` . NÛRI I PEJGAMBERIT S.A.V.S. NË ËNDËRR - TV SHENJA

NÛRI I PEJGAMBERIT S.A.V.S. NË ËNDËRR

“Kushdo që më shikon në ëndërr, të mos ketë asnjë dyshim nëse kam qenë vërtet unë, pasi djalli nuk mund të imitojë formën time.” (Buhariu)

Shrkuan: Ismail BARDHI, Shkup

Dikur vërehej varfëria e “dijes” dhe “urtësisë”, por pyetja që duhet shtruar është se a thua këto ishin varfëri apo varfëri ishte vetëdija e moskuptimit të diçkaje të tillë? Mendoj se varfëria më e madhe, që ka qenë në atë kohë, por edhe tani, është moskuptimi i vetëdijes për t’i lexuar shenjat e kohës. Kjo është një hapësirë e thellë dhe ajo është për njerëzit e rrallë. Por, ne kemi diçka që mund ta themi se është mëshirë e Zotit në një hapësirë më të gjerë, ku çdokush mund të ndalojë, të mos bëjë zhurmë, të fillojë ta dëgjojë vetveten, ta kuptojë heshtjen e madhe, të paktën ta kuptojë, në një mënyrë, siç e kupton vetminë në një vetmi të madhe. Përse nuk e kuptuam këtë? Çka është e shenjtë për ne? A kemi ne shenjtëri?

Më parë janë biseduar tema të ndryshme – metafizika është futur në hapësirën e racionales, dhe anasjelltas. Ose, dija është vënë përballë injorancës dhe anasjelltas. Në të vërtetë, edhe njëra edhe tjetra janë lodhëse, sepse janë të ngjyrosura me tradhti dhe mashtrim. Më kujtohet shumë mirë ndalimi i fesë në kohën e komunizmit ballkanik, e të mos flas për atë shqiptar, që ishte i veçantë. Dukuritë e tilla kërkojnë një traditë përgatitore të përhershme, që ka mundësi t’i përballojë sfidat e ndryshme. Prandaj është komunikimi ose përjetimi i përhershëm intim i Fjalës së Zotit me njeriun universal, që nuk guxon t’i nënshtrohet askujt tjetër.

Ne sot jemi dëshmitarë se si flitet për fenë, duke filluar prej “superinteligjencës”, e deri te një “ahmakizëm” i paparë. Madje, ka raste që ua kalojmë edhe Biruniut dhe Einsteinit… Më saktë, sot ua kalojmë me një kapacitet shumë të mbyllur. Për shembull, tërë teologjia jonë e sotme është mbyllur brenda, përafërsisht, 7-8 termave: revelatë, transcendencë, metafizikë, profeci, edeniane, skabiec… Dhe, e keni parasysh, kjo e harron fuqinë e gjuhës. Gjuha e sotme fetare është duke e humbur shenjtërinë. Prandaj edhe kemi interpretime “të pashpirta”, sidomos në këtë kohë kur fjalori i pazarit përdoret nëpër “mihrabet” dhe “kursitë” tona!

Gjithë kjo që u tha është problem dhe kërkon të mendohet se si të kapërcehet, si të përmirësohet gjendja, si të aftësohet besimtari me një mënyrë universale që ta kuptojë Fjalën e Zotit, e sidomos dashurinë e Pejgamberit s.a.v.s.. Ndërkaq kjo nuk bëhet vetëm duke u mbështetur mbi fjalorë të përzier -isht–isht–isht-…, por kërkon një urtësi të thellë që në mënyrë të përhershme të mundohemi ta mbajmë të gjallë atë – ngaqë për ballkanasit urtësia është lënë në “frigorifer”, sepse ne jemi të rrethuar me terminologji “ushtarake” (lexo: të komandantëve”). Ne e kemi të domosdoshme të ndalojmë dhe të mundohemi ta pastrojmë fjalorin tonë, të mos i dorëzohemi mashtrimit të luftës pa luftë dhe shkencës pa shkencë, sepse nuk mund të jetojmë pa një metafizikë, pa Fjalën e Zotit dhe urtësinë e saj. Kjo i ka mbajtur dhe vazhdon t’i mbajë gjallë qytetërimet, të cilat sot e tërë bota është duke i luftuar. Metafizika – ëndrra – është e rëndë, por është për njeriun.

