` . Një prolog sofizmash kontroverse mbi fqinjësinë - TV SHENJA

Një prolog sofizmash kontroverse mbi fqinjësinë

Kjo “pykë europiane”, që aktorë të përnashëm, po me lobim të afërt pranë UE-së, sikundër e shohim ne qetësisht, ka nisur të rrëmojë edhe brenda Procesit të Berlinit, duke e avancuar brenda tij një riorientim të lehtë, por të qartë nëpër formula “mini-shengeni” asimetrik, që relativizon faktorin dhe rolin bullgar, interesat më të gjëra të tij, si dhe të tashmen dhe të ardhmen “europiane” të Ballkanit.

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

Kontesti bullgaro-maqedon, zgjidhja e të cilit qëndron në kornizat e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë bullgaro-maqedone, jo aq papritur rrëshqiti në një “prolog” të dramatizuar sofizmash kontraverse mbi fqinjësinë. Ishte pala maqedonase që jepte sinjale se ikjen nga implementimi i kësaj marrëveshjeje do ta kërkonte përmes një prologu të dramatizuar sofizmash kontraverse, duke pretenduar të krijojë një epërsi lehtësimi si “viktimë” në procesin e implementimit dhe të “risemantizimit” të thelbit të Marrëveshjes. Kjo, mandej, e shpërfaqi kuptimin e vërtetë të zhagitjes së implementimit të saj nga pala maqedonase. Mbetja e vazhduar e këtij “prologu” edhe për një “ndërmjetkohë të nxituar”, deri në heqjen e pengesës për organizimin e Konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negocimeve, palën maqedonase mund ta trimërojë mashtrueshëm se ka dalë “fitimtare” në këtë “prolog të dramatizuar sofizmash kontraverse” e të vazhdojë gabueshëm me sjelljen e vjetër. Se, për analistët e vëmendshëm dhe të paanshëm të kësaj “beteje semantike” që e hapi ky “prolog” rreth formulimit jo aq të shkathtë, kujtojmë ne, të “interpretimit të gabuar të historisë”, që duhej të hynte Kornizën negocuese si garanci për vazhdimin e implementimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, tymnaja e sofizmave kontraverse nxori edhe një moment të ritrazimit çek dhe sllovak për mospranimin e formulimit dhe ky “trazim” vjen si refleks solidarësie dhe antagonizmash të moçme ndërmjet rrymave të moçme pansllaviste dhe ato neosllaviste të reja, nga të cilat Bullgaria është larguar pikërisht për të mbrojtur interesat e veta shtetërore dhe gjeopolitike e gjeostrategjike në Ballkan. Ky trazim çek dhe sllovak, që vjen të kuptohet si mbështetje alegorike ndaj palës maqedonase, ka gjasa të dalë problematik si për palën bullgare, ashtu edhe për palën shqiptare, e cila me të drejtë e ka kuptuar se kontesti është thjesht bullgaro-maqedonas dhe do mbetet i tillë derisa nuk i kapërcen caqet e veta të definuara në Marrëveshje.

Dalja në anë të këtij “trazimi europian”, nën zëdhënien çeke dhe sllovake edhe të aktorëve politikë ose publikë të huaj, të tjerë si “përfaqësues” të rrymave brenda spektrit pansllavist në antagonizëm të hershëm me “pansllavizmin autonom bullgar”, sikundër që ishte prononcimi i një Shesheli, që afrohet edhe me diskursin e ndonjë “mbrojtësi” të “maqedonizmit mijavjeçar” në trollin e “Maqedonisë”, dhe i cili “është njohur nga Greqia në Marrëveshjen e Prespës(!), me të cilin diskurs duan të thonë se është Greqia dhe është Marrëveshja e Prespës që i jep legjitimitet “thellësisë historike të ekzistencës së kombit dhe të shtetit maqedonas” dhe, me këtë, nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë kërkohet, jashtë së shkruarës, “edhe një thellësi historike plotësuese” përmes ca ngjarjeve dhe personaliteteve historike “të përbashkëta”.

