Një anije me flamurin e Panamasë fundoset në Detin e Zi

Një anije me flamurin e Panamasë fundoset në Detin e Zi

Një anije me flamurin e Panamasë është fundosur në Detin e Zi, në ujërat e provincës turke Samsun, raporton AA.

Zyra e Guvernatorit të Samsunit njoftoi se fundosja e anijes ndodhi 80 milje nga brigjet e Samsunit.

Guvernatori Osman Kaymak bëri të ditur se nga gjithsej 13 anëtarë të ekuipazhit, ekipet e shpëtimit në vendin e fundosjes së anijes kanë shpëtuar shtatë persona, ndërsa gjashtë të tjerë kanë humbur jetën.

Ai tha se të gjithë të shpëtuarit janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Fatkeqësisht, gjashtë kishin humbur jetën para se ne të arrinim, ndërsa të mbijetuarit i shpëtuam të gjithë. Aktualisht po përpiqemi t’i marrim të vdekurit. Anija është fundosur në tërësi. Anija gjendet në thellësi 2.000 metra. Edhe kapiteni i anijes ka humbur jetën”, tha Kaymak.

Siç u bë e ditur më herët, anija e ngarkuar me qymyr është ndarë në dy gjysma.