Cila është, pra, mënyra që ta përjetojmë ose të zhytemi në thellësitë e lezetshme të metafizikës profetike, pejgamberiane? Dikur, në shtëpi të rralla e me njerëz të rrallë, pranë kafesë pa sheqer, është biseduar dhe përjetuar thellësia sofiste, mistike ose ajo e “shokëve” të Pejgamberit s.a.v.s.. Kjo nuk do të thotë që shok i Pejgamberit s.a.v.s. është vetëm dikush që ka jetuar në kohën e tij. Shokt të tij mund të ketë edhe në këtë kohë. Ne duhet t’i zëvendësojmë as’habët e Pejgamberit s.a.v.s., ta shohim se si e ata e kanë përjetuar Fjalën e Zotit, si e kanë ndjekur Pejgamberin s.a.v.s., si e kanë dëgjuar atë… ta shohim se si është sjellë ai me veten, me familjen, me fëmijët, me kafshët… çfarë kujdesi ka pasur për pastërtinë, për shikimin e sinqertë të tjetrit dhe, ndonëse ka pasur mundësi për të bërë gjithçka, asnjëherë nuk e ka keqpërdorur atë fuqi… nuk është munduar të hakmerret, por parimi i tij ka qenë shpëtimi i shpirtit të njeriut. Si mund ta shohim ne besimin tonë? Nga ana tjetër, ne sot kemi gjithçka, përpos sigurisë shpirtërore dhe dashurisë që duhet ta kemi. Shtëpitë tona, familjet tona, xhamitë tona, nuk kanë diçka të tillë, për arsye se janë harruar, është harxhuar thellësia e melekëve dhe e Hidrit a.s.. Sot nuk bisedohet e nuk pyetet askush se mos vallë e ke parë në ëndërr Pejgamberin s.a.v.s.?

Kjo hapësirë ka qenë dhe mbetet forcë universale e Shpalljes, që Allahu xh.sh. ua ka dhuruar njerëzve, nuk ua ka mbyllur fuqinë përmbajtjesore të metafizikës. Por, nuk do të thotë se kjo nuk është duke u keqpërdorur. Madje, edhe “keqpërdorimi” është bërë “forcë” në vete. Këtu, në mënyrë shumë “të thjeshtë”, do të mundohem t’i përcjell dy të vërteta, që i kam dëgjuar për dy besimtarë, emrat e të cilëve nuk do t’i përmend. Shikimi në ëndërr i Pejgamberit s.a.v.s. ka qenë dhe mbetet argument i ripërtëritjes së dashurisë ndaj tij, siç ka thënë edhe vetë ai: “Ai që më sheh në ëndërr, më ka parë vërtet mua, sepse djalli nuk shfaqet në formën time.” (Muslimi).

Për arsye të namuzit dhe kuptimit të së shenjtës do të ndalem vetëm në atë se si jam ndjerë kur kam dëgjuar nga dy persona se e kanë parë në ëndërr Pejgamberin Muhammed s.a.v.s.. Njëri prej tyre është babai i Muhammedit, ndërsa tjetri një mjek. I pari, si djalë i ri nga Shqipëria, sapo hapen kufijtë, shkon si nxënës për shkollim të mesëm në Greqi. Natyrisht, jo shumë i informuar për fenë, ndonëse rridhte nga një familje besimtare. Djaloshi, i edukuar e me sjellje të mirë, e ndjek në mënyrë korrekte shkollimin në një shkollë me karakter fetar të krishterë dhe edukim konviktor. Kuptohet, ai as që kishte menduar se cilës fe i përket, ndërkohë që në atë shkollë ishte biseduar për një fe tjetër qiellore. Kujdestaret/mësimdhënëset e kësaj shkolle, të vetëdijshme se çfarë është përgjegjësia e fesë, dhe duke e vërejtur te ky djalë sjelljen e mirë të tij (nuk gënjen, nuk mashtron, nuk fyen, nuk e tradhton amanetin dhe nuk bën dallim për atë që dikush beson ose nuk beson), i drejtohen atij me një pasion të madh dhe e lusin për shpëtim të shpirtit – për çka natyrisht se ai duhej të pagëzohej. Pa marrë parasysh thellësinë e aktit të pagëzimit, edhe aspekti formal i tij e ka peshën e vet. Por, djaloshi në fjalë, për shkak të edukatës, ishte përpjekur që këtë gjë ta kalojë në heshtje, pa e fyer dashurinë e mësimdhënëseve që e ftonin në shpëtim fetar. Por, ditët kalonin dhe afrohej koha për përfundimin e shkollimit, ashtu që një ditë prej ditëve ai “pajtohet” ta pranojë kërkesën e murgeshave të krishtera, që të nesërmen t’i nënshtrohet ritualit të pagëzimit.

