Një ndërmjetkohë inercish dhe tallandisjesh tranzitore

Një ndërmjetkohë inercish dhe tallandisjesh tranzitore

Këto shfaqje tallandisjesh nga inercia apo nga ndonjë sindromë nga e kaluara jonë politike, shoqërore apo kulturore zakonisht nuk kanë forcë dhe përhershmëri për të gërryer matricën e inkarnuar historike të refleksit identitar shqiptar, të përnjësisë së tij shpirtërore e kulturore.

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

Ne hymë në një ndërmjetkohë inercish dhe tallandisjesh tranzitore, së cilësi dhanë një dramaticitet të fryrë. Dramacitetet e fryra të një fenomeni politik, social apo kulturor zakonisht mbarojnë si episode të një konteksti dhe nuk kanë fuqinë të rikonfigurojnë ndonjë drejtim përplasjesh, moskuptimesh apo perceptimesh të zgjatura brendashqiptare, ose përballë të tjerëve. Vetë klima që trazoi tallandisjet konfuze ishte e kontekstualizuar nga zgjedhjet në Shqipëri dhe në Kosovë dhe aktorët e saj shfaqën pretendime përfitimesh elektorale e të tjera,duke e dramatizuar me demagogji këtë ndërmjetkohë si faktor në relacionet Shqipëri-Kosovë dhe me ndonjë përpjekje për t’i rreshtuar pas tyre dhe në polet e tyre të ndara edhe anët e tjera shqiptare. Ato lëvizje dolën nga trolli i ecjes dhe i shpërthimit nga inercia që ende nuk është hequr nga skena e jetës shoqërore, politike e ne shqiptarëve në tërësinë tonë kombëtare.

Këto shfaqje tallandisjesh nga inercia apo nga ndonjë sindromë nga e kaluara jonë politike, shoqërore apo kulturore zakonisht nuk kanë forcë dhe përhershmëri për të gërryer matricën e inkarnuar historike të refleksit identitar shqiptar, të përnjësisë së tij shpirtërore e kulturore. Ato imponohen zhurmueshëm dhe me arrogancë dhe shuhen dëshpërueshëm e turpnueshëm, dhe mbeten vetëm një përvojë e hidhur për të nxjerrë mësime, po ne shqiptarët mosnxënien e mësimeve nga përvojat e hidhura që na ndodhin e kemi ligështi gati historike. Ka ardhur koha që kësaj ligështie t’ia ndalojmë të kohojë me ne e brenda nesh, duhete shkulur nga rrënja njëherë e përgjithmonë.

Ndërmjetkohë tallandisjesh, konfuzionesh, moskuptimesh të ndryshme dhe sindromash politike e sociale, nga rënia e Murit të Berlinit e gjer më sot kanë ndodhur gati te shumica e popujve të ndarë dhe që hynë në oportunitetin gjeopolitik të ribashkimit, riunifikimit shpirtëror e kulturor më parë, me specifikat e tyre të konteksteve, duke filluar nga Gjermania, duke dalë në Hungari, Rumani dhe gjer tek ne shqiptarët, po ata këto ndërmjetkohë i kaluan më ndryshe fare, qoftë secili nga psikologjia politike jokonfliktuale si komb, qoftë nga tradita shtetformuese dhe kultura politike e shtetërore e stabilizuar historikisht tek ata, ndërsa meheqjen nga skena e ecjes historike të ndërmjetkohëve të inercive dhe të tallandisjeve boshe, regresive dhe konfliktuale ishin institucionet shtetërore si aktorë veprues, ishin dhe janë breza intelektualësh që dominuan sheshin publik dhe reflektimet e pozitivizuara të tyre që bënë kapërcimin jo me zhurmë të ndërmjetkohëve të ndodhura mes tyre, e jo si tek ne që sheshin publik dhe intelektual dhe jo vetëm e bënë të zmbrapsur, për ta zëvendësuar me sheshin demagogjik, steril dhe agresiv të rrjeteve sociale.

Kjo ndërmjetkohë e ndodhur së fundit tek ne, prandaj, do mbetet vetëm si një episod i shëmtuar dhe hiç më tepër bashkë me largimin ose harrimin e aktorëve të saj.

Por, kjo kërkon hapjen e një kohe reflektimi dhe veprimi të zgjuar e me vendosmëri të ne shqiptarëve. Hapjen e një kohe projeksioneshe strategjish gjeopolitike më parë, pikërisht tash, sifaktori që vuri në “përplasje”, destabilizoi shkurt raportet ndërmjet dy qeverive (Kosovë-Shqipëri), se kjo është pika më nevralgjike tash për shqiptarët si tërësi kombëtare. Kjo duhet të jetë mbi të gjitha, dhe si qëndrim i artikuluar qartë dhe me konsensualitet brendakombëtar të mbështetur nga dija akademike, ekspertët, përvojat diplomatike më kombëtare nga trashëgimia diplomatike shqiptare dhe të ngritet në politikë të vetme e të përnjësuar shtetërore, për të dyja entitetet shtetërore shqiptare (pra, Shqipëri-Kosovë), me përfshirjen e ndonjë specifike të secilës, portë një specifike konvergjuese për interesin e tërësisë kombëtare shqiptare.

