` . Një vepër madhore për historinë dhe historiografinë shqiptare - TV SHENJA

Një vepër madhore për historinë dhe historiografinë shqiptare

Fatmira Musaj, “Republika Shqiptare 1925-1928”, Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë, 2018.

Shkruan: Alban DOBRUNA, Gjakovë

Historiania shqiptare Fatmira Musaj është e njohur për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë për historinë shqiptare e të viseve të tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme. Fatmira Musaj është autore e shumë artikujve me karakter shkencor, pjesëmarrëse dhe kontribuuese në veprimtari të shumta shkencore dhe shoqërore-kulturore, në tubime, tryeza, simpoziume dhe konferenca në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Ndër studimet më të njohura të saj janë ato që i kushtohen një personaliteti të shquar siç është Isë Boletini, të kurorëzuara me veprën shkencore “Isa Boletini”, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Historisë, ky studim sot e kësaj dite mbetet pikë reference për të gjithë studiuesit të cilët merren me këtë personalitet dhe kohën e tij. Një studim tjetër me rëndësi të jashtëzakonshme ka të bëjë me gruan shqiptare në kohën e transformimeve të mëdha shoqërore e politike gjatë periudhës së formimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar “Gruaja në Shqipëri (1912-1939”, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Historisë.

Ndërkaq, monografia që tani i ofrohet botës shkencore dhe jo vetëm asaj, me titull “Republika Shqiptare 1925-1928”, botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë, 2018, paraqet kulmin e angazhimit profesional të historianes Fatmira Musaj. Ta themi që në fillim që kjo monografi me diapazonin tematik dhe nivelin shkencor të trajtimit paraqet një vepër që i bënë nder historiografisë shqiptare dhe e avancon atë.

Kjo vepër shkencore përmban 7 kapituj të cilët i mbulojnë të gjithë lëmenjtë e zhvillimeve qenësore të një shteti në konsolidim e sipër e që në zhargonin historik e njohim si periudha e “regjimit të Ahmet Zogut”. Por, siç del nga ky studim, kemi të bëjmë me periudhën e ndërtimit të bazës së një shteti modern shqiptar. Ose, siç e thotë edhe vetë autorja, “kjo është një etapë e veçantë e periudhës së historisë së Pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar (1912-1939)”.

Studiuesja Fatmira Musaj, në kapitullin e parë me titull “Rënia e qeverisë së Iljaz Vrionit dhe përpjekjet për t’u rikthyer në pushtet (qershor-dhjetor 1924)”, trajton ashpërsimin e krizës politike dhe largimin e qeverisë jashtë vendit, kalimin e Zogut në Jugosllavi dhe organizimin e emigracionit politik për t’u rikthyer në pushtet, largimin e qeverisë së Nolit dhe kthimin e Ahmet Zogut në Tiranë, si dhe mesazhet e shoqërisë “Vatra” për bashkëpunim dhe stabilitet politik në Shqipëri.

Në kapitullin e dytë autorja e vë theksin mbi “Ahmet Zogun në krye të Republikës Shqiptare”, ku vihet në pah ringritja e institucioneve të shtetit të tronditur shqiptar dhe forcimi i karakterit kushtetues-juridik i Republikës Shqiptare, rritjet dhe dobësitë. Në këtë kapitull autorja me mjeshtri i trajton zgjedhjet parlamentare dhe ato për pushtetin vendor, masat për shtrirjen e autoritetit të shtetit në vend dhe sigurimin e regjimit. Në këtë kapitull, të mbushur me fakte interesante, përshkruhet aksioni për mbledhjen e armëve, vendosja e censurës ndaj shtypit dhe ndalimit të aktivitetit të shoqërive politike e kulturore, kuvendi me bajraktarët, amnistitë, synimet dhe rezultatet. Nuk ka mbetur pa u përfshirë në libër edhe themelimi i Bankës Kombëtare Shqiptare dhe sigurimi i huas, si dhe përjashtimi i Myfit Libohovës nga jeta politike e administrative e vendit.

Në kapitullin e tretë kemi të bëjmë me zhvillimet në lëmin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar, ku si kryesore imponohet tematika e marrëdhënieve me Italinë. Brenda këtij kapitulli trajtohen ngjarjet me rëndësi, si: animi i Ahmet Zogut drejt Italisë, kryengritja e Dukagjinit si shtysë për nënshkrimin e Paktit të Parë të Tiranës, jehona e këtij paktit, lëvizja e Beogradit për rrëzimin e Ahmet Zogut (1927), Ceno Bej Kryeziu dhe eliminimi i tij, si dhe pakti ushtarak italo-shqiptar ose, siç njihet në zhargonin historiografik, Pakti i Dytë i Tiranës, nëntor 1927.

Kapitulli i katërt hedh dritë mbi aspekte të politikës së jashtme të shtetit shqiptar që kanë të bëjë me marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera, si me Jugosllavinë, Greqinë, Turqinë dhe Egjiptin. Këtu prijnë marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1925-1928, çështja e Shën Naumit dhe Vermoshit dhe impakti i kësaj çështjeje në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, marrëdhëniet me Greqinë, marrëdhëniet me Turqinë në vitet 1925-1928 dhe qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve të Egjiptit 1925-1928.

Në kapitullin e pestë shtjellohet hollësishëm “Administrata shtetërore dhe reformimi saj”. Kapitulli në fjalë trajton organet qendrore ekzekutive të shtetit dhe reformimin e tyre, ministrinë e punëve të brendshme dhe reformimin e saj, riorganizimin e forcave të armatosura në Shqipëri (1925-1928), riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare, riorganizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, reformën në sistemin financiar të shtetit, riorganizimin e Ministrisë së Punëve Botore dhe Bujqësisë, ristrukturimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe riorganizimin e gjykatave, dhomave të deputetëve e senatit, si dhe riorganizimin e pushtetit lokal.

