` . Njohje e sovranitetit apo bashkim me Shqipërinë - TV SHENJA

Njohje e sovranitetit apo bashkim me Shqipërinë

Dialogu monoton, që udhëhiqej nga Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi, fliste për joseriozitet dhe mungesë të rezultateve për Kosovën. Bisedohej për të ardhmen e Kosovës, por mungonte transparenca. Deklaratat e përsëritura të Thaçit se në këto bisedime Kosova do të dilte me tërë territorin që kishte, plus edhe Luginën e Preshevës, e kaluan edhe kufirin e humorit.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Problemi mes Kosovës dhe Serbisë është dashur të zgjidhej gjatë dy-tri viteve të para pas përfundimit të luftës. Por, kjo gjë nuk ndodhi, për shkak se Kosova nuk kishte klasë të konsoliduar politike, që duhej të interesohej e të merrte vendime. Politikanët në Kosovë vraponin për ta rregulluar veten, duke e harruar detyrën e tyre. Nga kjo nuk u angazhua as bashkësia ndërkombëtare, për shkak se nuk ishte e detyruar. Përkundër prezencës së madhe të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, problemi mbahej në gjendje të ngrirë. Për bashkësinë ndërkombëtare mjaftonte që situata të kontrollohej dhe të mos shkonte në drejtim të konfliktit të armatosur ose eskalimit të çfarëdo dhunë të brendshme, që do ta stabilizonte situatën.

Dialogu, që filloi më 2011 mes Prishtinës dhe Beogradit, 12 vjet pas përfundimit të luftës, me iniciativë dhe patronazh të Bashkimit Evropian, tanimë është e qartë se nuk ka dhënë asnjë rezultat. Rezultatet kanë munguar kryesisht për shkak të mungesës së seriozitetit ose neglizhencës nga ana e Bashkimit Evropian. Janë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por Serbia nuk e ka zbatuar asnjë. Me këto “marrëveshje” Beogradi ka arritur ta imponojë pamjen dhe përshtypjen se kinse është i interesuar për zgjidhjen e problemit dhe kjo gjë i ka ndihmuar në konsolidimin ndërkombëtar. Tanimë kur ka kaluar më shumë se një dekadë, nuk duhet të mendohet shumë për të zbuluar se këtu ekziston një problem serioz.

Dialogu monoton, që udhëhiqej nga Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi, fliste për joseriozitet dhe mungesë të rezultateve për Kosovën. Bisedohej për të ardhmen e Kosovës, por mungonte transparenca. Deklaratat e përsëritura të Thaçit se në këto bisedime Kosova do të dilte me tërë territorin që kishte, plus edhe Luginën e Preshevës, e kaluan edhe kufirin e humorit. Negociatat e tij, të përkrahura nga disa media dhe gazetarë, qenë shndërruar në “tv show” pa publik. Por, në popull u përhap frika se Kosova do të ndahej dhe kishte mjaft arsye për të besuar në këtë gjë. Prandaj, ky dialog në këtë formë më nuk duhet të vazhdojë.

Një, kinse, marrëveshje, që e organizoi ish presidenti Donald Trump, siç u pa, nuk ishte aspak zgjidhje e problemit. Tendenca për një marrëveshje të tillë e favorizonte Serbinë në dëm të Kosovës, gjë që e komplikonte gjendjen edhe më shumë. Qeveria e Kosovës në largim nuk shihte ndonjë të keqe në këtë gjë, edhe pse në popull u krijua një brengë serioze. Kjo është një nga arsyet që partitë pjesëmarrëse në këtë qeveri u dënuan meritueshëm nga populli në zgjedhjet e fundit.

Çdo prospekt ose program politik shpreh dëshirën e arritjes së një qëllimi. Pra, prospekti përmban një plan dhe shpjegon mënyrën e zbatimit të planit që është arritja e qëllimit. Programet politike rrallë realizohen ashti siç paraqiten duke e përmbajtur dëshirën. Zakonisht këto programe përfundojnë në dy mënyra: 1. me atë që duhet të arrihet dhe 2. me atë që mund të arrihet.

