` . Një vepër themelore për studimin e historisë osmane te shqiptarët - TV SHENJA

Një vepër themelore për studimin e historisë osmane te shqiptarët

Mbi librin “Ndarja Administrative e Vilajeteve Shqiptare (emrat e vendeve dhe statusi i tyre)” të autorit Tahir Sezen, i përkthyer dhe përgatitur nga Dr. Hatixhe Ahmedi, ASHAK, Prishtinë, 2021

 Shkruan: Murtezan IDRIZI, Shkup

 Para se të flasim për veprën në gjuhën shqipe, do të doja në fillim të them disa fjalë për veprën origjinale, nga e cila është hartuar vepra për të cilën po flasim. Bëhet fjalë, pra, për librin në gjuhën turke “Osmanlı yer adları” (Emrat e vendeve gjatë Perandorisë Osmane) nga autori Tahir Sezen, e cila në të vërtetë është një fjalor ose, më mirë thënë, një enciklopedi për emrat e vendeve në Perandorinë Osmane. Autori i ka radhitur aty emrat e vendeve sipas renditjes së alfabetit arab, pra sipas elifbasë, ndërsa në fund të hulumtimit ka përgatitur edhe një indeks me emrat e të gjitha vendeve.

Në këtë vepër janë përfshirë vendet me rëndësi strategjike, por edhe me peshë historike të një perandorie disashekullore, siç ishte ajo osmane. Autori turk ka punuar një kohë të gjatë në Arkivin e Kryeministrisë së Republikës së Turqisë (Bashbakanëllëk Arshivi) dhe gjatë kësaj kohe ka vërejtur se emrat e vendeve në Perandorinë Osmane sot kanë ndryshuar thuajse në tërësi. Kjo është arsyeja që ai ka hartuar një fjalor kolosal, duke përfshirë në të të gjithë emrat e vendeve që janë përdorur në atë kohë. Për të qenë korrektë, duhet të themi se për të shkruar një vepër kapitale si kjo enciklopedi, nevojitet kohë dhe mund i veçantë, por edhe një përkushtim vetëmohues.

Punën për këtë vepër autori i saj e ka filluar shumë herët. Kështu, botimi i parë ka dalë qysh në vitin 2006 nga institucioni ku ai vetë punon – Arkivi Shtetëror pranë Kryeministrisë së Republikës së Turqisë. Për dallim nga botimi i parë, gjatë ribotimit të dytë janë evituar lëshimet e mëparshme, madje hartuesit e botimit të dytë si burime për periudhën e mëhershme i kanë marrë “Tahrir-defterët”, kurse për periudhën e mëvonshme i kanë përdorur sallnamet shtetërore dhe sallnamet e vilajeteve përkatëse. Po ashtu në këtë fushë kanë shërbyer edhe vjetarët krahinorë, të cilët i kanë përgatitur valinjtë.

Në këtë vepër është marrë për bazë ndarja administrative e njësive më të larta, pra e njësive që janë më të mëdha se nahitë, si: kazatë, sanxhaqet dhe vilajetet, që në fillim ishin ejalete. Janë përmendur, po ashtu, edhe nahijet që kanë pasur peshë historike dhe pozitë strategjike. Siç dihet, rregullimi administrativ fillonte nga ejaleti, që më vonë do të quhet vilajet (në krye të tij qëndronte bejlerbeu), ndërsa më e vogël se kjo njësi ishte sanxhaku (në krye të tij qëndronte sanxhakbeu), që ndryshe quhej Liva, pastaj më e vogël se kjo njësi ishte kazaja (në krye të saj qëndronte kadibeu), kurse më e vogël se kjo njësi administrative ishte nahija dhe pastaj vinin fshatrat e vegjël. Ribotimi i kësaj vepre doli nga shtypi në vitin 2017, përsëri nga Arkivi Shtetëror pranë Kryeministrisë së Republikës së Turqisë.

