` . Një vepër me interes shkencor për njohjen e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni - TV SHENJA

Një vepër me interes shkencor për njohjen e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni

(“Problemi shqiptar në RP(S) të Maqedonisë – 1944-1974 (Përmbledhje dokumentesh), vëll. I-VI, përgatitur nga Dr. Qerim Lita”, Sh. B. “LOGOS-A”, Shkup, 2018, f. 3000)

 Shkruan: Sadik MEHMETI, Prishtinë

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sikurse dihet, shqiptarët – të cilët nuk u lanë të ishin pjesë e shtetit amë, Shqipërisë – padrejtësisht, pa pëlqimin dhe pa pajtimin e tyre u gjenden në kuadër të krijesës artificiale, të ashtuquajtur Federata Jugosllave. Edhe brenda kësaj federate, shqiptarët, përveç se i ndanë në disa njësi federative, ata, për më keq, nuk konsideroheshin të barabartë me popujt e tjerë brenda kësaj federate, por mbetën të nëpërkëmbur, të diskriminuar e të shtypur; konsideroheshin qytetarë të rendi të dytë. Kështu, shqiptarëve iu deshtë të bënin – dhe vazhdojnë të bëjnë akoma dhe sot e kësaj dite – shumë investime, përpjekje, mund e sakrifica për të fituar të drejtat e tyre elementare të mohuara; u desh të kalonin vite e dekada, që shqiptarët t’i arrinin ato që të tjerët nuk ua njohën dhe ua morën dhunshëm.

Njohja e vërtetë e këtij rrugëtimi kaq të gjatë dhe kaq të vështirë, pra edhe e shqiptarëve në Maqedoni, pas vitit 1944 e këndej, nuk mund të bëhet ndryshe, përveçse me njohjen, grumbullimin, hulumtimin, analizimin dhe finalizimin me botim, të dokumenteve dhe dëshmive që i përshkruajnë ngjarjet, ndodhitë, proceset, kontributet dhe bëmat e personaliteteve në ato vite dhe në atë të kaluar. Sepse, historia duhet të shkruhet ashtu siç vërtetë ka qenë ajo, në mënyrë objektive, reale dhe vetëm përmes gjuhës së fakteve dhe argumenteve të shkruara.

Prandaj, vepra “Problemi shqiptar në RP(S) të Maqedonisë – 1944-1974, (Përmbledhje dokumentesh), vëll. I-VI, përgatitur nga Dr. Qerim Lita”, në fakt, është një kontribut me vlerë për të zbardhur periudhën prej tri dekadash të kombit shqiptar në ish-Republikën Popullore (Socialiste) të Maqedonisë, përkatësisht midis harkut kohor 2 gusht 1944 – 25 shkurt 1974.

Kjo përmbledhje dokumentesh të hulumtuara, të përthithura, të përzgjedhur e të sistemuara nga fonde e koleksione arkivore në shumë arkiva të vendit dhe të rajonit, si nga arkivat e Maqedonisë, Kosovës, Sllovenisë, Bullgarisë etj., dhe të proveniencave të ndryshme gjuhësore, e përgatitur me kompetencë dhe me akribi shkencore nga studiuesi, historiani, hulumtuesi dhe punonjësi shumëvjeçar në arkivat e Maqedonisë, Dr. Qerim Lita, përveçse paraqet, deri diku, një shlyerje individuale të borxhit, për të njohur, zbardhur e ndriçuar të kaluarën tonë kombëtare, ajo përbën edhe një kontribut me vlerë në vazhdën e atyre botimeve të veçanta dhe me peshë shkencore për të njohur pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe jo vetëm dhe e plotëson zbrazëtirën dhe boshllëkun e krijuar në botimin e dokumenteve për njërën ndër periudhat më të rëndësishme të historisë sonë më të re, përkatësisht periudhën në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1944) e deri në periudhën e avancimit të statusit politik e nacional të shqiptarëve në RS të Maqedonisë (1974). Themi kështu, sepse kemi parasysh përmbajtjen e këtyre dokumenteve për ngjarjet, proceset dhe për luftën politike dhe intelektuale në përgjithësi të shqiptarëve për përmirësimin e pozitës së tyre të palakmueshme nacionale, arsimore, kulturore dhe ekonomike në kuadër të Republikës së Maqedonisë dhe, përtej saj, në kuadër të ish-Federatës Jugosllave në periudhën e marrë në shqyrtim.

Dhe, themi kështu përsëri, sepse duke i lexuar vendimet, informatat, procesverbalet, konkluzionet, qarkoret, raportet, proceset e shumta gjyqësore kundër inteligjencies shqiptare, me një fjalë duke i lexuar këto dokumente të botuara në këto gjashtë vëllime, bindemi se sa i nevojshëm dhe i rëndësishëm është botimi i burimeve të dorës së parë për ta njohur të kaluarën.