Mënyra e parë e këtij prospekti duket se përthekohet në planin politik që e ka proklamuar Albin Kurti, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i ardhshëm i qeverisë së Kosovës. Ajo që duhet të arrihet, pra opsioni i parë, është pavarësia e plotë e Kosovës, të cilën do ta njihte Serbia. Dihet cili është qëllimi i Vetëvendosjes, por kjo parti nuk mund ta refuzojë këtë opsion. Mënyra e dytë është një kompromis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk dihet saktësisht se si mund të jetë. Kompromisi mund të jetë shkëmbim i territoreve ose dhënia (falja) e pjesës veriore Serbisë si kompensim për njohje. Ky përfundim është i papranueshëm për qeverinë e ardhshme dhe kjo është njëra nga arsyet që Albin Kurti ka deklaruar se negociatat me Serbinë nuk do t’i konsiderojë të domosdoshme nga qeveria e tij. Me këtë nuk janë refuzuar negociatat, por Albin Kurti në mënyrë të tërthortë është duke bërë me dije se bisedimet me Serbinë më nuk do të vazhdojnë si më parë. Ai është duke kërkuar ripozicionim të palës që e përfaqëson dhe angazhim më serioz të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Me këtë kërkohet zgjidhja përfundimtare e problemit. Qëllimi i qeverisë së ardhshme është njohja e Kosovës nga Serbia me kufijtë ekzistues. Por, Serbia ka dhënë mjaft sinjale se nuk do ta njohë Kosovën pa ndonjë kompensim ose përfitim në llogari të saj.

Për fat të keq, e ardhmja e Kosovës, në një masë të konsiderueshme, varet nga qëndrimi i Serbisë. Nëse bashkësia ndërkombëtare, më saktësisht Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, nuk i bëjnë presion Serbisë që ta njohë Kosovën me kufijtë ekzistues, atëherë projekti i pavarësisë së Kosovës mund të konsiderohet si i dështuar. Dështimi, si rezultat, sjell kërkesën për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Kjo gjë do të ndodhte për shkak se nuk ekziston rrugëdalje tjetër. Por, edhe në këtë variant Serbia kërkon kompensim territorial dhe nuk do të orvatej ta pengonte bashkimin nëse ka ndonjë përfitim. Por, ky variant është i rrezikshëm dhe mund të çojë në konflikt të armatosur.

Prospekti i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë gjithmonë ka qenë prezent te shqiptarët, por ka gjallëruar në mënyrë të fjetur dhe si variant rezervë i zgjidhjes së problemit. Ditëve të fundit ky opsion ka dalë në sipërfaqe dhe diskutohet publikisht. Këtyre ditëve këto pikëpamje janë shprehur edhe në media të huaja dhe kjo gjë flet për përmasat ndërkombëtare të interesimit që përmban ky problem.

Dalja e këtij varianti në publik e ka shqetësuar mjaft klasën politike në Tiranë. Kjo është për shkak se politikanët e Shqipërisë, sikur shumica e atyre të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, nuk kanë menduar, e më pak kanë punuar, për bashkim kombëtar. Ata duket se nuk llogarisnin në ardhjen e kësaj dite dhe ende besojnë në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila do të veprojë në dobi të Kosovës. Ka kohë që politikanët shqiptarë fatin e vendeve të tyre e kanë dorëzuar në duar të ndërkombëtarëve. Politikanët e vetëm që janë deklaruar në mënyrë të qartë janë ata të Luginës së Preshevës që kanë bërë me dije se në rast të ndërrimit të kufijve, ata do t’i bashkohen Kosovës apo ndoshta edhe Shqipërisë. Duhet pasur parasysh se situata është duke shkuar rrugës ku parashtrohen vetëm dy pyetje: a do të lejohet që shteti i Kosovës të funksionoj në mënyrë sovrane apo Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë? Këtu nuk ka rrugë tjetër.

Megjithatë, ardhja e Joe Biden-it në pushtet në Uashington dhe ndërrimi i qeverisë në Prishtinë duhet të shihet si shenjë e mirë dhe rritje e shpresave për zgjidhjen adekuate dhe përfundimtare të çështjes së Kosovës.