` . Non-paper-ët si kërcënim për fatin e popujve - TV SHENJA

Non-paper-ët si kërcënim për fatin e popujve

Dilema e parë që shfaqën këto non-paper-ë është ajo mbi idenë e multietnicitetit, ndërtimit të shoqërisë multietnike. Pas një investimi kaq të gjatë të palëve të dyta dhe të treta në procesin e paqes, pas disa trazirave dhe humbjeve të mëdha në jetët e njerëzve në Ballkan, kur po besohej se tashmë janë vënë themelet e një modeli multietnik të shteteve “të reja”, të flasësh për ridefinim kufijsh mbi baza etnike, do të thotë kthim mbrapa ose kthim në pikën zero.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Shfaqja e non-paper-ëve të fundit solli sërish në rend të ditës shumë dilema, shqetësime dhe kritika mbi fatin e popujve ballkanikë. S’do mend se shqetësimi është legjitim jo vetëm për fatin e popujve në fjalë, por edhe për vetë sigurinë dhe zhvillimin e rajonit dhe Europës në tërësi. Pikëpyetjet që sollën këta non-paperë shpërfaqin gjendjen reale të projektit të paqes në Ballkan. Dilemat dhe vërejtjet e vjetra po kthehen në tryezë, pavarësisht se ishte menduar se kemi ardhur në një stad të ri të normalitetit dhe konsolidimit shoqëror e politik si rajon. Ky ishte mesazhi më serioz i krejt zhvillimeve të fundit, që e zbehu pathyeshmërinë e vizionit të paqes së vendosur tashmë në kontura të një konsensusi të brishtë rajonal, me sponsorizim dhe ndërhyrje ndërkombëtare.

Natyra e non-paper-ëve është e atillë që, si dokumente pa vulë, pa adresë dhe mbulim zyrtar, përcjellin mesazhin e tyre paralel me proceset dhe marrëveshjet formale legjitime mes vendeve. Mesazhi i tyre rëndom është paralajmërim, sinjal për një opsion real në horizont për zgjidhjen e problemeve ndërmjet shteteve. Megjithatë, duke qenë jozyrtar, non-paper-i, më shumë se verdikt, jep mundësi, opsione, dilema, madje duke e trazuar kështu edhe shoqërinë dhe botën diplomatike. Ato janë e pathëna zyrtare, janë matje e disponimit publik dhe opsion real në tavolinën e çështjeve të pazgjidhura. Prandaj ato lehtë mund të jenë edhe vetë fati i zgjidhjes së problemeve.

Si duhet lexuar non-paper-ët në kontekstin ballkanik?

Por çfarë kuptimi kanë këto non-paper-ë në kontekstin e popujve ballkanikë? Çfarë mesazhi përcollën këto non-paper-së mbi proceset rajonale?

Dilema e parë që shfaqën këto non-paper-ë është ajo mbi idenë e multietnicitetit, ndërtimit të shoqërisë multietnike. Pas një investimi kaq të gjatë të palëve të dyta dhe të treta në procesin e paqes, pas disa trazirave dhe humbjeve të mëdha në jetët e njerëzve në Ballkan, kur po besohej se tashmë janë vënë themelet e një modeli multietnik të shteteve “të reja”, të flasësh për ridefinim kufijsh mbi baza etnike, do të thotë kthim mbrapa ose kthim në pikën zero. Kjo vë në pikëpyetje gjithë investimin shumëdimensional të deritanishëm dhe shpërfaq mundësinë se rajoni mund të shkojë në një rrugë të re: ridefinim kufijsh mbi baza etnike, që do të ishte një freskim dhe fitore për idenë e shtetit komb në një kontekst të ri rajonal dhe global. Kjo do t’i rrënonte pritshmëritë dhe vizionet politike dhe ideore mbi progresin, sigurinë, ekonominë, kulturën dhe fenë. Thënë më saktë, do t’i ridefinonte këto sfera në një format dhe koniukturë të re politike dhe strukturore.

Dilema e dytë që sjellin këto non-paper-ë është ajo mbi sovranitetin e shteteve. Këto non-paper-ë, duke përmendur krijimin e zonave (distrikteve autonome) monoetnike, krahas prishjes së strukturës multietnike, e rrezikojnë sovranitetin e shtetit dhe lënë hapësirë për dalje nga rendi kushtetues ekzistues dhe rendi ligjor.

Dilema tjetër që del nga këto non-paper-ë është ajo mbi integrimin europian. Për sa kohë që shtetet ballkanike janë në përpjekje për të krijuar shoqëri dhe shtete të modelit europian, me zgjidhje të tilla çfarë parashikojnë non-paper-ët, do ta rrënojnë edhe mitin e integrimit europian. Së paku ideja e deritanishme për Europën e ilustruar ndër vite në nivele diplomatike, politike, ekonomike e kulturore do të merrte dhenë. Ani pse do të mund të lindnin ide me përmbajtje të reja për procesin në fjalë.

