` . Një imam shqiptar si Vehbi Ismaili (1919-2008) - TV SHENJA

Një imam shqiptar si Vehbi Ismaili (1919-2008)

Imam Vehbi Ismaili lindi në Shkodër më 25 nëntor të vitit 1919. Filloi studimet e tij në teologji në Seminarin Islamik në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Në vitin 1937 shkoi në Egjipt për të ndjekur studimet në Universitetin e famshëm të Al Azharit.

Shkruan: Zekirja SHABANI

Një copëz të çmuar të vlerave të mozaikut kombëtar shqiptarë e përbën edhe Imam Vehbi Ismaili. Ndonëse veprimtarinë e zhvilloj në diasporë, Ismaili është një shembull i shkëlqyer në pasqyrimin e vlerave të mirëfillta kombëtare shqiptare. Euriditi Imam Vehbi Ismaili në korpusin e madh të kulturës shqiptare të autorëve të proveniencës myslimane zë një vend të veçantë. Imam Vehbi Ismaili është një emër i madh për shkencën islame shqiptare. Kjo shpjegohet me faktin se kur në trevat shqiptare kulturës islame në gjuhën shqipe i mungonte zëri, Imam Ismaili nga Amerika arriti me potencialin e tij prej një studiuesi të zellshëm ta ngrejë zërin duke e mbajtur gjallë traditën e islamologjisë shqiptare.

Imam Vehbi Ismaili lindi në Shkodër më 25 nëntor të vitit 1919. Filloi studimet e tij në teologji në Seminarin Islamik në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Në vitin 1937 shkoi në Egjipt për të ndjekur studimet në Universitetin e famshëm të Al Azharit. Po aty pena e tij filloj shkrimet në lidhje me Islamin, Profetin Muhamed a.s, interpretimin e kuptimit të Kur’anit, si dhe përkthimin e shumë librave. Imam Ismaili në Universitetin e Al-Azharit u diplomua në vitin 1945, por nuk u kthye në Shqipëri. Ai ishte këshilluar nga i ati që të mos kthehej në vendlindje, pasi që komunistët e kishin marrë kontrollin e të gjitha xhamive dhe e kishin shfuqizuar fenë. Nga kjo politikë pësoi edhe familja e Imam Ismailit, e cila i kaloi vitet e fundit të jetës në kampet e përqendrimit, për të mos e parë përsëri Imam Ismailin. Në Egjipt Imam Vehbi Ismaili u ndërtua si një ekspert për Kur’anin dhe Islamin. Gjatë studimeve krijoi një miqësi të afërt me mbretin e atëhershëm Faruk të Egjiptit, po ashtu shqiptar. Në këto rrethana në fund të prillit të vitit 1945 Imam Ismaili detyrohet të shkoj në SHBA, i ftuar nga Komuniteti Shqiptaro-Mysliman i Miçigenit dhe kështu vendoset në Detroit. Imam Ismaili, në vitin 1949, e organizoi Kongresin e Parë të Shqiptarëve të Detroitit. Po ashtu, në të njëjtin vit, Imami Ismaili e kishte kryer ceremoninë e parë të varrimit si imam në SHBA. Ceremonia e varrimit ishte e Mithat Frashërit, djalit të Abdyl Frashërit, që kishte shprehur dëshirë të përcillej nga kjo botë si suni. Gjatë viteve 1950-1958 ai e botoi revistën “Jeta muslimane shqiptare”, e cila dilte në gjuhën shqipe dhe angleze. Duke mos pasur një vendqëndrim për t’i zhvilluar aktivitetet fetare dhe kombëtare, në vitin 1951 komuniteti shqiptar arriti ta blejë kishën armene dhe pas disa ndryshimeve aty fillojnë aktivitetet e komunitetit shqiptar mysliman. Kështu më 6 qershor të vitit 1951 u hap xhamia e parë, e cila në vitin 1959u zgjerua. Më pas, në vitin 1963, veprimtaria e saj vazhdoi në një objekt tjetër të njohur si Qendra Islame Shqiptare.

