Nuk ka vend në Bakhmut që “nuk është i mbuluar me gjak”, thotë Zelensky

Nuk ka vend në Bakhmut që “nuk është i mbuluar me gjak”, thotë Zelensky

Nuk ka vend në qytetin lindor të Bakhmut që “të mos jetë i mbuluar me gjak”, ka thënë presidenti ukrainas Volodymr Zelensky.

Ai shtoi se “vetëm disa civilë” kanë mbetur në qytet, i cili kishte qenë shtëpia e 70,000 njerëzve përpara luftës me Rusinë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Nuk ka vend që nuk është i mbuluar me gjak. Nuk ka orë kur zhurma e tmerrshme e artilerisë nuk dëgjohet”, citohet të ketë thënë më tej Zelensky.

“Megjithatë, Bakhmut qëndron në këmbë”.

Qyteti, i cili ndodhet në rajonin lindor të Donetskut, ka qenë vendi i betejave të pamëshirshme për muaj të tërë.

Trupat ruse po përpiqen të futen në zonë në përpjekjet e tyre për të marrë plotësisht kontrollin e Donbasit, duke u mbështetur kryesisht te mercenarët për ta bërë këtë.

Zelensky bëri një vizitë në Bakhmut në fillim të dhjetorit, duke e përshkruar vendbanimin si “kështjellën” e vijës së parë të Ukrainës.

Beteja këtu është bërë një nga më të ashprat e luftës deri më tani, me banorët e detyruar të strehohen nën tokë dhe në temperatura të ftohta.

Ekspertët ushtarakë thonë se Bakhmut ka pak vlerë strategjike për Rusinë, por të tjerë thonë se marrja e tij do të hapte rrugën për në Sloviansk dhe Kramatorsk – dy qendra të rëndësishme industriale.