Dilemë tjetër po aq e rëndësishme është ajo mbi autoktoninë, “të drejtën historike” për hise në tokat ballkanike. Kjo ka të bëjë me potencialin e konfliktualitetit mbi legjitimitetin historik të popujve vendës mbi rajonin. Kjo do të ishte mundësi e mirë për idetë, grupet dhe qarqet nacionaliste që aspirojnë larje hesapesh të së kaluarës dhe “përmirësim” të gabimeve të historisë. Në aspiratat për dominin mbi territoret ballkanike, hapja e temës së kufijve dhe riorganizimit politik monoetnik të rajonit do të ishte fatale dhe kthim në terrenin e trazuar të Luftës së Parë Botërore e ndoshta edhe më herët.

Vigjilencë karshi të ardhmes

Non-paper-ët duhet lexuar si kërcënim, që dosido imponojnë një rimendim të procesit të paqes në rajon. Kjo konsiston në mobilizim dhe qasje serioze të spektrit politik e diplomatik, por jo vetëm për të dhënë një zgjidhje të qëndrueshme. Nëse një rrezik po troket në derë, del se vizioni për paqen, progresin dhe integrimin në imagjinatën tonë kolektive është fiktiv. Ngase ndërtohet mbi pritshmëritë, mbi ligjërimin e politikanëve dhe qëndrimet zyrtare në letër. Por, terreni del të jetë ndryshe. Prandaj shtetet ballkanike, duke i mbetur besnikë idesë së integrimit europian, do të duhej të mendonin për rrezikun që po kanoset në derë nga “zgjidhjet kreative”, që në fakt janë vënie e dorës mbi fatin e popujve, përvojën e së cilës na e ka treguar fare mirë historia.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian do të duhej të bëhej edhe më vigjilent karshi këtyre zhvillimeve. Duke e shtyrë tutje idenë e integrimit, duhet ta mendojë më seriozisht integrimin e kësaj pjese. Të dijë ta lexojë potencialin e dhunës dhe telasheve të reja që do të mund t’i lindnin pikërisht nga ky rajon. Përshpejtimi i integrimit dhe serioziteti i shteteve ballkanike, ashtu si edhe i vetë BE-së, duke respektuar marrëveshjet e paqes, rezultatet e arritura dhe duke i marrë si të mirëqena faktet e reja në terren (krijimin e shteteve të reja të dala nga ish Federata Jugosllave), do të përbënin siguri për rajonin dhe për vetë Europën.

Sinjal për bisedimet Kosovë-Serbi

Kur Kosova dhe Serbia po pritet ta fillojnë fazën e bisedimeve për marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke, qarkullimi i këtyre ideve e bën situatën edhe më të ndërlikuar dhe dëshmon për disa nga problemet që mund të hasen e që nuk mund të zgjidhen lehtë. Nëse ndarja dhe ridefinimi i kufijve është opsion real në tavolinën e bisedimeve, kjo flet më së miri për sfidën e Kosovës në procesi e ri. Askush nuk do të duhej të ishte i gatshëm për një eksperiment të ri në Ballkan. Bisedimet Kosovë-Serbi janë një arenë ku duhet të rikonfirmohet sovraniteti i shtetit të Kosovës dhe ku respektohet përpjekja për paqe. Dalja e këtyre non-paperëve është vetëm një version tjetër i idesë së shkëmbimit të territoreve që ka qarkulluar ndër vite. Prandaj, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, madje edhe vetë Serbia, do të duhej të dëshmonin pjekuri e të mos i lëkundin “gurët e vendosur”. Fakti se ide të tilla qarkullojnë në universin enigmatik të non-paperëve, Kosovës, e cila gjendet në fazën kritike, kur pret ta hapë fazën e fundit të dialogut me Serbinë, ia vështirëson tejmase pozicionin. Kjo dëshmon se rreziqet që iu kanë kanosur asaj karshi sovranitetit, janë ende evidente. Ajo do ta paguante më së shumti prekjen e sovranitetit. Prandaj, në kontekst të bisedimeve do të duhej të refuzohej çdo ide ose zgjidhje që prek kufijtë e vendosur, sovranitetin e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht dhe arritjet në konsolidimin e shoqërisë dhe shtetit multietnik. Po ashtu do të duhej të refuzohej çdo alternativë që lë nën hije integrimin në Bashkimin Europian si shtete të barabarta, me sovranitete të plota dhe me liri e mirëqenie të barabartë.