` . Një reflektim mbi faktorin shkencë - TV SHENJA

Një reflektim mbi faktorin shkencë

Thelbi i konceptit shkencor, bazohet në premisën se origjina e njeriut dhe e universit ka për bazë faktorin ‘rastësi’, por një hyrje më e thellë në fushën shkencore, ekspozon, diçka tjetër – shumë konfuzione, boshllëqe, paradokse dhe hipoteza të mundshme. Pyetja e parë që nxit kureshtjen në këtë drejtim është: A ka Darvini prova të ofrojë për pretendimet e tij apo ai bazohet në hipoteza të mundshme?

Shkruan: Arben J. SALIHU, Prishtinë     

Ne, si qenie njerëzore, duket se shpesh jemi “të destinuar”, me, ose, pa
vetëdije, të besojmë në risitë dhe zhvillimet akademike, që si bazë kanë shkencën.
Sot është vështirë të mohohet interesimi eksponencial
në zhvillimet shkencore. Shkenca, si e tillë, duket se e ka prekur gati çdo
sferë të jetës. Nuk është e pazakontë të dëgjojmë se “shkenca e ka zbuluar këtë…”
ose se “shkencëtarët kanë ardhur në përfundim se…”. Si rrjedhojë e bisedave të
tilla, ne, njerëzit e rëndomtë, shpesh ekspozojmë tendencë fascinimi me të ashtuquajturat
“zbulime”. Është interesant në këtë kontekst fakti se ne shumë rrallë dëgjojmë
reagime kureshtare, me përmbajtje racionale dhe konstruktive që lidhen me
zbulime të tilla.

Siç duket, shumë prej nesh, me ose pa dashje,e injorojmë përmbajtjen
thelbësore të risive shkencore. Ndoshta, për shkak të jokompetencës sonë në
fushën e shkencore ose ndoshta edhe ndjehemi “komod” me një lloj fobie të “vet-instaluar”
në sub-konshiencën tonë, se reagimi ndaj risive shkencore perceptohet disi si “zonë
e ndaluar”. Shpesh duket se bisedat tona, me të dëgjuar përmendjen e nocionit “shkencë”
ose “zbulim shkencor”, përcillen me një heshtje
spontane dhe reflektuese. Se a është pragmatike një qasje e tillë, le të
mbetet në domenin subjektiv.

Logjika konvencionale e shekullit tonë është shtytëse dhe promotore e debateve
dhe reagimeve produktive. Në fakt, debatet dhe reagimet në rrethana të tilla jo
vetëm që janë të shëndosha (edhe për vetë shkencën), por ato duhet të
konsiderohen fundametalisht të nevojshme për ne si individë dhe për shoqërinë
në përgjithësi. Pranimi “fait accompli” i zbulimeve shkencore, pa “guxim’ të
vendosur për ekspozim të mendimeve, qëndrimeve ose edhe pyetjeve rreth
kredibilitetit të vetë rezultatit shkencor, duket paksa ofendim për inteligjencën
tonë.

Në këtë kontekst, një pyetje gati e pashmangshme, që mund të derivojë është
se a kemi dhe sa kemi nevojë për emancipim në të kuptuarit e funksionit dhe
funksionimit të shkencës?

Shkenca, si e tillë, operon nën bazën e arsyeshmërisë induktive dhe deduktive.
Sipas konkluzionit induktiv shkencëtarët fokusohen në diçka specifike për të
ardhur tek konkluzioni i përgjithshëm. Me fjalë tjera, bëhen shumë vëzhgime, me
ç’rast nëse dallohet një risi ose një model, bëhet konkluzion i përgjithësim
dhe një shpjegim inferior ose edhe një teori. Në anën tjetër, konkluzioni
deduktiv bazohet në logjiken e vërtetësisë e së paku dy premisave (gjendje në
të cilën bazohet një argument logjik), që të arrijnë në një përfundim racional.
Është me rëndësi të ceket se që të dyja konceptet e arsyeshmërisë, si induktive
ashtu edhe deduktive, të mbështetura në premisa (që mund të jenë gjithashtu si tradicionale
ashtu edhe kontraverse) ose gjeneralizime, mund të rezultojnë të jenë larg
realitetit ose të vërtetës. Pra, ndryshe nga logjika konvencionale, shkenca, në
vend që të gjejë përgjigje ndaj shqetësimeve njerëzore dhe të sjellë risi dhe
të kuptuar, shpesh ka pasur gjithashtu edhe efektin e kundërt. Është shumë vështirë
të gjesh shkencëtar kredibil (nga çfarëdo fushe shkencore) që publikisht
deklaron se shkenca ofron përgjigje konkrete dhe nuk lë hapësirë për boshllëqe
në sqarim të dukurive.

