë iniciativë.

Në realitet, pa marrë parasysh porosinë e zyrtarëve amerikanë, projektet ekonomike do të duhej të çonin në bashkësi politike. Kështu ka ndodhur me Unionin Europian, i cili u themelua si një organizim ekonomik, më saktësisht si Bashkësia e Thëngjillit dhe Çelikut, kur filloi më 1951. Qëllimi i kësaj bashkësie ishte që, në të ardhmen, me Gjermanisë dhe Francës të eliminohej “casus belli”. Pra, synimi ishte që kjo pasuri e rëndësishme, që e furnizon luftën, të mos mbetej në duart e një shteti, por t’i kalohej në kompetencë një organizimi mbishtetëror. Pasi që ekzistonte vullneti për paqe, gradualisht lindi ideja supranacionale, që pas disa dekadave kulminoi me atë që sot e njohim me emrin Unioni Europian, që të ne gabimisht ka hyrë me emrin Bashkimi Europian.

Nëse “Open Balkan” do ta kishte qëllimin e përmendur më lart, gjërat do të ishin në rregull dhe numri i kritikëve do të ishte i vogël dhe i parëndësishëm. A do të pranonte Serbia që një pjesë të industrisë së saj ta kalonte në një organ supranacional, ku do të menaxhohej nga të tjerët në një zyre të vendosur në Tiranë, Podgoricë apo Shkup? Nëse Serbia do të ishte orientuar për paqe, do ta bënte këtë gjë.

Por, “Open Balkan” nuk ka asnjë qëllim tjetër, pos të faktorizimit të Serbisë. Në anën tjetër, siç na dëshmon historia, Serbia është, siç ka qenë gjithmonë – i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka qenë në gjendje të iniciojë lufta dhe që ka dëshiruar ta bëjë këtë gjë. Në fakt, Serbia ende i posedon këto dy mundësi. Ekonomia e saj është më e madhja në rajon, së bashku me industrinë e armatimit, të cilën ajo e zhvillon vazhdimisht. Por, realiteti nuk përfundon me kaq. Serbia ende i kërcënon fqinjët, kurse Kosovën e konsideron territor të saj.

Atëherë, pse duhet një “Ballkan i Hapur”, ku rolin kryesor do ta ketë Serbia, e cila nuk e ka ndërmend të kontribuojë në vendosjen e paqes dhe prosperitetit në Ballkan? Përkundrazi, ajo – me jetësimin e kësaj iniciative – do të bëhet edhe më e rrezikshme, për shkak se nuk ka shenja të ndryshimit të kulturës së saj politike, që do të reflektohej në një qasje të rrezikshme ndaj fqinjëve, sidomos ndaj Kosovës.

Tani më e dimë se cili do të jetë bilanci ekonomik mes shteteve të Ballkanit Perëndimor që do të rezultojë pas jetësimit të këtij projekti. Dihet se Shqipëria mund të përfitojë në sferën e turizmit, por do të humbë në fushat e tjera të ekonomisë, ku Serbia do ta zgjerojë dhe thellojë edhe më tej fuqinë e saj ekonomike dhe, pastaj, atë politike, që pason domosdoshmërisht.

Ajo që është përtej habisë është pozicioni i Edi Ramës ndaj kësaj iniciative dhe qëndrimi i tij i çuditshëm ndaj Serbisë. Deklaratat e Ramës se i bën për t’ia lehtësuar Serbisë të kaluarën kriminale, janë të rrezikshme. Pse Rama nuk ndalet së lavdëruari Aleksandër Vuçiqin, i cili është një autokrat që nuk pushon së minuari procesin perëndimor të Ballkanit dhe nuk e fshehë simpatinë dhe miqësinë me Rusinë e Putinit, i cili me muaj të tërë në Ukrainë është duke e sfiduar me përgjakje rendin perëndimor? Një varg pyetjesh të këtilla kërkojnë përgjigje adekuate.

Rreziku bartet edhe në aspektin strategjik. Faktorizimi i Serbisë në “Open Balkan” e amortizon nevojën e Beogradit që të arrijë marrëveshje të qëndrueshme me Kosovën, pasi që Vuçiqit i forcohet pozita politike, kurse nacionalizmi serb egërsohet edhe më tej. Gjykuar nga aspekti nacional, një gjë e tillë e dobëson faktorin shqiptar. Në këtë rast as shteti shqiptar nuk do të kishte ndonjë peshë të rëndësishme.

Prandaj, edhe pas takimit të Ohrit nuk ekziston asnjë arsye që joserbët, sidomos shqiptarët, të shpresojnë në “Ballkanin e Hapur”. Deklaratat e zyrtarëve amerikanë, të shprehura në Ohër, duken të jenë formale dhe të karakterit observues. Megjithatë, edhe si të tilla, u kanë dhënë mjaft arsye entuziastëve që të vazhdojnë me projektin e tyre.