 Ndarja Administrative e Vilajeteve Shqiptare

E tash po i kthehemi veprës “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare”, që sot e kemi edhe në gjuhën shqipe. Angazhimi i parë në këtë drejtim është bërë nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, që më parë quhej Arkivi i Kosovës. Siç e dimë, ky institucion është përgjegjës për organizimin, zhvillimin dhe bashkëpunimin me të gjitha arkivat në nivel të vendit. Edhe ky libër doli nga shtypi falë kontributit të ASHAK-ut, që e siguroi të drejtën e botimit nga botuesi, pra nga Arkivi Shtetëror pranë Kryeministrisë së Republikës së Turqisë. Është për t’u veçuar se ky libër botohet me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, ndërsa vjen i përkthyer nga punonjësja e këtij arkivi, znj. Hatixhe Ahmedi, e cila përveç punës përkthimore, duke i zgjedhur toponimet e vilajeteve shqiptare, e ka përgatitur edhe shtojcën e kësaj vepre. Madje, gjatë përgatitjes së shtojcës ajo ka përdorur literaturë shtesë për t’i verifikuar të dhënat për emrat e vendeve në katër vilajetet shqiptare.

Vështruar kështu, do të më lejoni të them se ky libër është, si të thuash, fragment i një pjese të enciklopedisë kapitale të emrave të vendeve në Perandorinë Osmane, ndërsa ia vlen të theksohet veçmas se përzgjedhja e këtyre emërvendeve është bërë vetëm për katër vilajetet shqiptare. Kështu ky libër, ndonëse i mbështetur në librin e sipërpërmendur enciklopedik turk, tashmë është një vepër historike ose, më saktë, enciklopedi e toponimisë osmane në vilajetet shqiptare.

Prandaj jam i mendimit se botimi i këtij libri është i një rëndësie të veçantë për ata që dëshirojnë të hulumtojnë një vend ose të shkruajnë një monografie historike. Kjo vepër ka rëndësi të madhe edhe për faktin se shumë emra të vendeve janë ndryshuar në periudha të ndryshme historike dhe në rrethana të ndryshme kohore. Sidomos në vendet tona emrat e vendeve janë tjetërsuar dhe devijuar vazhdimisht për arsye të ndryshme, qofshin ato politike a të tjera, por tashmë një pjesë e emrave figuron vetëm nëpër harta. Etimologjia e emrave të vendeve është e rëndësishme për më shumë disiplina shkencore, por veçmas për degën e etimologjisë, historisë dhe gjeografisë ajo është një ABC e punës. Në të vërtetë, njohja e etimologjisë së një vendi e lehtëson rrjedhojën e hulumtimit shkencor dhe problematikat që hasen aty.

Hartuesja ose, ndryshe, përkthyesja, duke e njohur vlerën e veprës origjinale, ia del me sukses të bëjë shkëputje të emrave në hapësirat shqiptare ose, më saktë, të katër vilajeteve shqiptare. Kjo është arsyeja që kjo vepër kolosale paraqet një lehtësim të madh për të gjithë studiuesit shqiptarë, që merren me të kaluarën e në veçanti për ata që merren me periudhën osmane. Kjo vepër, veç tjerash, na e mëson edhe vijën e kufijve të katër vilajeteve shqiptare dhe të kufijve që sot i gëzojnë shqiptarët. Ndërkaq, përveç ndarjes në katër vilajete shqiptare, përkthyesja – përmes punës së saj autoriale – dëshmon se vendbanime shqiptare kishte edhe në Vilajetin e Selanikut.

Autorja ose përkthyesja – sido që ta quajmë, në bazë të hartës së këtyre katër vilajeteve shqiptare, ka bërë edhe përcaktimin e emërvendeve se në cilën njësi administrative graviton ai vend. Po ashtu ka dhënë njohuri se në cilën njësi kishte qenë më parë ai vendbanim dhe, me ndryshimin e kufijve, në cilën njësi administrative ka kaluar.

Përgatitësja e kësaj vepre në disa vende jep shënime plotësuese, sidomos për vendet që sot janë jashtë administrimit shqiptar, pra që nuk banohen nga shqiptarët. Për këtë kontribut shtesë autorja ka përdorur burime shtesë, duke shpjeguar në poshtëshënime. Ashtu siç e vërejmë në këtë hulumtim, përpiluesja i përmend disa vende në kufi për të cilat nuk mund të jemi të sigurt se në cilin vilajete bien (greke apo bullgare), aq më shumë që kufijtë ndryshonin vazhdimisht. Autorja jep të dhëna të sakta edhe për vendet që banoheshin nga shqiptarët dhe që administroheshin nga personalitetet shqiptare.