Posa vendos për një hap të tillë, ai përgatitet për gjumë dhe pa vullnetin e tij fillon t’i nënshtrohet fuqisë së metafizikës me thellësinë që ajo ka dhe me prekjen drithëruese që ia prezanton fuqia universale e shpëtimit. Kuptohet, ai ishte i pajisur me pak informacion fetar, aq sa ka pasur mundësi të ketë marrë nga tradita e shtëpisë ku ka lindur nga prindërit me përkatësi fetare islame, por jo edhe praktikues në atë kohë të komunizmit/enverizmit të llojit të veçantë botëror. Këtij djaloshi të ri, pas gjithë këtij kalvari metafizik, atë natë i paraqitet në ëndërr Pejgamberi s.a.v.s., ndonëse ai nuk e dite se çfarë ishte duke ndodhur me të. Një ndodhi e madhe që, pas përfundimit të ëndrrës, ai më tepër në heshtje dhe me lot në sy e mban në vete. Sot kur ai flet për këtë, thotë se nuk është frikësuar në ëndërr kur e ka parë një dritë të veçantë në një trup me një bukuri të rrallë, që zemra e pranon. Me një fjalë, është kënaqur, sepse e ka parë Pejgamberin s.a.v.s. të ulur diku lart e duke i thënë: “Unë jam e Vërteta e Zotit. Kjo të mjafton ty!”. I kërkova këtij besimtari të ma përshkruajë këtë moment, por e vetmja gjë që më tha ishte: “Të lutem, kjo është për mua dhe kam dëshirë të mbetet për mua, sepse atë kënaqësi asnjëherë nuk do ta harroj!” “Unë – tha – nuk kisha shumë dije për diçka të tillë. Pas ëndrrës të nesërmen u thashë edukatoreve të shkollës se nuk jam i përgatitur për atë që e kërkonin nga unë. Të nesërmen, duke qenë akoma nën mbresën asaj ëndrre të madhe, e thirra familjen, fola me babanë e i thashë: ‘Babi, mbrëmë kam parë një ëndërr, si mendon, çfarë është? Njeriu që e ëndërrova më tha: unë jam Muhammedi, Pejgamberi yt, dhe unë jam e Vërteta që i është dhuruar njerëzimit nga Zoti’. Përgjigjja e babait ishte: ‘Po, është e vërtetë djali im. Pejgamberi i fundit për njerëzimin është Muhammedi s.a.v.s. dhe ne muslimanët i besojmë atij si Profet i Zotit, të cilit i është shpallur Kur’ani dhe i është dhuruar hadithi, tradita e tij. Ne muslimanët, më parë, para komunizmit, e kemi festuar lindjen e Muhammedit a.s. dhe është lexuar Mevlud nëpër shtëpi dhe xhami’.”