Ka tema të shumta, që do të mund të trajtoheshin në këtë kontekst, por ky artikull
është i kufizuar vetëm në shtjellimin e disa temave kruciale, siç janë evolucioni,
fizika kuantike dhe dukuritë e natyrës së përafërt.

Koncepti i evulucionit darvinist nën llupën e shkencës

Studimi i Charles Darwin-it, në publikimin e tij “On the Origin of Species”
(Mbi origjinën e specieve) dhe idetë e tij përkatëse kanë pasur një ndikim të
madh në biologji. Praktikisht, shumica e shteteve të botës e kanë përqafuar atë
si diçka të mahnitshme dhe e inkorporuan në plan-programin e tyre arsimor, edhe
pse shumë mund të kenë pasur dyshime për këtë. Mbi të gjitha, koncepti darvinist,
vetëm disa dekada më parë, u konsiderua gjerësisht si një fakt i
pakontestueshëm, praktikisht për popullatën me të madhe të botes, e që lidhet
me themelet e fillimit të jetës në planetin tokë. Me rritjen eksponenciale të diturisë
dhe me avancimet shkencore, testimi i konceptit të evolucionit njerëzor (sipas
Darvinit) është lehtësuar masivisht.

Sipas Darvinit, koncepti, për më tepër, supozon se zhvillimi i jetës rrjedh
nga faktori jo-jetë (nga diçka pa jetë) dhe nënvizon zhvillimin e pasardhësve
plotësisht në mënyrë natyrale me mutacion (me ndryshim në sekuencë gjenetike).
Mbi të gjitha, koncepti përpiqet të nxjerrë në pah evolucionin natyral të
krijesave komplekse, gjatë një periudhe kohore, nga ndryshimet dhe shkaqet e
ndryshueshmërisë, trashëgimisë, përzgjedhjes natyrore, e deri te afinitetet e përbashkëta
të qenieve organike. (Darwin, 1861)

Thelbi i konceptit të Darvinit është se modifikimet gjenetike të
rastësishme zhvillohen në brendësi të kodit gjenetik të një organizmi, ndërsa
modifikimet produktive janë ruajtur pasi ato janë të favorshme për mbijetesë
ose ekzistencë, një proces i njohur zakonisht si “përzgjedhje natyrore”.

Pyetja e parë që nxit kureshtjen në këtë drejtim është: A ka Darvini prova
të ofrojë për pretendimet e tij apo ai bazohet në hipoteza të mundshme? Sipas
biologëve evolucionistë (biologët qe merren me evolucionin e biologjisë),
nocioni i Darvinit bazohet në hipoteza të mundshme, pasi teoria e tij nuk përqendrohet
në një faktor kyç për origjinën e jetës. Publicisti nga “New York Times” , Carl
Zimmer, i specializuar në fushën e evolucionit, ofron analiza të hollësishme në
fushën përkatëse dhe vëren se “biologët evolucionistë e kanë pranuar prej
kohësh se përzgjedhja natyrore është çështje e probabilitetit dhe jo e
fatit[rastësisë]. Vetëm për shkak se një gjen i ndryshuar në sekuencë gjenetike
ngre shanset që një individ do të riprodhojë nuk është një garanci se do të
përhapet në një popullsi”.

