` . Një vështrim mbi shqiptarët dhe kushtetutën e dytë osmane - TV SHENJA

Një vështrim mbi shqiptarët dhe kushtetutën e dytë osmane

Programin e xhemijetit “Bashkim e Përparim”, të miratuar në vjeshtën e vitit 1908, e përshkonte fryma e osmanizmit. Krerët xhonturq nuk i fshihnin synimet e tyre për të asimiluar dhe turqizuar kombet e ndryshëm të Perandorisë Osmane.

Shkruan: Gentrit SMAKAJ, Prishtinë

Kataklizmat e mëvonshme të shekullit XX e kanë kaluar në plan të dytë rolin që revolucioni i Turqve të Rinj luajti në kohën e vet. Në të vërtetë, rëndësia e tij mund të krahasohet me atë të revolucionit rus të vitit 1917 dhe me shembjen e komunizmit në Bashkimin Sovjetik e në Evropën Lindore më 1989. Shpejtësia me të cilën ra pushteti i sulltanit i habiti shumë Fuqitë e Mëdha dhe i kapi vetë revolucionarët në befasi.

Me 23 korrik 1908 Kushtetuta ishte shpallur përsëri dhe ishte dhënë urdhri për zhvillimin e zgjedhjeve. Shqiptarët, turqit, bullgarët dhe armenët përqafoheshin nëpër rrugë, sepse – sipas tyre – kishte ardhur periudha e lirisë dhe e vëllazërisë. Shkrimet e asaj kohe e pasqyrojnë një hare të paparë, e cila gjente jehonën e vet edhe në shtypin skeptik europian. Disa gazeta serioze politike kishin folur për mrekullinë demokratike, ndërkohë që Sir Eduard Grei, ministri i jashtëm anglez, ishte shprehur se “problemi maqedon dhe problemet e tjera të këtij lloji ishin zhdukur”.

Halide Edipi, shkrimtarja e ardhshme feministe, e përshkruante ortekun e njerëzve, që derdheshin e zbrisnin nga Taksimi nëpër urën e Gallatës për të shkuar në pallatin Jalldëz në Stamboll si “dukuri, që rrezatonte diçka të jashtëzakonshme, gaz e hare, lot gëzimi e emocionesh të atilla që hëpërhë bënin të mos dukeshin në faqe të dheut cenet e shëmtitë e njeriut”. Revolucioni turk nuk ishte dëshmia e vetme e faktit se një pjesë e mirë e Evropës përpara vitit 1914 po jetonte në parajsën e të çmendurve. Regjimi i dytë kushtetues osman zgjati pak më shumë se i pari, por edhe ai përfundoi në dështim, hidhërim dhe zhgënjim.

Në veprën e tij “Historia e Revolucionit Turk” historiani i njohur turk Yusuf Hikmet Bayur ka nënvizuar se “të pakta janë lëvizjet në botë, të afta të ngjallin aq shumë shpresa të mëdha siç ngjalli Revolucioni Kushtetues Osman; gjithashtu, ka shumë pak lëvizje, shpresat e të cilave janë zhgënjyer aq shpejt dhe përfundimisht” .

Edhe historiani britanik Noel Malcolm në veprën e tij “Kosova – një histori e shkurtër” ka theksuar se “Entuziazmi i shqiptarëve për regjimin e ri ishte jetëshkurtër. Gjatë afro 6 muajve ishte një lloj periudhe që mund ta quajmë të muajit të mjaltit, së paku ndërmjet xhonturqve dhe qarqeve me radikale dhe intelektuale shqiptare që vepronin, para se gjithash, në Stamboll, në Selanik dhe në rajonet shqiptare jashtë Kosovës”.

