` . Një vepër bazë për studimin e shkollave dhe arsimit - TV SHENJA

Një vepër bazë për studimin e shkollave dhe arsimit

Sadik Mehmeti,  “Shkollat dhe arsimi në Kosovë (1830 – 1912)”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2019; 422 f.

Shkruan: Valon SHKODRA, Prishtinë

 

Shkollat dhe arsimi, sikurse dihet, përbëjnë për çdo popull një ndër çështjet më parësore dhe më vitale të tij. Nga niveli i zhvillimit të tyre varet më pas edhe zhvillimi i ekonomisë, i shkencës, i teknikës, i kulturës dhe i qytetërimit në përgjithësi. Pa funksionimin e arsimit nuk do të mund të arrihej lidhja e brezave, e epokave dhe e shekujve. Popujt janë lartësuar dhe çmuar në bazë të sistemeve të tyre shkollore. Rilindësi ynë, Zef Jubani, konstatonte me të drejtë: “S’ka mjet më të mirë për të çmuar një popull sesa të shihet gjendja e shkollave të tij”.

Këtë synim, përveç të tjerash, e ka edhe monografia “Shkollat dhe arsimi në Kosovë (1830 – 1912)” e studiuesit dhe bashkëpunëtorit shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Dr. Sadik Mehmeti, e cila hedh dritë mbi zhvillimin dhe veprimtarinë e shkollave gjatë kësaj periudhe në kufijtë administrativë të Kosovës së sotme, ndonëse, për shkak të natyrës së tematikës, shpeshherë kufijtë kohorë dhe hapësinorë janë tejkaluar dhe kjo është e natyrshme.

Në të vërtetë, në studimin e tij monografik, autori, mbështetur kryesisht mbi bazën e dokumenteve arkivore të proveniencave të ndryshme, ka arritur të paraqesë në mënyrë të argumentuar dhe me plotë fakte e të dhëna tipologjinë, organizimin dhe veprimtarinë e shkollave në Kosovë në periudhën e sipërpërmendur.

Monografia, përveç parathënies dhe hyrjes, është e ndarë në katër kapituj me nënçështjet e tyre. Ajo ka edhe një Shtojcë të veçantë dhe të dhëna të tjera ndihmëse, të cilat e bëjnë këtë studim edhe më bindës dhe i japin karakter dhe më shkencor.

Në Kapitullin e parë (f. 23-74) autori i trajton rrethanat shoqërore-politike në Kosovë në periudhën midis viteve 1830-1912, më pastaj organizimin administrativ, strukturën e popullsisë, ngjarjet kryesore që e shënuan këtë periudhë në Kosovë, siç ishte Lidhja Shqiptare Prizrenit me programin e saj kulturor dhe pedagogjik, pastaj Lidhja e Pejës, Kuvendi i Ferizajt, Lëvizja e Xhonturqve, Kongresi i Manastirit, si dhe kryengritjet e ndryshme. Sikurse e thotë vetë autori, “nuk mund të kuptohen rrethanat arsimore në Kosovë, pa i njohur rrethanat shoqërore-politike në Kosovë, e pjesërisht edhe në gjithë Perandorinë Osmane dhe në vendet fqinje, sidomos të atyre që për arsye politike, kombëtare etj., ishin të interesuar dhe kishin pretendime territoriale për trevën e Kosovës”.

Së këndejmi, kur bën fjalë për shkollat, autori tregon se ato nuk i kanë takuar një sistemi, nuk kanë qenë të unifikuara, qoftë për nga karakteri, qoftë për nga nivelet, llojet dhe as nga prejardhja etnike e nxënësve që i kanë ndjekur ato. Paraqitja dhe vëmendja e autorit është bazuar në shkollat e shqiptarëve myslimanë dhe katolikë në Kosovë, të cilat kanë qenë të pranishme gjatë kohës, por edhe në shkollat serbe ortodokse, të cilat do t’i zëmë në gojë më vonë.