Philip S. Skell, një shkencëtar i shquar amerikan, ofron njohuri mbi
evolucionin e Darvinit në pikëpamjen e modelit atomik, kur ai thotë: “Evolucioni
darvinian – çfarëdo virtyte të tjera të ketë – nuk siguron një qasje të
frytshme orientuese në biologjinë eksperimentale. Kjo bëhet veçanërisht e qartë
kur e krahasojmë atë me një kornizë eksploruese, siç është modeli atomik, i
cili hap kiminë strukturore dhe e zhvillon në sintezën e një mori molekulash të
reja të përfitimit praktik.

Përveç kësaj, dy biologë të shquar, Marc W. Kirschner (nje akademik nga
Harvard) dhe John C. Gerhart (nga Universiteti i Kalifornisë), në librin e tyre
të famshëm “The Plausibility of Life”, (Besueshmëria e jetës) e sfidojnë
evolucionin e Darvinit, duke ngritur pyetje inteligjente kur ata thonë: “Truri,
syri dhe dora janë të gjitha format anatomike që i shërbejnë shkëlqyeshëm
funksionit të vet. Ato duket se reflektojnë dizajn. Si mund të kenë lindur ato?
Larmia e madhe e organizmave nga bakteret… bimët dhe kafshët, të gjitha janë
të një dizajni të ndryshëm. Si e kanë origjinën ato? Asgjë në botën e organizmave
të pajetë nuk u përngjajnë atyre. Të gjitha janë risi. E, megjithatë, fakti se
risia nënkupton krijimin e diçkaje nga asgjëja – kjo prapë nuk e ndihmon
sqarimin.”

Për David Stove, nje filozof australian, arsyetimi i Darvinit është më
tepër një përrallë, sepse “nëse teoria e evolucionit të Darvinit është e
vërtetë, atëherë asnjë lloj specie nuk mund të shpëtojë kurrë nga procesi i
përzgjedhjes natyrore”. Profesori Kirschner vë në dukje se biologjia në një
masë të madhe është zhvilluar në mënyrë autonome nga teoria e Darvinit, kur
thotë: “Në fakt, gjatë 100 viteve të fundit, pothuajse e gjithë biologjia ka vazhduar
e pavarur nga evolucioni… Biologjia molekulare [studimi i aktiviteteve
biologjike në nivel molekular], biokimia [studimi i proceseve kimike brenda dhe
në lidhje me organizmat e gjallë], fiziologjia [studimi i funksionit normal
brenda krijesave të gjalla] nuk e ka marrë fare parasysh evolucionin [Darvinist]”.

Debatet dhe mosmarrëveshjet rreth evolucionit njerëzor nuk ndalen këtu.
Sot, për më tepër, gjithnjë e më shumë shkencëtarë kanë drejtuar në mënyrë
masive fokusin për të provuar nëse bakteret janë çelësi i evolucionit të jetës.
Fokusi, tani, përfshin përmbajtjen e baktereve, formën dhe aftësinë tyre për të
lëvizur. Kirschner-i dhe Gerhart-i gjithashtu e pranojnë se “ kompleksiteti i
qelizave të gjalla është përtej kuptimit. Megjithatë sot, të kuptuarit [së
paku] të natyrës së kompleksitetit është një studim sfidues në shkencë.”

Këndvështrimi i Darvinit, gjithsesi, duket të jetë rezultat i imagjinatës
së tij, dhe jo në prova të pamohueshme. Në të vërtetë, kjo është konfirmuar
edhe nga vetë Darvini, i cili “… shkoi në shtratin e tij të vdekjes duke
protestuar se ai ishte keqinterpretuar: nuk kishte asnjë arsye, tha ai, të
supozohej se përzgjedhja natyrore ishte i vetmi mekanizëm i imagjinueshëm i
evolucionit.”