Ky është një parashikim thjesht nga optika shqiptare se çfarë rrjedhe mund të marrë “trazimi europian çek dhe sllovak” dhe kjo nënkuptohet si stratagjemë, që mund të godasë edhe më mbrapshtë interesat bullgare dhe kjo, afërmendsh që, nuk ka gjasa t’i ndërfutet Bullgarisë si “pykë e një stratagjeme të europianizuar”. Kjo, prapë themi se varet se si do zhvillohet: mund të trazojë një “problematizim” të ri “jo të mbarë të vizionit europian ende konfuz mbi Ballkanin” dhe raportet mes popujve të tij, veçmas mes fqinjëve.

Kjo “pykë europiane”, që aktorë të përnashëm, po me lobim të afërt pranë UE-së, sikundër e shohim ne qetësisht, ka nisur të rrëmojë edhe brenda Procesit të Berlinit, duke e avancuar brenda tij një riorientim të lehtë, por të qartë nëpër formula “mini-shengeni” asimetrik, që relativizon faktorin dhe rolin bullgar, interesat më të gjëra të tij, si dhe të tashmen dhe të ardhmen “europiane” të Ballkanit. Analistët e vëmendshëm të çështjeve ballkanike dhe veçanërisht ata që e kanë marrë tash në fokusin e interesimit analitik këtë “trazim të beftë europian” çek dhe sllovak dhe të tjerët që i afrohen në heshtje, jo rastësisht interesohen edhe për “reagimet fjalëpaka” greke ndaj zhvillimeve gjatë këtij “prologu të dramatizuar dhe kontravers”, që ndodhi rreth formulimit jo aq të ngathtë, sipas meje”, që kuptohet si një eufemizëm për “falsifikim të historisë” që vetë pala bullgare e ka përsëritur qartë dhe jo vetëm një herë dhe që, në fakt, atë emër e ka. Greqia, si duket, e vëzhgon këtë proces shumë pa fshehur se do mbarojë afër interesave të saj ose i tërheq telat në pravavijë të fshehur, për dobi të saj, për t’i vënë “nën këmbë të vet” edhe Bullgarinë, edhe Shqipërinë në perspektivën ballkanike.

Konfuziteti shqiptar, që po paraqitet në këto zhvillime, dhe veçanërisht rreth formulës asimetrike të “mini-shengenave” dhe “bashkëpunimit rajonal’ si formulë e Procesit të Berlinit, vjen nga një inerci shqiptare dhe nga mungesa e një protagonizmit jo aq autonom, për shkak të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, që e kujtojmë të jetë i ndërmjetkohshëm tash për tash, sikur u shkon përshtati të tjerëve dhe jo interesave të veçanta shtetërore, po dhe interesave të përbashkëta bullgaro-shqiptare. Protagonizmi shqiptar dhe bullgaro shqiptar në këtë vijë nuk bën tashmë të jetë i vonuar.

Një skemë e këtillë relativizimi të vendit dhe rolit e interesave të Bullgarisë dhe të Shqipërisë në rikonfigurimin e një Ballkani “europian”, nga e cila ka marrë shumë elemente, por sipërfaqësisht, me sa e dimë ne nga historia ballkanike, është luajtur edhe në vitet 1929-1939, ndaj së cilës edhe Bullgaria veçmas, po edhe Shqipëria, e kanë refuzuar.

Qasjen kësodore ndaj këtij problemi dhe ndaj zhvillimeve që çuan gjer tek “prologu dramatik kontravers” rreth Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë bullgaro-maqedonase shumëkush ka gjasa ta kuptojë si të larguar pakëz nga tema, po ishin do indicie që japin shenja se zgjidhja e këtij kontesti jo aq të ngatërruar, nëse del përtej kornizës së një marrëveshjeje dypalëshe dhe për interesa të tjetërsuara përtej këtyre dypalëve dhe duke goditur me këtë edhe një palë të tretë, sikundër janë interesat shqiptare, do ta bënin jo të besueshëm, jo të drejtë dhe jokonsekuent angazhimin europian ndaj Ballkanit.

Së këndejmi, jam i prirë që me bindje të them se “prolongimi bullgar” (jo bllokimi) i konferencës ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe UE-së ka gjasa të dalë më i drejtë dhe pozitiv jo vetëm për interesat e fqinjësisë së mirë bullgaro-maqedonase, po dhe ballkanike, por edhe për vizionin e integrimeve europiane dhe ballkanike brenda atyre integrimeve.