Një kryeministër atipik

Një kryeministër atipik

Nëse Dritan Abazoviqi do të ishte lider i një partie etnike shqiptare, atëherë nuk do të kishte kurrfarë mundësie të bëhej politikani që i tërheq penjtë e politikës malazeze. Ky veprim duhet t’i merret si mençuri politike. Se i zgjuar është ai që gjen zgjidhje edhe kur ajo duket e pamundur. 

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Ulqinaku Dritan Abazoviqi, lider i një partie të vogël të quajtur URA, nuk e plotësonte asnjë kusht për t’u ngjitur në majën e pushtetit, por koha punoi për të dhe ai e shfrytëzoi rastin që një politikani i vjen rrallë.

Studenti i dalluar i gjeneratës në Universitetin e Sarajevës, i doktoruar për shkencat politike, është energjik, me ambicie të mëdha dhe nuk është aksidentalisht në politikë.

Abazoviqi deklarohet si antinacionalist dhe angazhohet për inkuadrimin e Malit të Zi në BE. Në politikën shqiptare edhe para tij janë shfaqur politikanë me bindje të ngjashme, por nuk arritën të ngjiteshin në majën e pushtetit.

Për shkak të bindjeve atipike, nga Dritan Abazoviqi pritet kudo ta dëshmojë përkatësinë etnike. Duket se keqkuptimi fillon nga kjo përkatësi, të cilën ai nuk dëshiron ta theksojë aq shumë. Dhe, nuk ka pse e thekson.

Ka që mburren se ai është “kryeministri i tretë shqiptar” në rajon. Të tjerë nuk e shohin nga ky prizëm. Dritan Abazoviqit nuk mund t’ia mohojmë përkatësinë etnike, siç bëjnë patriotët me profesion, por as nuk duhet të mahnitemi që “kemi edhe një kryeministër shqiptar”. Përkatësia etnike e një politikani nuk është përcaktuese për dobinë që mund ta kenë qytetarët nga politika e tij.

Dritan Abazoviqi nuk është kryeministër i Malit të Zi si shqiptar, por si qytetar i këtij shteti. Këtë fakt ai pëlqen ta theksojë. Për shkak të orientimit politik, duket më i largët e më i ndryshëm karshi politikanëve shqiptarë dhe më atipiku në skenën politike rajonale.

Do të ishte emancipim qytetar sikur shoqëria malazeze ta kishte arritur shkallën e vetëdijesimit dhe emancipimit sa ta zgjidhte kryeministrin sipas ofertës dhe vizionit politik dhe jo duke u nisur nga përkatësia etnike. Por, nuk e besoj se në Ballkan ka shtet dhe shoqëri me vetëdije, të themi, mbikombëtare. Ose, më saktë, se ka vetëdije për shoqëri ndëretnike, ku etnitë e ndryshme do të merrnin pjesë edhe në krijimin e vlerave mbikombëtare. Madje, kjo nuk është e zakonshme në shumicën e shteteve perëndimore.

Shoqëria malazeze është e ndarë në planin etnik dhe politik. Ka dy blloqe politike në konfrontim të përhershëm: ai promalazez dhe proserb. Në një shoqëri të këtillë nuk besoj se ka atmosferë politike për ndëretnicitet…

Dritan Abazoviqi u bë kryeministër i Malit të Zi për shkak të rrethanave politike. Partitë e mëdha malazeze, qofshin nga blloku malazez ose proserb, s’do ta votonin sikur të kishin zgjidhje të tjera. Në fillim ai u bë zëvendëskryeministër, pasi partitë e koalicionit proserb nuk patën zgjidhje tjetër. Tani është kryeministër, sepse as Milo Gjukanoviqi nuk ka zgjidhje tjetër. Fakti se tani është kryeministër mund ta ndryshojë perceptimin qytetar dhe të jetë dëshmi se për një kryeministër të mirë ose të keq nuk është kusht përkatësia e tij etnike.