Kundërshtimet e shkencëtarëve bashkëkohorë ndaj evolucionit darvinist rrjedhin
si pasojë e avancimit të njohurive shkencore në nivel eksponencial. Zhvillimet
e tilla, përveçse kanë gjeneruar risi, kanë krijuar edhe boshllëqe të mëdha me konceptin
ekzistues të evolucionit. Këto risi studimore nuk u shpërfillën. Në fakt, këto konsideroheshin
kritike, duke nxitur që disa vende të reflektonin, madje edhe të mendonin seriozisht
nëse është e arsyeshme që në shkollat ​​e tyre përkatëse të mësohet akoma evolucioni
darvinist. Si rezultat, disa vende, si Turqia dhe Rumania, kanë lëvizur drejt
heqjes së këtij koncepti të evolucionit nga kurrikula e tyre përkatëse
shkollore, ndërsa në Indi dhe Korenë Jugore ka pasur debate për ta hequr atë
gjithashtu. Edhe popullata e botës perëndimore duket se është prekur në këtë
drejtim. Një studim, në dekadën e parë të këtij shekulli (Owen, 2006), rreth
besimit të këndvështrimit darvinist të evolucionit, rezultoi se procesi i
evolucionit është më pak i pranueshëm në SHBA sesa në vendet e tjera
perëndimore.

Shikuar në tërësi, edhe njohuritë bashkëkohore eksponenciale shkencore,
prapë, po dëshmojnë se janë të pamjaftueshme për shkencëtarët që të vijnë me
teori të besueshme dhe plotësisht të vërtetuara mbi origjinën e jetës dhe
procesin përkatës të evolucionit.

Këndvështrimet e shkencëtarëve rreth teorive të origjinës
se universit

Universi është fushë me plot kureshtje, që historikisht ka tërhequr
vëmendjen njerëzore, jo vetëm në funksionimin e tij, por edhe në strukturën,
formën, kiminë dhe fizikën brenda hapësirës qiellore. Midis pionierëve kryesorë,
Isak Njutni, që studioi fizikën e natyrës në një përpjekje për të kuptuar
ligjet e lëvizjes, përfundoi në mënyrë të befasishme se graviteti ndikon në
funksionimin e universit. Kishte edhe fizikanë të tjerë, që lanë gjurmë në
botën e shkencës, por ndër më të njohurit është Albert Ajnshtajni me teorinë e
tij të relativitetit. Kjo teori, në përgjithësi, i integron grimcat (protonet
dhe elektronet si njësitë themelore të atomeve), ndërveprimet e tyre përkatëse
dhe ligjin e gravitacionit. Teoria luajti rol kritik në transformimin e të
kuptuarit të fizikës dhe astronomisë gjatë shekullit të kaluar.

Fizika kuantike (nganjëherë quhet mekanikë kuantike ose teori kuantike),
nga ana tjetër, është teoria themelore në fizikë, e cila e shpjegon fenomenin
fizik të natyrës, mbi të gjitha dinamikën dhe aktivitetin e grimcave në përpjekje
për t’i sqaruar sfidat dhe paradokset e hasura. Teoria kuantike bën studime
thellë në detaje shumë të vogla, duke përshkruar fenomenet në grimcat më të
vogla. Teoria e relativitetit dhe fizika kuantike konsiderohen, në përgjithësi,
teoritë themelore që i përshkruajnë fenomenet e ndryshme të universit. Ato
merren me çështje të ndjeshme dhe më sensitive në universin kolosal, me qëllim
që të gjenerojnë përgjigje të rëndësishme. Megjithatë, ashtu si evolucioni darvinist,
ato bazohen në hipoteza të mundshme dhe, përveç kësaj, shkencëtarët shpesh
hasin probleme dhe dilema kritike kur përpiqen të shpjegojnë fenomene të
caktuara. Publicisti dhe historiani i shkencës nga gazeta “New York Times”,
James Gleick, pranon se ka pasiguri të pamohueshme dhe të dukshme kur bëhet
fjalë për teorinë kuantike. Ai thekson se “shumica e mekanikës kuantike merret
me probabilitetet dhe jo me dëshmi të sigurta… Kur shkencëtarët kërkojnë
kuptim në fizikën kuantike, ata mund të jenë duke humbur në një tokë – të askujt
– mu në mes të filozofisë dhe religjionit. Por, ata nuk mund ta ndihmojnë
vetveten. Ata janë vetëm njerëz.”