Qendra Islame Shqiptare, Harper Woods, Michigan. (Albanian Islamic Center of Michigan)

“Muhammedi, Profeti i Fundit” është një nga botimet më të rëndësishme që Imam Ismaili e botoi në vitin 1962, botuar në anglisht dhe përkthyer në tetë gjuhë të tjera. Gjithashtu Imam Ismaili është autor i më shumë se 35 librave që janë të përkthyera në mbi 25 gjuhë të ndryshme.

Imami nga Shkodra i përktheu veprat e Koliqit, shkroi në revistën Zani i Naltë, organ mujor i Komunitetit Mysliman Shqiptar, e përktheu veprën “Banorët e Shpellës” nga Tefik El Hakimi, me motive nga Kur’ani etj. Publikimet nga pena e Imam Vehbi Ismailit janë shumë tepër se kjo që është prezantuar në këtë shkrim. Kontribut të madh në njohjen e shkrimeve të Imam Vehbi Ismailit në gjuhën shqipe ka dhënë shtëpia botuese Logos-A nga Shkupi që e ka përmbledhur jetën dhe veprimtarinë e Imam Vehbi Ismailit në një vëllim në përbërje prej 8 librave.

Gjatë viteve 1970-1980 Imam Ismaili e vizitoi 3 herë Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Në vitin 1988 e vizitoi Shqipërinë pas 49 vitesh. Duke iu referuar këtij viti, nga 1988 i kemi sinjalet e mëtejshme të lirimit të udhëtimit të klerikëve në Shqipëri. Në vitin 1991 ai e vizitoi Shqipërinë me një delegacion të madh nga SHBA-të. Dy vite më pas u themelua Komuniteti Musliman Shqiptar për SHBA dhe Kanada me kryetar Imam Vehbi Ismailin dhe pastaj u botua revista fetare “Thirrja Islame”. Sali Berisha, ish kryetar i Shqipërisë, në vitin 1996 e dekoroi Imam Ismailin me urdhrin “Flamuri i demokracisë” për mirënjohje dhe kontribut.

Vlen të theksohet se Imam Vehbi Ismaili dha një kontribut të madh në afirmimin e çështjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës së luftës së fundit. Imam Ismaili botoi një sërë artikujsh mbi Kosovën që kishin për synim informimin e opinionit amerikan për realitetin historik dhe gjendjen e rëndë që po e kalonte populli shqiptar i Kosovës. Ai theksonte se Kosovën e kishte dashur që në fëmijëri dhe duke i studiuar përpjekjet e popullit shqiptar që nga Lidhja e Prizrenit e deri në pavarësinë e cunguar, shqiptarët e Kosovës kishin derdhur më shumë gjak për të.

Imam Ismaili në vitin 1999 ishte thirrur për të ndihmuar në luftën e Kosovës përmes mikut të tij, presidentit Ibrahim Rugova. Me këtë të fundit pati dy takime derisa Ibrahim Rugova e kishte vizituar SHBA-në.

Me 16 nëntor të vitit 1999 në Washington DC Imam Vehbi Ismaili, për kontributin e tij në shoqërinë amerikane dhe përpjekjet e tij për paqe, i akordohet një nderim gjatë sesionit të hapur të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 17 maj të vitit 2008, pas qëndrimit në spital ai lirohet për në shtëpi, ku më pas ndërron jetë në karrigen e tij duke lexuar Kur’an në Michigen.

Imam Vehbi Ismaili arriti ta organizojë në Amerikë komunitetin shqiptar mysliman dhe të vendosë ura bashkëpunimi me komunitetet të tjera fetare shqiptare. Shembull është miqësia dhe bashkëpunimi i pandashëm me komunitetin shqiptar të krishterë. Në truallin amerikan Imam Ismaili gëzonte një vlerësim të lartë nga gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan. Si prijës fetar ai arriti të krijojë harmoni vëllazërore ndërshqiptare në SHBA, duke u bërë shembull i çmuar i traditës sonë dhe tolerancës ndërfetare. Siç e përshkruan edhe një shkrimtar shqiptaro-amerikan, Gary Kokalari, “Imam Vehbi ishte një njeri i shenjtë, një shqiptar, një njeri i familjes, një njeri i mençur, një njeri tolerant, një njeri inteligjent, një njeri i dashur, një njeri fisnik, njeri i përulur…”

Imam Vehbi Ismaili ishte ithtarë i shprehjes “Ku ka xhami ka Shqipëri”. Këtë e rezauronte me atë se në historinë e shqiptarëve feja nuk ka qenë asnjëherë pengesë e bashkimit kombëtar shqiptarë.

