` . Një jetë kushtuar zhvillimit të gjuhësisë shqiptare - TV-SHENJA

Një jetë kushtuar zhvillimit të gjuhësisë shqiptare

Shkruan: Jolanda LILA, Tiranë

 

Vepra e profesor Emil Lafes i përngjan një yllësie për nga misioni, forca e ndikimit dhe vlerat shkencore. Kjo yllësi e ka ndriçuar mbarë arealin shqiptar dhe e ka mbrojtur nga terri përndarës dialektor, që nxit përçarje e kokëçarje të panevojshme. Gjuha është simboli më i qenësishëm i identitetit dhe i lashtësisë së një kombi, andaj sfida e formimit të gjuhës letrare të njësuar ka qenë një ndër pikat më të rëndësishme të programit të Rilindjes Kombëtare shqiptare, si kusht dhe shenjë vendimtare e pavarësisë së vendit.

Përgjatë viteve u bënë përpjekje të ndryshme për zgjidhjen e çështjes gjuhësore, por angazhimi vendimtar nisi pas çlirimit të vendit, ku u ndërmor puna konkrete për hartimin e rregullave drejtshkrimore (1948, 1951, 1956) dhe u hartua për herë të parë fjalori shpjegues, i mbështetur në dy variantet letrare, Fjalori i gjuhës shqipe (1954),i hartuar nga Instituti i Shkencave.

Profesor Emil Lafe është një ndër pasuesit dhe përçuesit më të denjë të ideve iluministe në Shqipëri. Ai, së bashku me prof. Eqrem Çabejn, prof. Mahir Domin dhe prof. Androkli Kostallarin, dhe me kontributin e shumë delegatëve të tjerë anekënd shqiptarisë, i dolën në krye sfidës më të madhe kombëtare, pikërisht njësimit të shqipes letrare përmes hartimit të rregullave të drejtshkrimit të saj.

I pasionuar pas punës shkencore, i dashuruar pas gjuhës shqipe, njohës i mirë i dialekteve të shqipes, profesor Emili mbetet shëmbëlltyra e gjuhëtarit serioz, me kompetencë shkencore dhe konsekuent në pikëpamjet e veta, në harkun kohor të gjashtë dekadave. Qysh në moshën 21-vjeçare, kur u emërua asistent pedagog në katedrën e gjuhës shqipe, ai i ngjiti shkallaret e suksesit falë përkushtimit dhe aftësisë së tij.

Emri dhe veprimtaria e profesorit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me problemet e zhvillimit të gjuhës shqipe letrare, me përvijimin dhe zbatimin e trajtave normative të saj dhe me qëndrimet parimore për ruajtjen e gjuhës letrare të njësuar shqipe. Për t’u thelluar në këto kahe zhvillimore, profesorit i janë dashur shumë vite pune për njohjen e dialekteve të ndryshme dhe tipareve e veçantive fonetike, gramatikore e leksikore të të dy dialekteve bazë të shqipes: gegërishtes dhe toskërishtes. Në mënyrë sipërfaqësore disa mendojnë se hartimi i rregullave të drejtshkrimit u diktua nga numri i përfaqësive krahinore dhe nuk i marrin për bazë rrethanat e tjera kulturore e historike, si dhe diskutimet disavjeçare për projektet e rregullave drejtshkrimore të botuara në vitin 1967 ose Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, të mbajtur një vit më vonë, pikërisht në prill 1968.

Profesor Emili është anëtar i komisionit hartues të rregullave të drejtshkrimit (1967), delegat dhe, njëherësh, sekretar i Komisionit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), si dhe një nga zërat më aktivë në fushën e gjuhësisë për problemet e sfidat me të cilat përballet gjuha shqipe sot.

Ai është njeri shumë i përpiktë si në shkencë, ashtu edhe në jetën e përditshme. Në mënyrë kronometrike e organizon punën e çdo dite, duke e programuar punën hulumtuese me atë organizative të revistës shkencore dhe konferencave që bashkërendon herë pas here. Për të, koha është aseti më i çmuar, ndërsa korrektësia është tipari më i dallueshëm i tij. Ai e çmon fjalën dhe kurrë nuk abuzon me të. Njeri i besës, fisnik e dinjitar, fjalëpak dhe përcaktues i prerë i çdolloj situate, ai vetvetiu i imponon respekt çdokujt, madje edhe atyre që nuk bien dakord me mendimet e tij.