Rasti tjetër është i një mjeku, një burri të edukuar e të arsimuar jashtë vendit me një edukatë dhe arsimim të lartë. Punëtor në një spital dhe me sjellje të plotësuar me dashuri e respekt si për vetveten, ashtu edhe për të tjerët. Në bisedë e sipër i përmenda se kisha disa probleme shëndetësore, ndërsa ai me sjelljen e tij të veçantë më pyeti, ashtu qetas, nëse do të mund të shkoja në ordinancën e tij, të bisedonim për hallin që kisha dhe për gjendjen tonë, në përgjithësi. U nisa, por kur u takuam, për arsye të gjendjes faktike (duhet të mbajmë maska dhe të mbrohemi nga virusi) ishim të kujdesshëm. Biseduam për nevojën dhe problemet me të cilat ballafaqohet njeriu i rëndomtë sot, për krizën e madhe shpirtërore, kulturore, e sidomos krizën e bollëkut ekonomik, e deri te qytetet pa parkingje dhe arrogancën njerëzore, e sidomos për varfërinë e partive politike që nuk kursejnë asgjë, në mënyrë që ta fitojnë “dështimin”. Më bëri shumë përshtypje kujdesi dhe respekti që kishte ai ndaj ulemave, për çka me një frymë më tha: “Më kujtohen disa hoxhallarë të vjetër, që sot nuk jam duke i parë, pa marrë parasysh se kemi dijetarë”. Me ta thënë këtë, mbretëroi një heshtje e shkurtër dhe ai e drejtoi shikimin nga unë me sy të njomur: “Miku im, më tha, a kam mundësi të të rrëfehem për diçka që, përpos anëtarëve të familjes, nuk ia kam thënë dhe nuk ia them askujt?!”. I thashë: “Natyrisht se po”. Tha: “Para disa vitesh e kam parë në ëndërr Pejgamberin s.a.v.s….” Ç’të thosha? Për arsye të “kulturës moderne” nuk dita ç’të bëj. Desha të ngrihem dhe ta përqafoj. Por, vetëm i thashë: “Ta dish se prej këtu ku jam ulur po të përqafoj”. Ai përsëriti: “Këtë nuk ia them askujt”. Edhe unë i thashë të ketë kujdes, sepse ky është një moment që nuk përsëritet dhe nuk i mundësohet çdokujt. Ky është një isharet, shenjë, fenomen i përhershëm, që tradita e pejgamberëve e mundëson. Është dhuratë nga Zoti. Tekefundit, ëndrra nuk është kot. Ëndrrat kanë treguar shpëtimin, kanë treguar edhe katastrofën. Kujtoni vetëm rastin e Pejgamberit Jusuf a.s. dhe ëndrrën e cila atë e shpëtoi nga burgu dhe e bëri mbret shpëtimtar të Egjiptit dhe spastrues të mitologjisë egjiptiane. Ose, ç’të themi për kontaktin e tij me të atin, Jakubin a.s., dhe me vëllezërit e tij, një tregim të cilin Kur’ani e quan ahsenu’l-kasas (rrëfimet më të lezetshme). Vëllai në fjalë, mjeku, më tha: “Më beso se pasi e pashë në ëndërr Pejgamberin s.a.v.s. , m’u duk se m’u ndal fryma. U ula në gjunjë para tij. Bukuria e tij ishte mahnitëse. Vetë bukuria e jetës. Diçka më të bukur asnjëherë nuk kisha parë dhe nuk jam duke parë as sot. Nuk dita si t’i drejtohesha. E di se rashë në gjunjë dhe i thashë: ‘O i dashuri Pejgamberi, o xhaxhi Muhammed…’. Nuk e harroj këtë. Kjo bukuri më mban gjallë. Ky është momenti im më i dashur dhe më i çmuar në jetë. Këtë përjetim asnjëherë me asgjë nuk mund ta krahasoj, as me profesionin, as me diplomën…”. Për këtë arsye, si duket, edhe ka mbetur thënia se “brezi i parë, që e ka parë Pejgamberin s.a.v.s. të Cili është tipari i së vërtetës në gjithë këtë? Edhe njëri, edhe tjetri, në interpretimin, respektivisht përshkrimin e Pejgamberit s.a.v.s., ishin thuajse identikë me mënyrën e përshkrimit të tij nga as’habët: “Ai ishte i bukur, i hijshëm, bukuri e paparë me nur, thuajse ishte si diell (Ebu Hurejre), që kishte rënë në tokë dhe ecte… dritë që vetvetiu jepte shpëtim – hidajet… pamja e tij ishte burrërore… nuk ishte i gjatë, por as i shkurtër”. Aisheja r.a. e përshkruan se “ai kishte fytyrë të ndritur, sikur hëna rrezonte në të… sytë i kishte ngjyrë kafeje e të ndritshëm… flokët nuk i kishte shumë kaçurrela ose shumë të drejta… kishte mjekër të madhe dhe të shpeshtë.” Siç thanë thuajse të dy: “Sa herë që kujtoj ëndrrën, hesht dhe sytë më mbushen me lot”. Subhanallah!

Ja mundësia e përhershmërisë së kontaktit me fenë. Nuk them që teologjinë tonë dhe kulturën tonë t’i shndërrojmë në ëndërr, por them se këtë thirrje duhet ta kuptojmë si dhuratë të përhershme të mundshme që na e dhuron Zoti. Ne sot në bisedat tona, në ligjëratat tona, e kemi të zbrazët fetarizimin tonë si fe. Nëse ne sot dëshirojmë të bëhemi besimtarë, dijetarë – alima, disi më tepër e vërejmë si nevojë të jemi arrogantë, çallëmxhi dhe të përdorim terminologji të zbrazët dhe të thatë, duke menduar se ashtu e interpretuam një ajet të Zotit. Çfarë vobektësie e madhe është te ne? Xhamitë i kemi përplot me shifra besimtarësh, për çka sociologjia me statistika thotë se është duke gëluar fundamentalizmi, ndërsa në anën tjetër ne i harrojmë mundësitë tona të mundshme të llojit të ëndrrës, sidomos të dashurisë së Pejgamberit s.a.v.s.: të flasim me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, sidomos t’u flasim fëmijëve tanë, t’u rrëfejmë rrëfime të mira, t’ua lexojmë Mevludin dhe në çastin kur përmendet lindja e Pejgamberit s.a.v.s. të ngrihemi në këmbë; t’ua rrëfejmë drejtësinë që kemi, kujdesin që kemi, përjetimet fetare dhe dënimet që i kemi përjetuar ose që i kanë përjetuar prindërit tanë në vendet e punës në kohëra të vështira; të mundohemi t’ua tregojmë fytyrën e rrezikshme të njeriut që i nënshtrohet interesit dhe fuqisë së kësaj bote; t’u tregojmë se zullumi dhe zullumqarët nuk janë asgjë, se nuk e kanë as fuqinë e një njeriu të rëndomtë, që ulet në prag dhe i lutet Zotit.