Këtë shumësi dokumentesh, Dr. Qerim Lita i ka përzgjedhur dhe i ka sistemuar me saktësi dhe korrektësi shkencore dhe në mënyrë kronologjike e tematike i ka konceptuar veç e veç në gjashtë vëllime.

Kështu në vëllimin e parë, në të cilin janë përfshirë 95 dokumente, hidhet dritë për pozitën tejet të pafavorshme dhe diskriminuese të shqiptarëve në Maqedoni midisi viteve 1944-1959 dhe për qëndresën e tyre antikomuniste. (Vëll. I, faqe 1-535).

vëllimin e dytë, në të cilin janë përfshirë 70 dokumente, bëhet fjalë për njërën ndër plagët më të këqija dhe më të gjata jo vetëm të shqiptarëve në Maqedoni, por të popullit shqiptarë në përgjithësi, për shpërnguljen. Më tutje, në këtë vëllim flitet edhe për strukturën etnike, për numrin e popullsisë, për vendosjen e emigracionit politik maqedonas në zonat me shumicë shqiptare etj. (Vëll. II, faqe 1-489).

vëllimin e tretë janë përfshirë 43 dokumente të periudhës midis viteve 1960-1968 dhe flasin në veçanti për përpjekjet e inteligjencies shqiptare në Maqedoni për ngritjen e statusit politik e nacional të shqiptarëve. (Vëll. III, faqe 1-497)

Vëllimi i katërt përfshin 63 dokumente, të cilat bëjnë fjalë për demonstratat e vitit 1968 në Kosovë dhe Tetovë, për jehonën e tyre në trevat tjera shqiptare në ish-Jugosllavi dhe për agresivitetin dhe brutalitetin e organeve partiake e shtetërore maqedonase ndaj organizatorëve, pjesëmarrësve në demonstrata dhe inteligjencies shqiptare kudo që ajo jetonte e vepronte. (Vëll. IV, faqe 1- 477).

vëllimin e pestë janë dhënë 80 dokumente, të cilat hedhin dritë mbi procesin e avancimit e statusit politik e nacional të shqiptarëve në RS të Maqedonisë dhe kapin periudhën kohore 1971-1974. (Vëll. IV, f. 1- 470)

vëllimin e gjashtë dhe të fundit janë përzgjedhur gjithsej 111 dokumente me shumë rëndësi, të cilat bëjnë fjalë për problemet në fushën e arsimit, kulturës dhe të religjionit, midis viteve 1945-1975. (Vëll. VI. Faqe 1-528).

Thënë shkurt, këto 463 dokumente, të përfshira në këto gjashtë vëllime, me gjithsej 3000 faqe, të shkruara në gjuhët e kohës, maqedonisht, serbokroatisht, bullgarisht e shqip dhe të hartuara nga institucione e kancelari vendimmarrëse, të mbushura me të dhëna interesante, me ngjarje, me data e me emra personalitetesh, që kanë hyrë në histori qoftë për të mirë, qoftë për të keq, dhe të përzgjedhura, të redaktuara, të përkthyera, të sistemuara e të plotësuara me parathënie dhe me hyrje nga studiuesi Dr. Qerim Lita, pa dyshim paraqesin vlera të mëdha shkencore-historike dhe janë me interes për t’u studiuar nga shumë aspekte dhe dimensione shkencore, si nga historianët, filologët, kulturologët, demografët, ekonomistët, sociologët, juristët, politikologët etj.

Por, në qoftë se në këtë shumësi vlerash të kësaj vepre dhe këtij botimi do të na kërkohej me ngulm që të gjenim ndonjë lëshim, atëherë do të përmendnim vetëm një, atë të mos pasqyrimit të ndonjë faksimile të dokumenteve të marra në shqyrtim. Por, edhe këtë do ta arsyetonim me faktin se kjo sigurisht që do të shtonte numrin e faqeve dhe mbase edhe një vëllim të tërë, pavarësisht se do të shuante kërkesat e atyre lexuesve dhe studiuesve që janë më shumë se kureshtarë.

Prandaj, në përmbyllje, nuk mund të mos i themi edhe dy gjëra dhe t’i shprehim dy konsiderata.

E para, e përgëzojmë studiuesin Dr. Qerim Lita për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në hulumtimin dhe botimin e dokumenteve, me se po i shërben shumë ngritjes së kapaciteteve dhe rezultateve tona studimore dhe, në këtë drejtim, është shembull për t’u marrë model nga studiuesit e rinj.

Dhe e dyta, një mirënjohje edhe për botuesin “LOGOS-A” në Shkup për botimin dinjitoz të kësaj përmbledhjeje dokumentesh në gjashtë vëllime dhe për pasurimin e bibliotekës sonë me një vepër me vlerë nga fusha e historiografisë.