Imam Ismaili ishte erudit i kohës, dijetar i fuqishëm në shumë fusha, të cilat reflektonin edhe në predikimet e tij në komunitet. Ai posedonte një afinitet të lartë argumentues dhe sugjestiv. Ai ishte kultivues dhe proklamues i tolerancës ndërfetare që e konsideronte si një vlerë të çmuar fetare e kombëtare. Dëftues për këtë është edhe fjalimi i Imam Vehbi Ismailit në vitin 1985 në kishën e Shën Injacit në Kaliforni në përkujtim të 40 vjetorit të persekutimit fetar në Shqipëri. Imam Ismaili e fillon fjalimin me përshëndetjen Islame “Es-selamu alejkum”, duke iu referuar të pranishmëve si “vëllezër dhe motra”. Imami qysh në fillim shpreh mirënjohje ndaj atyre që e kishin ftuar në atë ngjarje. Fjalime të tilla rrallë shkruan pena e një intelektuali, patrioti shqiptarë. Imam Vehbi Ismaili në pjesën e parë të fjalimit thekson se “Ne po jetojmë sot në një botë të rrezikshme, fanatizmi – politik, fetar dhe racor kanë nxitur një sulm frontal mbi vlerat shpirtërore dhe morale, të cilat na i kanë dhuruar përvojat tona njerëzore dhe kryesisht trashëgimia jonë fetare… Lufta midis së mirës dhe së keqes ka arritur përmasa ogurzi. Për ne udhëheqësit fetarë, kjo luftë ka fituar edhe një dimension unik. Nuk është lufta e një feje kundër një feje tjetër që po dëshmojmë sot.

Imam Vehbi Ismaili është pishtar i vlerave polivalente të shoqërisë, është proklamues i vlerave universale që i takojnë gjithë shoqërisë që lidhen me kulturën, traditën, fetë. Ai ishte human dhe mbajti qëndrim njerëzor e fisnik me çka dëshmoi dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve pa dallime etnike, fetare dhe racore. Kjo që e theksova mund të kuptohet edhe nga një pjesë tjetër e fjalimit të tij në kishën e Shën Injacit: “Një prift i krishterë ose një imam musliman i vrarë në Shqipëri ose në Kinë, një i burgosur shqiptar në Jugosllavi ose një aktivist hebre i torturuar në Bashkimin Sovjetik, një punëtor i zi në Afrikën e Jugut, ose një fermer i uritur në Etiopi, një luftëtar lirie i prerë në copa në Afganistani ose një nënë e pafajshme libaneze që nuk pranon të mbështetet në varret e freskëta të fëmijëve të saj të vegjël të vrarë nga lufta, të gjitha këto janë plagë të pariparueshme të prekura nga dinjiteti ynë njerëzor, sepse ato zvogëlojnë dimensionet tona njerëzore, dhe prandaj, ai duhet të kundërshtohen me çdo kusht. Edhe dobësia e natyrës sonë njerëzore ka kufijtë e vet. Verbërësia, shurdhimi dhe heshtja kanë vrarë miliona tashmë. Ne duhet të shohim, duhet të dëgjojmë, duhet të flasim dhe të parandalojmë holokaustet e ardhshme kundër njerëzimit. Çdo gjë më pak do të ishte e barabartë me tradhtimin e njerëzimit tonë!