Yakir Aharonov dhe Daniel Rohrlich, dy fizikanë te pasionuar, gjithashtu argumentojnë
se teoria kuantike është e mbushur me paradokse, nga të cilat rrjedhin, ndër të
tjera, gabime, boshllëqe, kontradikta ose, madje, edhe pasiguri në lidhje të
analizave të fenomeneve. Përveç kësaj, Joe McEvoy, një fizikan i dëshmuar me
kërkime shkencore në vende të ndryshme të botës perëndimore, vë re gjithashtu
dyshimet e tij mbi teorinë kuantike kur thotë: “Teoria kuantike nuk mund të
shpjegohet. Fizikanët dhe matematikanët nga Niels Bohr të Roger Penrose kanë
pranuar se nuk ka kuptim. Çfarë mund të bëni është të zbuloni se si zhvillohen
idetë dhe si zbatohet teoria”.

Edward Frenkel, një akademik i fushës përkatëse, gjithashtu ekspozon
pretendime të ngjashme se teoria kuantike përbëhet nga kontradikta dhe mistere.
Çuditërisht, ka mospërputhje, madje edhe midis dy teorive të shprehura – teorisë
së relativitetit dhe mekanikës kuantike. Në të vërtetë, mospërputhja është
serioze, pasi ato duken të jenë fundamentalisht në papajtueshmëri. Corey S.
Pauell, një akademik tjetër i shkencës, sqaron se: “nuk është vetëm një çështje
e terminologjisë shkencore; kjo është një përplasje vërtetë e papajtueshme e
përshkrimit të realitetit… Relativiteti jep përgjigje të pakuptimta kur
përpiqeni ta orientoni atë në madhësinë kuantike, duke zbritur përfundimisht në
vlerat e pafundme në përshkrimin e tij të gravitetit. Po kështu, mekanika
kuantike shkon në telashe të rënda kur e hidhni deri në përmasat kozmike”.

Ndërkohë që avancimi i njohurive shkencore duket se është duke rezultuar me
risi fascinuese rreth universit, të pakonceptueshme kohë më parë, prapë shkenca
është duke çaluar në rezultate të qarta ose përfundimtare. Tash edhe pse kemi
hyrë në dekadën e tretë të shekullit njëzetenjë, njohuria e shkencëtarëve mbi
astronomi mbetet ende në sferën e konfuzioneve, boshllëqeve, paradokseve dhe
hipotezave të mundshme.

Shkencëtarët, megjithatë, pranojnë se universi është i mbushur me mrekulli
dhe se nuk ka përgjigje shkencore për to. Në të vërtetë, është e çuditshme se
si një univers kaq i sofistikuar funksionon në mënyrë kaq të përkryer, edhe në
hollësitë më të vogla, sepse, siç shpjegon Philip Goff, një publicist shkencor
nga gazeta e famshme britaneze “The Guardian”: “Nëse graviteti do të kishte
qenë pak më i dobët, yjet nuk do të shpërthenin në supernova [fenomeni i
shpërthimit të yjeve], një burim thelbësor i shumë elementëve më të rënda të
përfshirë në jetë. Në anën tjetër, nëse graviteti do të kishte qenë pak më i
fortë, yjet do të kishin jetuar për mijëra e jo miliarda vjet, duke mos lënë
kohë të mjaftueshme për t’u zhvilluar evolucioni biologjik. Ky është vetëm një
shembull – ka shumë të tjerë – të ‘rregullimit të detajuar’ të ligjeve të
fizikës për jetën.”

Universi është jashtëzakonisht kompleks. Për më tepër, përbëhet nga një numër
i dimensioneve, numri i saktë i të cilave ende mbetet i panjohur nga vetë
shkencëtarët. Ajnshtajni, megjithatë, ishte i bindur për katër dimensione,
ndërsa sot shkencëtarët besojnë se universi i ka dhjetë dimensione ose më
shumë. Çdo gjë përtej dimensioneve të verifikuara mund të konsiderohet jashtë
zonës së mbulimit të shkencës. Kjo tregon edhe më shumë për limitet e shkencës.

