OKB bën thirrje për izolim financiar ndaj regjimit të juntës në Mianmar

OKB bën thirrje për izolim financiar ndaj regjimit të juntës në Mianmar

Kombet e Bashkuara (OKB) bëjnë thirrje për pakësimin në “mënyrë të koordinuar” të angazhimit ekonomik me Mianmarin, i cili ndodhet nën administrimin e juntës ushtarake që nga shkurti 2021, duke bërë të ditur se në Mianmar është përjetuar dyfishim në varfëri dhe kolaps në sistemin shëndetësor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nada al-Nashif, zv/Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në një fjalim theksoi se kufizimi i interesave ekonomike i juntës ushtarake në Mianmar dhe kryesisht kufizimi në qasjen e tij në të ardhura dhe valuta të huaja janë element themelor për parandalimin e regjimit në shkeljen e të drejtave të njeriut.

Nashif tha se në raportin e përgatitur nga ekipi i OKB-së është vërejtur se më shumë se gjysma e të gjithë fëmijëve në moshën shkollore nuk kanë pasur qasje në arsim për dy vite me radhë.

Duke bërë thirrje për marrjen e masave kundër institucioneve kritike që lehtësojnë qasjen e vazhdueshme në valuta të huaja, përfshirë kompaninë kombëtare të naftës dhe gazit Myanmar Oil and Gas Enterprise e cila përbën rreth 50 për qind të të ardhurave të valutës së huaj të vendit, Nashif bëri të ditur se ushtria ka gjithashtu edhe qasje të hapur në valutën që mbahet në llogaritë jashtë vendit të bankave shtetërore.

Nashif bëri thirrje për pakësimin e angazhimit ekonomik në një “mënyrë të koordinuar” me regjimin ushtarak në Mianmar dhe u rekomandoi vendeve anëtare të OKB-së që zbatojnë sanksione shtesë.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor 2020 dhe pas rritjes së tensioneve politike në vend, mori pushtetin më 1 shkurt 2021. Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe Ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë së Mianmarit ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit dhe grupeve kundërshtare, deri më tani kanë humbur jetën mbi 1.800 persona. Që nga grushti i shtetit e deri më tani janë arrestuar rreth 13 mijë persona, ndërkohë që mbi 10 mijë ndodhen ende nën arrest.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë të Mianmarit (AAPP), që nga grushti i shtetit e deri më tani kanë humbur jetën mbi 1.900 persona ndërsa janë arrestuar mbi 10 mijë të tjerë. Gjykatat ushtarake të Mianmarit kanë dhënë dënim me vdekje për 114 të burgosur politik, përfshirë 2 fëmijë.