Një tërmet 5,1 ballë godet Indonezinë

Një tërmet 5,1 ballë ka goditur shtetin Açeh të ishullit Sumatra në Indonezi, transmeton AA.

Agjencia për meteorologji, klimatologji dhe gjeofizikë e Indonezisë njoftoi se, epiqendra e tërmetit është 93 kilometra në jugperëndim të Banda Açeh, në thellësi prej 14 kilometra.

Ende nuk ka informacione për të vdekur ose të plagosur, ndërsa nuk është dhënë alarm për cunami.

Kujtojmë se nga tërmeti 7,5 ballë dhe cunami më pas në ishullin Sulawesi të Indonezisë, i cili ndodhi më 28 shtator, humbën jetën mbi 2.000 persona, ndërsa rreth 1.500 konsiderohen të humbur.

Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta. Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm prej 9,1 ballë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit humbën jetën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.