Dritan Abazoviqi, të cilit s’i mungon performanca e diskursi politik, edhe përkundër faktit se angazhohet për integrimin europian të Malit të Zi, nuk pati fillim impresionues në karrierën qeveritare. Fillimisht u bë pjesë e qeverisë malazeze pasi bashkëpunoi me partitë proserbe për ta rrëzuar nga pushteti partinë e kryetarit malazez Milo Gjukanoviq, të cilin e akuzoi për keqqeverisje dhe korrupsion. Mentor i opozitës proserbe ishte Kisha Ortodokse Serbe, gjegjësisht mitropoliti ultranacionalist Amfilohije Radoviq, që dikur mbajti raporte të ngushta me Radovan Karaxhiqin dhe Arkanin, madje u quajt luftëtar me veladon prifti. Mitropoliti Amfilohije nuk ia kurseu lëvdatat “myslimanit të respektuar Abazoviq” për qëndrimin ndaj ligjit mbi liritë fetare, i cili u kundërshtua me protesta nga Kisha Ortodokse Serbe. Pala tjetër e quajti Abazoviqin “çetniku shqiptar”.

Si i rreshtuar përkrah partive opozitare proserbe, Dritan Abazoviqi u bë i adhuruari i politikës dhe mediave qeveritare e nacionaliste serbe, që nuk ia kursyen himnet dhe panegjirikët. Kur e ndryshoi kursin, atëherë mediat serbe e ndryshuan diskursin. Ai nuk ishte më shqiptari i mirë. Por, në politikë nuk duhet të kërkojmë moral. Veçanërisht në Ballkan. Tek Dritan Abazoviqi, më shumë sesa moralistin, duhet ta shohim politikanin pragmatist, që e ka gjetur mënyrën si të imponohet në skenën politike malazeze.

Nëse Dritan Abazoviqi do të ishte lider i një partie etnike shqiptare, atëherë nuk do të kishte kurrfarë mundësie të bëhej politikani që i tërheqë penjtë e politikës malazeze. Ky veprim duhet t’i merret si mençuri politike. Se i zgjuar është ai që gjen zgjidhje edhe kur ajo duket e pamundur.

Pavarësisht prirjes për t’i himnizuar politikanët, veçanërisht kur janë në pushtet, nuk mund ta dimë rrjedhën e politikës së udhëhequr dhe të proklamuar nga Abazoviqi. Së pari, tjetër gjë është të dëshirosh e të premtosh dhe tjetër gjë të realizosh. Së dyti, ai brenda një qarku të shkurtër kohor u “zhvendos” nga njëri drejt bllokut tjetër politik, që kanë programe dhe qëllime krejtësisht të ndryshme.

Ne e dimë se koncepti politik i Abazoviqit është qytetar dhe jo kombëtar. E dimë se nuk është lolo në politikë. Se çfarë të mire do t’u sjellë politika e tij shqiptarëve në Mal të Zi, këtë duhet ta thonë shqiptarët e atjeshëm dhe jo analistët që “u ngjiten” politikanëve, duke u thurur himne. Ai që e mban veten për analist e intelektual duhet të jetë i kursyer me lavde ndaj politikanëve. “Mos shkruaj për princa se do të pendohesh”, tha Kishi.

Për mua përkatësia shqiptare e Abazoviqit nuk thotë asgjë. Historia jonë ka dëshmuar se politikanë me përkatësi shqiptare kanë qenë në poste të larta shtetërore e perandorake, madje edhe mbretër, por nuk është se kanë bërë mrekulli për shqiptarët. Po ashtu, sot shumica e politikanëve shqiptarë nuk bëjnë asgjë për votuesit e tyre.

Dëshira ime është që Abazoviqi të punojë për një Mal të Zi europian dhe të qëndrojë sa më larg politikës proserbe. Një Mal i Zi europian është interes rajonal dhe shqiptar. Por, Abazoviqi nuk duhet të ketë iluzione se mund t’i korrigjojë ndarjet në shoqërinë malazeze. Nxitësit e përçarjeve brenda kësaj shoqërie kanë adresa të tjera. Jashtë Malit të Zi.