Në këtë monografi lexuesi njoftohet për investimet e huaja, të cilat janë bërë për shkollat në Kosovë, si: investimi i Perandorisë Osmane, i Austro-Hungarisë, i Serbisë dhe Bullgarisë, që me gjithë kontradiktat që i kishin, bashkoheshin kundër lëvizjes arsimore në gjuhën shqipe dhe për këtë, në këtë studim, gjejmë të dhëna të hollësishme për zhvillimet e ndodhura.

Në kapitullin e dytë e të tretë (f. 75-310), vëmendje më e madhe u është kushtuar shkollave myslimane në Kosovë, për të cilat kemi të dhëna mjaft të mira dhe me këtë prezantim autori na sjellë edhe fotografi të shumë objekteve të cilat kanë funksionuar si shkolla dhe objektet në fjalë disa nga ato i kanë rezistuar kohës, ndërsa një numër nga ato akoma ruhen në qytetet e Kosovës, si: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë etj., dhe tani janë në mbrojtje të institucioneve përkatëse të Republikën e Kosovës.

Në këtë kapitull në mënyrë të argumentuar janë paraqitur dhe janë shpjeguar nivelet e këtyre shkollave që kanë vepruar asokohe në Kosovë, e që sipas autorit ndahen në: shkolla fillore (ibtidâi mektebeleri),  shkolla të mesme të ulëta (ruzhdije/ rüşdiye), shkolla të mesme të larta (shkolla idâdije / idâdiye), shkolla të larta pedagogjike (dârulmuallimîn) dhe medrese.

Të gjitha këto shkolla, të cilat i zumë në gojë, autori tregon se ishin në mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit të Perandorisë Osmane dhe, përveç medreseve dhe shkollave fillore të parefromuara, kishin karakter laik, pra ishin shkolla publike laike.

Praninë e këtyre shkollave në Kosovë autori e ilustron edhe në mënyrë tabelore me numrin e nxënësve që i kanë ndjekur ato, natyrisht duke u bazuar në dokumente arkivore të kohës. Paraqitja tabelore na tregon për numrin e nxënësve të dy gjinive dhe për numrin e lëndëve, të cilat i kanë mësuar. Këtu flitet edhe për pedagogët, të cilët kanë qenë dhe kanë lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme në historinë shqiptare, siç ishin, bie fjala, Haxhi Ymer efendi Prizreni, Halim efendi Gjergjizi, Ali efendi Mici, Hasan efendi Shllaku, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina etj. Për hapjen e këtyre shkollave autori nuk lë pa përmendur edhe kontributin e familjeve fisnike shqiptare, të cilat kanë kontribuar në hapjen dhe zhvillimin e arsimit të gjithmbarshëm në Kosovë dhe jashtë saj, siç janë familja fisnike e Gjinollëve të Prishtinës, familja Rrotlla e Prizrenit, familja e Begollëve të Pejës, familja e Kurtpashajve-Kryezive të Gjakovës dhe e shumë  familjeve të tjera. Duke iu referuar kësaj monografie, mund të konstatojmë se investimi i shqiptarëve për arsim ishte i vazhdueshëm në periudha të ndryshme kohore.

Kur bën fjalë për shkollat myslimane në Kosovë, autori, pashmangshëm, na jep të dhëna të bollshme edhe për praninë e bibliotekave, qoftë pranë këtyre shkollave, qoftë jashtë tyre. Sipas këtyre të dhënave, me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe me njohjen e kulturës orientale nga shekulli XV e deri në ditët e sotme, bibliotekat në Kosovë kanë pasur një traditë dhe përmbajtjeje shumë të pasur. Bibliotekat e para në Kosovë gjatë Perandorisë Osmane ishin hapur në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë etj., ku në këto institucione të kohës, kanë dhënë kontribut studiues të njohur. Bibliotekat ishin të kategorizuara si: biblioteka publike (bibliotekat e vakëfeve), biblioteka gjysmëpublike (pranë pallateve) dhe biblioteka private (personale). Një pjesë e madhe e materialeve të këtyre bibliotekave u dogjën në luftën e fundit të vitit 1999 nga policia dhe ushtria serbe.