Se sa e rëndësishme është kjo vepër në gjuhën tonë, për këtë duhet të shikohet e kaluara pesëshekullore e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane. Vetëm ashtu kuptohet se kjo vepër do të jetë shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht burimi themelor për studimet e ardhshme. Duke pasur parasysh se në historiografinë shqiptare shumë pak është punuar në ketë drejtim, për të mos të thënë fare, mendoj se kjo vepër do të hapë shtigje të reja për hulumtime shkencore.

Hulumtuesja Hatixhe Ahmedi, përveç që është përkthyese e veprës, ajo njëkohësisht është edhe përgatitëse e përzgjedhjes së emrave të vendeve që kanë të bëjnë me katër vilajetet shqiptare. Përkundër suksesit të madh të punës së saj, mendoj se përzgjedhja që ka bërë është pak e kufizuar, sepse emrat e vendbanimeve të vogla, ato me ma pak interes, nuk janë përfshirë në këtë punim. Por, në anën tjetër, nuk është i vogël numri i emrave të vendeve që ne nuk i kemi dëgjuar më parë. Prandaj, vlerësoj se pjesa e përkthyer nga gjuha turke në gjuhën shqipe është plotësisht e saktë.

Kundruar kështu, nuk do ta teproj po qe se them se vlera e librit është e madhe edhe ngase shumë emra do të mbeteshin enigmë po mos të ishte kjo vepër. Në të vërtetë, këtu do të mësojmë për shumë emra vendesh se si janë quajtur më parë dhe se disa prej tyre kanë nga dy ose tre emra. Meqë emrat e këtyre vendeve sot nuk përdoren, sepse janë zëvendësuar me emra të tjerë, shfletimi i këtij fjalori do të na e mësojë një emër vendi që për neve ka qenë i panjohur. Për ta kuptuar më mirë, po sjellim disa shembuj: Akçahisar – Kruja, Kalkandelen – Tetova, Nevrekop – Goce Dellçev, İşkodra – Shkodra (Skutari – Iskenderije). Kështu mund të radhiten edhe shumë emra të tjerë vendesh. Kjo është arsyeja që na bën të konstatojmë se kjo vepër është një mundësi e rëndësishme për hulumtuesit e ardhshëm në fushën e historisë, të gjeografisë dhe të gjuhës. Për ata që dëshirojnë të bëjnë një monografi historike për një vend, burimi kryesor për ta filluar hulumtimin do të ishte pikërisht kjo vepër.

Meqë Hatixhe Ahmeti nuk është vetëm një përkthyese, por më shumë një hulumtuese e kësaj fushe, ajo duhet përgëzuar për një punë unike dhe origjinale. Ajo e ka bërë radhitjen e emërvendeve sipas alfabetit të gjuhës shqipe (Abecesë), ndërsa në fund të studimit e ka përgatitur edhe indeksin e emrave të vendeve, po ashtu sipas Abecesë, si edhe burimet dhe literaturën shtesë.

Tashmë kur e kemi model pune, mund të themi se në këtë drejtim në të ardhmen mund të bëhet edhe përkthimi i tërësishëm i veprës “Emrat e vendeve në Perandorinë Osmane”, që do të shërbejë si udhëzues për klasifikimin e dokumenteve osmane për çdo vendbanim shqiptar që ka peshë historike dhe kombëtare.

Për fund do të shtoja se, pa pretenduar saktësi absolute, mbase do të ishte më mirë që kjo vepër të titullohej “Emrat e vendeve në katër vilajetet shqiptare”, një emër ky që është më afër me emrin e veprës origjinale në gjuhën turke, por nuk do të ishte gabim sikur të titullohej edhe si “Fjalor i toponimisë  osmane në katër vilajetet shqiptare”. Sigurisht, edhe titulli aktual është mjaft i qëlluar dhe i saktë.

Po e përfundojmë këtë recension duke e përgëzuar Dr. Hatixhe Ahmetin për punën e saj të madhe dhe për ndihmesën e madhe që ka bërë ajo për njohjen e të kaluarës sonë në kushte të sundimit osman.