Zëri i tij i qashtër e kumbues, i ngjyrosur me notat e intonacionit të shqipes ia përvijon më tej gjallërinë dhe ekspresivitetin e mendimit. Natyra e tij paqësore, qëndrimi i njerëzishëm dhe bashkëpunues, ia shtojnë më tepër hijeshinë e madhështinë profesorit, i cili është i gatshëm të të përgjigjet në çdo rast për problematikat që lidhen me gjuhën shqipe.

Numri i tij i telefonit dhe adresa e postës elektronike janë pika referuese e gazetarëve dhe studiuesve të rinj, të cilët e dinë gjithnjë se do të gjejnë një përgjigje të padiskutueshme nga profesori, i cili nuk bezdiset asnjëherë kur bëhet fjalë për çështje të gjuhës shqipe. Në shumë raste, ai ka marrë përsipër, vullnetarisht, organizimin e takimeve ndërgjegjësuese, sqaruese për problemet e gjuhës në media, por edhe në sfera të tjera shoqërore. Shumë herë i këshillon dashamirësisht të njohurit e vet për mënjanimin e gabimeve që shpërfaqen në komunikimet publike. Reagime të tilla i vijnë natyrshëm, sepse siç e përdor vetë në përcaktimin e kolegëve të vet të nderuar, ai nuk është nga ata që bëhen urë e vig të shkojë sipër i mirë e i lig.

Profesor Emil Lafe lindi në Vithkuq të Korçës më 27 qershor të vitit 1938, ku i ati gjendej me shërbim si kryetar i komunës. Ai rrjedh nga një familje e thjeshtë me ndjenja atdhetare dhe arsimdashëse. Dashurinë për gjuhën shqipe dhe përkushtimin për punën i kultivoi qysh në vitet e para të jetës nga prindërit e tij. Ishte fëmijë shumë kureshtar dhe kërkues ndaj vetes. Për shkak të transferimeve të herëpashershme të të atit, fëmijëria dhe rinia e tij kaluan nëpër qytete të ndryshme shqiptare, si: Kukës, Prizren, Berat, Lushnjë, Durrës e Vlorë, ku e kreu gjimnazin (1955).

Më 1959 u diplomua në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Po atë vit u emërua asistent në katedrën e gjuhës shqipe të këtij fakulteti, e cila kishte si objektiv kryesor përgatitjen e mësuesve të gjuhës shqipe për shkak të kërkesave të shumta që kishte vendi. Për përgatitjen e këtyre mësuesve u aktivizuan figurat më të dalluara të kohës, mes të cilëve edhe profesor Emili. Ndonëse i ri në moshë, ai spikati me formimin e tij. Prej emërimit në punë si pedagog, ai ka hartuar leksionet dhe ka lekturuar disa lëndë gjuhësore në Universitet. Për studentët, ai mbetet profesori serioz, kërkues, por tejet i drejtë në vlerësime.

Në periudha të ndryshme, përgjatë karrierës së tij akademike, ai ka qenë profesor i ftuar në Universitetin e Napolit, të Sant-Peterburgut, të Leçes, të Pekinit, të Beogradit etj.

Energjinë dhe kohën më të madhe ia mori puna në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, ku qe, për periudha të ndryshme, përgjegjës i sektorit të kulturës së gjuhës, të terminologjisë, të gramatikës dhe dialektologjisë, si dhe anëtar i këshillit shkencor, anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike”, kryeredaktor i revistës “Gjuha jonë” etj. Gjatë kësaj periudhe, ai u përfshi në veprën më madhore të kombit shqiptar, pikërisht në njësimin e gjuhës letrare shqipe. Ai ishte anëtar i komisionit që punoi për hartimin e projektit të ri të drejtshkrimit, duke u bërë pjesë e diskutimeve shkencore shumëvjeçare dhe duke studiuar në thellësi trajtat gjuhësore dhe shtrirjen e tyre. Përveçse si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, ai mori pjesë në përgatitjen e dokumentacionit të Kongresit, në cilësinë e sekretarit të