Deshifrimi i origjinës së jetës dhe universit nga shkencëtarët (dhe thjesht
përmes shkencës), është vërtetuar tani më se është vërtet “një arrë e fortë për
t’u thyer” dhe pretendimet për faktorin “rastësi” po bëhen shumë më vështirë të
pranohen tani. Në këtë kontekst, Michio Kaku, një fizikan tjetër i njohur amerikano-japonez
e sqaroi pikëpamjen e tij kur tha: “Unë kam ardhur në përfundim se ne jemi në
një botë të krijuar me rregulla të dizajnuara me inteligjencë… Më besoni,
gjithçka që ne sot e quajmë rastësi nuk do të ketë kuptim më. Për mua është e
qartë se ekzistojmë në një plan që rregullohet nga rregullat që u krijuan, të
formuara nga një inteligjencë universale dhe jo rastësisht.”

Çka mendojnë shkencëtarët për vetë shkencën

Shkenca dhe shkencëtarët, siç u shtjellua më lart, ballafaqohen me sfida të
natyrave të ndryshme gjatë rutinës ditore. Do të ishte interesante “inkuadrimi”
brenda kampit shkencor, në mënyrë që të ekspozohet mendimi i vet shkencëtarëve
për shkencën. Kureshtja është e madhe mu për atë, pasi ka një predispozitë të
madhe, në mesin e jo-shkencëtarëve, për të besuar se shkenca e pranon motivin,
empirizmin dhe faktet dhe, si rezultat, gjeneron të vërtetën absolute.
Megjithatë, siç u elaborua më lart, shkenca, sipas traditës, ka demonstruar se
nuk është ekskluzivisht vetëm për të vërtetën absolute, sepse ligjet ose
zbulimet e tyre nuk janë të pathyeshme. Në fakt shkencëtarët, në të kaluarën,
kanë ndryshuar pikëpamjet e tyre mbi ligjet në bazë të “fakteve të reja”, duke
e modifikuar decidivisht kështu “të vërtetat” ekzistuese. Për më tepër,
shkencëtarët kanë prirje të mos i përgjithësojnë ligjet pa përfshirë edhe
përjashtimet. Ata kërkojnë arsye, eksperimente dhe fakte. Megjithatë, nëse nuk
arrijnë rezultate të kënaqshme, ata dalin me rezultate që mbështetën nga
probabiliteti, gjasa (mundësia) ose rastësia. Kjo, kryesisht, ngjan shumë me
profecinë e vetëpërmbushjes, e cila nuk është produktive, jo vetëm për mendjet
e pasionuara për botën e shkencës, por as për publikun e gjerë.

Prandaj, është e çuditshme, por edhe me shumë rëndësi, të ceket se mungesa
e besimit të punës së vetë shkencëtarëve është dekurajuese. Richard Feynman, një fizikan
i njohur i shekullit të kaluar dhe fituesi i çmimit Nobël për
fizikë (në vitin 1965), thotë:
“Shkenca është besimi në injorancën e
ekspertëve.” Rrjedhimisht, kjo po reflekton
edhe në kohezionin akademik përkatës, që mund të jetë i zakonshëm edhe gjatë
diskutimeve profesionale shkencore. Jim Holt, një publicist amerikan me pasion
në fushën shkencore, ndryshe nga ajo që ne, njerëzit e rëndomtë, mund të
mendojmë, ofron një pasqyrë tjetër brenda kampit shkencor, duke thënë se “Shkencëtarët
janë të vështirë të punojnë [së bashku] në një komision.”

Marrë në përgjithësi, prapë duhet të pranojmë se besueshmëria në botën e shkencës
është e madhe, deri në atë masë sa disa, madje, mund ta konsiderojnë shkencën
si një “religjion”. Kjo është disi frustruese, pasi shumë prej nesh mund të shprehin
tendencë për të besuar verbërisht në shkencën dhe shkencëtarët, edhe nëse nuk
kanë pasur dëshmi të prekshme të fenomeneve specifike ose rezultateve
përkatëse. Për shembull, ndoshta shumica prej nesh nuk kemi parë kurrë një
atom, molekulë ose elektron, por shumë prej nesh shfaqim prirje për të besuar
se ato ekzistojnë. Njëjtë, njerëzit gjithashtu, shprehin tendencë të besojnë në
ligjet e ndryshme shkencore ose teoritë që rezultojnë nga domeni shkencor. Thjesht,
duket se një besim i tillë në autoritetin e shkencës ose shkencëtarëve është përtej
logjikës racionale. Ajshtajni ka sqaruar se “besimi i verbër në autoritet është
armiku më i madh i së vërtetës”. Pra, besimi në shkencë dhe në zbulime
shkencore gjithashtu duhet të jetë i kujdesshëm.