Që nga fillimi i kësaj faze të re, ishte e qartë se rekrutimi ushtarak, jo vetëm qe nuk abrogohej, por do të zbatohej me një përpikëri edhe me të madhe. Edith Durham, e cila udhëtoi nëpër Kosovë menjëherë pas shpalljes se kushtetutës, konstatoi se kjo ishte brengosja me e madhe. “Që në shtator, unë gjeta një mosbesim të madh ndaj turqve të rinj në terë Vilajetin e Kosovës. Myslimanet, të cilët ishin mbledhur ne Ferizaj dhe kishin kërkuar Kushtetutën, e kuptonin se ishin mashtruar”.

Komiteti “Bashkim dhe Përparim” (İttihat ve Terakki Cemiyeti) i vuri vetes për detyrë barazinë për të gjithë osmanët qe kishin po ato pikëpamje si komiteti, por jo ndryshe. Të gjithë shtetasit e Perandorisë ishin osmanllinj. Besnikëria ndaj Perandorisë nuk ishte më e mjaftueshme dhe ata që pretendonin se dalloheshin si racë do të “osmanizoheshin” me forcë.

Programin e xhemijetit “Bashkim e Përparim”, të miratuar në vjeshtën e vitit 1908, e përshkonte fryma e osmanizmit. Krerët xhonturq nuk i fshihnin synimet e tyre për të asimiluar dhe turqizuar kombet e ndryshëm të Perandorisë Osmane. Në një letër që i dërgonte Ibrahim Temos më 28 shtator të vitit 1908, një nga personalitetet kryesore të “Bashkim e Përparimit” theksonte se “qëllimi kryesor (i Xhemijetit) ishte osmanizimi i elementëve (kombeve) të Perandorisë. Të jeni të sigurt, i thoshte ai Doktorit, se arabët, shqiptarët, boshnjakët dhe armenët do të bëhen turq”. Temoja, ashtu si edhe atdhetarët e tjerë shqiptarë, nuk u pajtuan me këtë politikë mesjetare e asimiluese të xhonturqve. Megjithatë, rrjedhojat e saj filluan të ndihen në Shqipëri menjëherë pas Revolucionit të korrikut.

Njëri nga udhëheqësit e revolucionit xhonturk, Enver Pasha, qe njihet edhe si “heroi i lirisë” u shprehë në këtë mënyrë: “Nuk ka më asnjë dallim midis bullgarëve, grekëve, rumunëve, hebrenjve, shqiptarëve ose muslimanëve. Ne jemi vëllezër nën të njëjtin qiell blu. Të gjithë krenohemi se jemi osmanë dhe të barabartë”. Ndërsa patrioti dhe revolucionari shqiptar Dervish Hima, që nuk mund te pajtohej me idenë reaksionare të “osmanizimit”, me 25 gusht 1908 theksonte se “shqiptarët janë vetëm shqiptarë dhe nuk do të jenë të kënaqur veçse kur të jenë të lirë, në Shqipërinë e lirë”.

Xhonturqit e kuptonin së shqiptarët ishin njësia kryesore kombëtare brenda Perandorisë dhe më e rrezikshmja për politikën e tyre. Në të njëjtën kohë ata kujtonin se me shtrëngimin dhe masat drastike që asnjë qeveri osmane nuk kishte qenë aq e marrë t’i zbatonte deri atëherë, ata mund ta fshinin nga faqja e dheut një kombësi që kishte mbijetuar gjatë shekujve të sundimit osman. Por, politika e tyre e gabuar prodhoi një efekt krejt të kundërt.

Revolucioni xhonturk i gënjeu edhe ato pak shpresa që ushqeheshin në disa rrethe për një proces paqësor emancipimi brenda kuadrit të Perandorisë. Duke zgjedhur rrugën e centralizimit të rreptë dhe të “osmanizimit” të kombësive nën Turqinë, revolucioni xhonturk e zbuloi shpejt natyrën e tij të vërtetë dhe kështu e shpejtoi, në vend që ta ndalte, shthurjen e Perandorisë. Pas rrëzimit nga froni të Sulltan Abdylhamitit II, osmanizimi i imponuar nisi kudo dhe më në fund shqiptarët u bindën se regjimi i Turqve të Rinj i kërcënonte aspiratat e tyre kombëtare.