Në kapitullin e katërt (f. 311-362), studiuesi, Dr. Sadik Mehmeti, flet për shkollat katolike në Kosovë, ku janë paraqitur shkollat fetare private dhe mësuesit e tyre të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar kombëtar e fetar, si: Lazër Lumezi, Mati Logoreci, Ndue Bytyqi, Don Mikel Tarabulluzi, motrat Çoba – Mikelanxhela, Briski etj. Shkollat katolike më të njohura kanë qenë në Prizren, Gjakovë, Pejë, Stubëll.

Po ashtu është me rëndësi të përmendim tekstet në gjuhën shqipe që funksiononin dhe botoheshin nga Shoqëria e Stambollit dhe shoqëritë e mërgimit në Bukuresht e në Sofje. Tekstet, përmes klubeve dhe shoqatave që vepronin brenda në Kosovë, shpërndaheshin gjithandej nëpër shkolla.

Për t’i kuptuar më mirë shkollat fillore katolike autori bën ndarjen e tyre në dy periudha: e para, prej viti 1800 deri në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), dhe, periudha e dytë, e cila ka të bëjë me zhvillimin e shkollave fillore private katolike me një nivel të karakterit të shkollave laike, duke filluar nga viti 1878 deri në vitin 1912. Periudhën e parë e karakterizojnë disa specifika, si për nga numri i shkollave, ashtu edhe për nga pikëpamja e karakterit të tyre. Autori me të drejtë thekson se shqiptarët edhe para Lidhjes së Prizrenit kanë bërë përpjekje dhe kanë luftuar për gjuhën shqipe. Angazhimi i shqiptarëve për shkolla në gjuhën shqipe ishte edhe brenda vetë shkollave myslimane dhe katolike.

Në shtojcën e veçantë (f. 363-374) autori bënë fjalë për “ekspansionin arsimor serb në Kosovë në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX), ku tregohet se ky ekspansion ishte vazhdimësi e programeve antishqiptare të hartuara dhe të mbështetura nga Qeveria e Beogradit për përkrahjen e serbëve në Kosovë, qoftë përmes dërgimit të mësuesve, qoftë dhe subvencionimit të shkollave serbe etj., me qëllim të rizgjimit kombëtar serb. Këto qëllime, në arenën ndërkombëtare, e kishin edhe përkrahjen e Rusisë, e cila synonte shtrirjen dhe ndikimin  saj në territoret osmane, që ishin të populluara me popullsi shqiptare.

Kur jemi te shkollat serbe-ortodokse, të hapura pas vitit 1885, autori konstaton se asokohe ishin hapur një numër i konsiderueshëm i tyre, që kanë pasur një përkrahje të parezervë nga shteti i Serbisë dhe i Rusisë. Duke mos e harruar për të thënë se për hapjen e shkollave serbe në Kosovë u detyrua të jepte leje edhe qeveria osmane, e cila kësisoj ua mundësoi atyre që në kuadër të shkollimit të bënin propagandë kundër shqiptarëve, por edhe kundër vet Perandorisë Osmane. Serbia, duke i shfrytëzuar të mirat e  ndryshme nga fuqitë e mëdha, e më së shumti nga Rusia, arriti t’i realizonte qëllimet e saja për ta mbajtur Kosovën nën okupim edhe pas largimit të Perandorisë Osmane.

Në përmbyllje të këtij vështrimi themi se vepra studimore e autorit Dr. Sadik Mehmeti hedh dritë dhe ofron të dhëna të pathëna, të panjohura e të pashkruara deri më tani për zhvillimin organizimin dhe veprimtarinë e shkollave  që kanë funksionuar në Kosovë gjatë viteve 1830-1912 dhe, si e tillë, është një bazë e mirë dhe një gur themeltar për studiuesit e shkollave dhe arsimit në vendin tonë dhe për lexuesit e kësaj literature.