Konkluzioni

Përkundër konfuzioneve, boshllëqeve, paradokse dhe hipotezave të mundshme,
që rezultuan nga darvinizmi dhe teoritë e universit, ka edhe shumë benefite nga
to. Në fakt, siç u shtjellua më lart, edhe pse darvinizmi nuk gjen përdorim
produktiv në segmentet sensitive përkatëse, përfitimet nga Darvini pranohen në
një numër fushash, ndër të tjera, për të kuptuar shëndetin e njeriut, mjekësinë
dhe bujqësinë. Mbi të gjitha, ndër përfitimet më të zakonshme janë në mjekësi –
që u ndihmojnë mjekëve ta përshkruajnë terapinë korrekte të antibiotikut (doza
dhe përdorimi) – dhe gjithashtu t’i ndihmojnë ata që t’i mbajnë zhvillimet e
baktereve nën kontroll. Njëjtë, përderisa fizika kuantike u tregua e paaftë për
të siguruar përgjigje të vërteta për origjinën dhe evolucionin e universit,
megjithatë ajo e revolucionoi teknologjinë në shumë fusha. Në të vërtetë,
fizika kuantike është përgjegjëse për zhvillimin e transistorëve, laserëve,
kompjuterëve të fuqishëm dhe mikroskopëve të avancuar, që, ndër të tjera,
ndikojnë në jetën e përditshme të shumicës së njerëzve, në një mënyrë ose tjetër.

Pra, përgjatë këtij shkrimi, është konfirmuar se, pavarësisht njohurive
eksponenciale shkencore, konkluzionet mbi çështjet e origjinës së jetës dhe
krijimin e universit nuk janë të besueshme dhe se procesi i përgjithshëm mbetet
ende në hapat fillestarë. Përveç kësaj, studimi ofron gjithashtu pikëpamje të
shumta nga vetë shkencëtarët, për temat në fjalë, duke kundërshtuar në mënyrë
thelbësore gjetjet e kaluara shkencore. Për më tepër, shkencëtarët ende i
konsiderojnë këto shqetësime si çështje të hapura kërkimore, por, për momentin,
ata prapë
ofrojnë, si përgjigje, vetëm probabilitet, gjasa
(mundësi), spontanitet ose rastësi.

Në fund të fundit, pasi faktori ‘rastësi’ nuk duket
më bindës, dhe meqenëse kapaciteti njerëzor intelektual, po dëshmohet i
pamjaftueshëm për të deshifruar origjinën, rrugën, metodën dhe fuqinë e
krijimit të universit, atëherë qasja e mohimit të krijuesit të universit, tani
më, duket jo pragmatike. Shkenca, nuk është e pagabueshme, por promovimi i saj
duket se është i gabuar. Konfuzionet, boshllëqet dhe paradokset e demonstruara
brenda shkencës, të konfirmuara edhe nga vet shkencëtarët, nuk mund të
konsiderohen përjashtime, sepse, prezenca dhe konsistenca jo e rrallë e tyre,
mbeten enigmë dhe vështirë për tu shpjeguar. 

Shikuar në përgjithësi, emanicipimi në faktorin
shkencë, tani më, është nevojë e kohës. Shumë risi nga fusha shkencore, kanë
treguar tendencë, se shpejtë mund të promovohen ndërkombëtarisht, por mundësia
që realisht të vërtetohen, mu ato risi (si rasti me evolucionin Darvinist, i
shtjelluar lartë), apo edhe të harmonizohen brenda domenit shkencor (si p.sh.
teoria e relativitetit me teorinë kuantike), duket se ende lë shumë për të
dëshiruar.