Riunifikimi shqiptar duhet të ndjekë detyrimisht edhe për të ardhmen MOMENTUMET E OPORTUNITEVEVE, si itinerar veprimi, të përdorë zgjuarsinë dhe syçeltësinë për të kapur momentumin dhe duhet ndjekur prapë pa kapërcim të fazave brenda të cilave funksionojnë edhe oportunitetet e kontekstualizuara gjeopolitike dhe jo vetëm. Kështu bënë dhe bëjnë popujt e ndarë me traditë shtetërore dhe me refleks për të kapur momentumet e oportuniteteve. Nga rrëzimi i Murit të Berlinit, vetëm Gjermania kapi të vetmin momentum për të, bashkimin e dy Gjermanive, sepse ndarja e sajishte ndarje mbi baza ideologjie, ndarje gjeopolitike dhe gjeostrategjike ndërkombëtare nga dy blloqe ideologjike thellësisht antagoniste. Ndërkaq, kombe të tjera të ndara, si Polonia që riunifikimin e ka bërë më parë dhe dikur, ndërsa Hungaria, Rumania,vunë si prioritare riunifikimin dhe stabilizimin identitar, përmes riunifikimit shpirtëror dhe kulturor të tërësive të tyre kombëtare përtej kufijve me fqinjët e entiteteve shtetërore të tyre, duke përfshirë këtu në integralitetin kombëtare edhe diasporën, dhe duke e nisur dhe vazhduar këtë unifikim përmes momentumit të oportunitetit në integrimin europian, dhe ne paradigmën gjeostrategjike euro-atlantike.

Rasti i riunifikimit shqiptar, mendojmë ne, duhet ta shterojë mësimin nga këto përvoja, duke nxjerrë prej tyre një sintezë të qartë, por edhe ka një moment përparësie burimore se mund tërimësojë nga trashëgimia e vet nga Lidhja e Prizrenit dhe gjer më 1944. Kjo, sepse ishte ajo trashëgimi formule që siguroi përhershmërinë e ekzistencës historike të kombit shqiptar, si dhe për shkak se ndarja e kombit shqiptar nga Shën Stefani, Kongresi i Berlinit, dhe gjer më në Konferencën e Londrës, më 1913 ka qenë ndarje që na ka bërë Europa dhe për dobi të shteteve fqinje të Ballkanit. Ndarje tepër e veçantë dhe fatale nga të gjitha ndarjet e kombeve të tjerë. Kjo e legjitimon pretendimin shqiptar për ta mbajtur në horizont të angazhimit, në mënyrë të mençur dhe të etapizuar domosdo edhe riunifikimin territorial Kosovë-Shqipëri. Ndërkaq, standardizimi dhe stabilizimi identitar i tërësisë kombëtare shqiptare, padyshim që duhet të jetë ndër veprimet prioritare, duke shfrytëzuar momentumin e oportuniteteve që kanë sjellë katër liritë europiane.

Por, këtu ne shqiptarët, qe 30 vjet ende nuk jemi duke rënë në një hulli të qëndrueshme dhe institucionale, dhe kjo inerci dhe anarki edhe politike, edhe ndërshtetërore,edhe intelektuale duhet kapërcyer imperativisht dhe vendosmërisht. Duhet vendosur çështja institucionalisht dhe brenda strategjive identitare, paradigmën e të cilave poashtu e kemi trashëgim prej Rilindjes kombëtare, vetëm duhet bërë një rilexim të thellë dhe rikuptimësim të saj për ta transplantuar në realitetet institucionale të tashme dhe për ta konceptualizuar po ashtu në ato rrafshe të funksionalitetit.

E gjithë kjo kërkon një punë e angazhim që na shpie tek imperativi i rikoncepetualizimit dhe rindërtimit të shtet-kombit shqiptar dhe me këtë rast, si bazë e saj, rikonceptualizimi i kombit, dhe rishkrimi i historisë mbi atë premisë. Këtu mbretëron një konfuzion i madh. Pa e bërë këtë, ecja jonë kombëtare në këtë shekull mund të vazhdojë si ecje nëpër shkretëtirë, pa një piketim orientimi. ose orientime të huqura dhe nëpër anarki intelektuale dhe jo vetëm, do na bëjë prapë të ecim gjunjazi nëpër rrjedhe të këtij shekulli, dhe lutemiqë kjo të mos ndodhë kurrë..!