Të dhëna me interes autorja sjellë në kapitullin e gjashtë, i cili mbulon “Aspekte të zhvillimit ekonomik”. Aty jepen të dhëna për trashëgiminë në fushën ekonomike, politikat ekonomike në vitet 1925-1928, aspektet e zhvillimit të bujqësisë, komunikacionit, gjendjes dhe zhvillimin e tij, si dhe zhvillimin i tij pas nënshkrimit të Paktit të Parë të Tiranës, por edhe shërbimin e postë-telegraf-telefonave (PTT) dhe tregtinë e jashtme.

Kapitulli i shtatë, “Arsimi, komunitetet fetare dhe shëndetësia (1925-1928)”, është kapitulli i fundit i librit që shtjellon gjendjen arsimore në Shqipëri në vitin 1925, komunitetet fetare, pavarësimin, konsolidimin dhe qëndrimin e shtetit shqiptar (1925-1928), përpjekjet për pavarësimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, normalizimin e marrëdhënieve me kishën katolike (lidhja e konkordatit me Vatikanin), si dhe shërbimin shëndetësor (trashëgimia në shërbimin shëndetësor). Po ashtu, libri e ka edhe pjesën përmbyllëse, si bibliografinë dhe treguesin e emrave.

Pra, siç shihet nga vetë përmbajtja e këtij studimi, kemi të bëjmë me një studim-sintezë shkencore për një ndër periudhat më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit modern shqiptar ose, ndryshe, të periudhës së Republikës Shqiptare 1925-1938.

Ndër të tjera, ajo që bie në sy dhe frymëzon, siç ndodhi dhe me mua gjatë analizës së këtij studimi, është sasia dhe cilësia e burimeve arkivore dhe të tjera. Ky fakt, pra hulumtimi fondamental shkencor, është determinues në cilësinë e këtij studimi dhe pasqyron një përkushtim e kulturë profesionale të rrallë dhe të parë në historiografinë tonë. Në fakt, ky aspekt i angazhimit e plotëson mozaikun e portretit të Fatmira Musajt si një studiuese rigoroze e objektive.

Vepra është përpiluar me kujdes të madh, duke e shtjelluar lëndën në mënyrë sistematike, si: shfrytëzimi, interpretimi dhe analiza e saktë e burimeve, por edhe duke u mbështetur në metodologji shkencore-bashkëkohore të përmbledhura në 773 faqe, që ndahen në shtatë kapituj, sipas një renditjeje kronologjike, me sqarime dhe plotësime përcjellëse e me dokumente, duke shfrytëzuar një gamë të gjerë të literaturës historiografike, bibliografi, indeks të emrave etj. Të gjitha këto e bëjnë studimin në fjalë sa të vlefshëm për shkencë, aq edhe praktik për lexim dhe shfrytëzim. Andaj ka një varg arsyesh të forta që këtë monografi e bëjnë joshëse jo vetëm për studiuesit e historisë dhe gjurmuesit, por edhe për ata që ushqejnë simpati dhe dashuri për studimin e së kaluarës.

Siç shihet, Prof. Fatmira Musaj arriti t’i ofrojë lexuesit një tërësi të historisë së pasur shqiptare, duke e shtruar atë mbi baza objektive, për shkak se tematika e zhvillimeve ekonomiko-shoqërore të Shqipërisë në vitet 1925-1928 ishte mjaft komplekse dhe e gjithanshme. Andaj, autorja ka bërë kujdes që të mënjanonte përsëritje a mendime kontradiktore. Studimi është një përpjekje ku, përveç politikës së jashtme të shtetit shqiptar, i është kushtuar vëmendje e plotë edhe zhvillimeve të brendshme, si ato politike, ekonomike, por edhe veprimtarisë së qeverisë dhe të Ahmet Zogut për të çuar përpara reformat e nisura në vitet 1920-1924 për konsolidimin e shtetit shqiptar, si dhe deosmanizimin e jetës shtetërore, për ta orientuar atë drejt zhvillimeve me prirje perëndimore. Andaj, historiania Fatmira Musaj i ka studiuar në detaje qëllimet e reformave që u ndërmorën në fushën legjislative, në ngritjen e administratës së shtetit, të asaj qendrore e lokale, në arsimin kombëtar, në institucionet fetare, forcat e armatosura, në shëndetësi etj.

Qasja e historianes Fatmira Musaj ndaj problemeve shkencore të shtruara në këtë studim monografik është origjinale. Ajo ka stil të bukur, plot gjallëri dhe përfundime të thukëta për zhvillimet e Shqipërisë në kohën e Republikës. Saktësisht, autorja në 481 fusnota dhe shënime nënteksti ka trajtuar, paralelisht me tekstin kryesor, edhe të dhënat parësore që ndjekin rrjedhën e ngjarjeve me qëllim njëjtësimin e tyre dhe të proceseve në formë unitare.

Nga studimi “Republika Shqiptare 1925-1928”, të autores Fatmira Musaj, fitohet një pasqyrë e qartë e zhvillimeve kryesore në Republikën Shqiptare (1925-1939), shprehur me një gjuhë profesionale dhe lehtësisht të kuptueshme nga lexuesi. Edhe kjo anë e këtij studimi flet për kulturën, pedanterinë gjuhësore dhe për një përkushtim e punë të madhe të autores së tij.

Ky studim, si një vepër madhore për një periudhë të rëndësishme, dinamike e fondamentale në funksionalizimin e shtetit modern shqiptar brenda viteve 1925-1928, me vlerat e tij shkencore, njëkohësisht paraqet kontribut të shquar në avancimin e historiografisë shqiptare.