Shkollat shqipe kudo në vend, duke përfshirë Shkollën Normale në Elbasan, u mbyllën. Gazetat shqiptare u ndaluan dhe botuesit në shumë raste u burgosen pa gjyq. Qindra nacionalistë të shquar ose u arrestuan ose u detyruan të kërkonin strehë jashtë vendit. Edhe shtypja e fjalëve “Shqipëri” dhe Shqiptarë” ishte e ndaluar. Nuk kishte me shqiptarë – të gjithë ishin osmanllinj.

Xhonturqit i kishin shkelur premtimet e veta. Shqipëria ishte trajtuar si një vend i mundur: doket dhe traditat qenë shpërfillur si kurrë me parë. Përderisa autonomia nuk mund të arrihej me mjete kushtetuese, ajo duhej të fitohej me forcën e armeve.

Ismail Qemali priti sa u bind se programi xhonturk ishte larg planit të tij për transformimin e Perandorisë në një lloj bashkësie të kombeve. Ai nuk ushqeu më iluzione dhe mori një pozicion të prerë kundër xhonturqve.

Mendimet e tij mbi situatën dhe aksionin e ardhshëm I. Qemali i shprehu në një intervistë të gjatë që i dha gazetës së Romës “Giornale d’Italia” në fund të gushtit 1909. Komiteti “Bashkim e Përparim” është një pushtet i fshehtë dhe i papërgjegjshëm. Ai është bërë shtet brenda shtetit. Ai i shkel liritë esenciale, e mban në kryeqytet shtetrrethimin, ngre gjyqe ushtarake, i mbyll gojën shtypit.

Gazeta “Kombi” u ngrit kundër bashkëpunimit të shqiptarëve me xhonturqit, duke vënë në pah kundërshtitë e papajtueshme ndërmjet ideologjisë dhe qëllimeve të dy lëvizjeve. “Xhonturqit vazhdimisht kanë luftuar kundër çështjes kombëtare shqiptare, prandaj, është detyrë e çdo shqiptari të luftojë për vetëqeverisje, për Kushtetutë kombëtare dhe për shtet shqiptar ”, do të konstatonte dhe do të klithte “Kombi”. “Atë që duhej ta bënin shqiptarët si punë të parë karshi xhonturqve, ishte që të kërkonin zyrtarisht pranimin e kombit shqiptar dhe përkufizimin e krahinave shqiptare me vënien e kufijve shqiptar”, – rekomandon “Kombi”.

Intelektualë të tjerë (për shembull Faik Konica) në revistën “Shpnesa e Shqypnisë” , me letrën drejtuar Nikollë Ivanajt, në pyetjen e shtruar “Çfarë mendon për konstituivin e xhonturqve?”, përgjigjet se atij i duket “se ajo është një nga shakatë më të mëdha historike”, duke porositur se patriotët shqiptarë duhet të mos tërhiqen as edhe një pëllëmbë nga lufta kundër Perandorisë Osmane. Jo vetëm Faik Konica, por edhe intelektualë të tjerë shqiptarë, e tërhoqën vërejtjen se ajo Kushtetutë (1876), së cilës xhonturqit në mënyrë të dhunshme i dhanë oksigjen, në fakt nuk e njihte asnjë popull tjetër, veçse popullit të shpikur politik, atij osman, dhe nuk njihte asnjë gjuhë tjetër, përveç gjuhës osmane. Neni tetë i kësaj kushtetute në mënyrë kategorike nuk lejonte zyrtarizmin e ndonjë etniteti tjetër kombëtar dhe të një gjuhe tjetër, veç etnitetit osman dhe gjuhës osmane.

Kartolinë në Shkoder,1908

Burimi: “Atatürk Kitaplığı”, Stamboll.

Çetat e përziera në Shkup, 1908.

Burimi: “Atatürk Kitaplığı”, Stamboll.

 

* Për shkak të natyrës së revistës, të gjitha referencat janë hequr.