Pjesa e dytë e fjalimit të Imam Ismailit është ndërtuar mbi një kritikë të hapur ndaj autoriteteve të qeverisë në Shqipëri, siç ironizon ai me politikat antifetare në emër të “mendimit shkencor”. Ai thekson se nuk do të ketë paqe në Shqipëri përderisa populli shqiptar me të gjitha komunitetet fetare nuk janë të lirë të besojnë nga frika e përndjekjes dhe për aq kohë sa kleri nuk është i lirë t’i shërbejë shoqërisë, siç thekson Imam Ismaili “kopesë së tyre si barinj të Zotit të Plotfuqishëm”. Gjithashtu Imam Vehbi Ismaili më tej thekson se: “Nuk do të ketë paqe në Shqipëri për aq kohë sa në kisha nuk bëjnë zhurmë këmbanat  e tyre, e muezini nuk i thërret besimtarët nga minaret..

Përkujtimi i 40-vjetorit të persekutimit fetar në Shqipëri. Drejtuesit Fetarë Shqiptarë: Nargay, Ndrevashay, Gardin dhe Imam Vehbi Ismaili

Në intervistën e dhënë për “Zërin e Amerikës” me rastin e përkujtimit të përvjetorit të ngjarjes së 11 Shtatorit të vitit 2001 Imam Vehbiu gjithashtu kishte theksuar se “ngjarjet e 11 shtatorit shkaktuan dhimbje veçanërisht tek të gjithë ata që besojnë në parimet e tolerancës fetare dhe për sa i përket tolerancës fetare, shqiptarët kanë një përvojë të suksesshme nga e cila bota mund të mësojë shumë”. Imam Ismaili ishte vazhdimisht promovues i detajeve të rëndësishme historike se Shqipëria qe i vetmi vend në Evropë që nuk ua dorëzoi nazistëve asnjë pjesëtarë të komunitetit fetar hebraik. Ndërkaq të dhënat historike janë tregues se Shqipëria ishte një strehë e sigurt për disa qindra refugjatë hebrenj nga vendet e tjera.

Imam Vehbi Ismaili kishte ndërtuar një raport të shkëlqyer me komunitetet e tjera fetare, madje kishte tone kritike ndaj atyre që tentonin të përçajnë shqiptarët duke i përdorë fetë si mjet për arritjen e këtyre qëllimeve. Sot qasje të tilla gravitojnë hapur në qarqe intelektuale dhe në gjithë rrafshin e krijimtarisë mediatike, madje jo vetëm. Veprimtaria e imamit shkodran është përgjigjja më e mirë ndaj të gjithë atyre që tentojnë ta paraqesin komunitetin shumicë mysliman në trevat shqiptare si pengesë të zhvillimit dhe të evoluimit të shoqërisë shqiptare.

Element tjetër i rëndësishëm që duhet theksuar është shoqërimi i Imam Vehbi Ismailit me Fan S. Nolin, të cilin ky i fundit vazhdimisht e ftonte në kuvendet e Vatrës. Gjithashtu ai kishte kontribuar në ndërtimin e Qendrës së re Islamike, ndërsa Imam Vehbi Ismaili ishte njëri nga folësit në varrimin e Fan S. Nolit.

Në foto: Kristo Thanas, Imam Vehbi Ismaili, Fan Noli, Baba Rexhebi, Anthony Athanas, Boston 1959.

Poliedriku Imam Vehbi Ismaili ishte inkuadruar denjësisht në çështjen kombëtare shqiptare për ruajtjen e identitetit kombëtar, e cila ishte bazë esenciale e mendimit estetik të tij, që është produkt i mendësisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Sot veprimtaria e Imam Vehbi Ismaili duhet të shërbejë si frymëzim dhe model për klerikët fetarë dhe shoqërinë shqiptare. Ai e kaloi jetën në shërbim të atdheut, duke promovuar vlerat shqiptare, harmoninë fetare. Siç pohonte Imam Vehbi Ismaili, “Shembulli më i mirë i bashkëpunimit dhe tolerancës midis feve të ndryshme mund të gjenden këtu në Shtetet e Bashkuara të bekuara dhe midis besimtarëve shqiptarë”.