` . Nuk pa golin e Ronaldos, anësori “e paguan” me humbjen e Europianit - TV SHENJA

Nuk pa golin e Ronaldos, anësori “e paguan” me humbjen e Europianit

Arbitri anësor i ndeshjes eliminatore të Botërorit Katar 2022, Serbi-Portugali, i cili nuk akordoi një gol të Cristiano Ronaldos, ndonëse topi e kishte kaluar vijën fatale, detyrohet të paguajë shtrenjtë gabimin e tij.

Kjo pasi mediat holandeze zbulojnë se anësori Mario Diks nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Europian këtë verë, pasi arbitri kryesor Danny Makkelie ka vendosur ta përjashtojë nga skuadra e tij e arbitrimit dhe ta zëvendësojë me një tjetër vijërojtës.

Lajmin e ka bërë të ditur portali holandez “Algemeen Dagblad”, që ka arritur të marrë edhe deklaratat e dy protagonistëve, Danny Makkelie dhe Mario Dijks, në lidhje me vendimin për të mos vijuar më në të njëjtën skuadër arbitrimi.

“Kjo është një çështje skuadre. Kam punuar me Marion për shumë vite dhe ju e kuptoni sa e vështirë është ndarja, por gjithçka po bëhet për të mirë të skuadrës”, deklaroi Makkelie në lidhje me vendimin për të larguar anësorin Diks.

“Është një zhgënjim i madh, pasi më 31 mars Makkelie më tha se dëshiron të vazhdojë punën me një anësor tjetër, duke qenë se besimi mes nesh ishte venitur. Prisja me të vërtetë më shumë mbështetje, pas një bashkëpunimi shumë të mirë që kemi pasur gjatë këtyre viteve”, u shpreh Mario Diks, që tani do të humbë Kampionatin Europian.

Sfida mes Serbisë dhe Portugalisë u zhvillua më 27 mars në stadiumin ‘Ylli i Kuq” në Beograd dhe u mbyll në shifrat 2-2, pasi goli i shënuar nga Ronaldo në minutat shtesë, nuk u akordua nga anësori, ndonëse topi e kishte kaluar vijën fatale dukshëm.