Nisma e paqartësive

Nisma e paqartësive

“Ballkani i Hapur” nuk përkrahet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe nga kryetari malazez, Milo Gjukanoviq. Dy politikanët, që e përkrahin Procesin e Berlinit, janë skeptikë ndaj “Ballkanit të Hapur”, sepse e njohin më thellë politikën serbe dhe përballen me problemet e shkaktuara nga Serbia.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Vagonë të stërmbushur me mijëra njerëz dhe të paketuar si në kuti konserve, të cilët dëbohen prej vendit të tyre. Një luginë me mijëra njerëz që presin ta kalojnë kufirin për të mbijetuar. Qindra mijëra refugjatë jetojnë nëpër tenda pasi kanë humbur gjithçka. Kontejnerë me kufoma zhytur në Danub. Një nënë e gjorë e shtron tryezën për burrin dhe djemtë e pagjetur. Një nënë e përvuajtur, e lodhur dhe krenare shtegton me foshnjën në gji pa e pasur asnjë adresë. Një burrë ngjitet kodrës me babanë e sëmurë mbi shpinë, ashtu sikurse Eneu me Ankizin, siç e përshkruan Virgjili.… Janë disa imazhe që i shënojnë vuajtjet e një populli të dëbuar nga atdheu i shkrumbuar. Pastaj, një ministër propagande, që i mohon krimet dhe e fajëson viktimën. Agjitpropi i regjimit quhet Aleksandar Vuçiq.

Kohërat kanë ndryshuar. Agjitpropi tani shfaqet në rolin e paqësorit, por nuk është si personazhet që ndryshojnë në një vepër letrare. Është personazh statik. I pandryshueshëm.

Serbia është e njëjta. Ajo nuk ka nxjerrë liderë tjerë. Aty ka politikanë si Vuçiqi që u thotë europianëve:“Aq sa ju e doni integritetin territorial të Ukrainës, serbët e duan integritetin territorial të Serbisë”. Ka ministër të Mbrojtjes, si Vulini, që e propagandon “Botën Serbe”. Ka politikan, si Ivica Daçiqi, që ishte krahu i djathtë i Millosheviqit. Ka kryeministre, si Ana Bërnabiq, e cila pa brerje në ndërgjegje e mohon gjenocidin në Kosovë. Se për të nuk është gjenocid kur vriten mijëra njerëz, përfshirë fëmijët…, kur mbushen kontejnerë me kufoma…, kur dhunohen mijëra gra…, kur dëbohet një popull nga vendi i tij…

Mbivendosje apo përplotësim

Përkundër shumë dhimbjeve, duhet të provohen mundësitë e sinqerta, qofshin utopike, kur synojnë ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve të Ballkanit. Bashkëpunimi mundëson paqe, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe integrim të rajonit në BE. Secili që i respekton vlerat themeltare europiane dhe e ëndërron ditën kur rajoni do të jetë pjesë të BE-së, i përkrah nismat e sinqerta bashkëpunuese në Ballkan. Paqja dhe stabiliteti rajonal siguron jetë pa trazime për brezat e ardhshëm. Por, kjo kërkon parakushte. A e ofron këtë mundësi nisma “Ballkani i Hapur”? Ka më shumë dyshime sesa optimizëm. Dyshimet lindin dhe përligjen për shkak të Serbisë. Pa Serbinë, që ka shkaktuar e shkakton probleme në rajon, veçanërisht në Kosovë, BeH dhe në Mal të Zi, askush nuk do të kishte dilema për nismën rajonale. Veprimet nacionaliste dhe ekspansioniste të elitave politike, kulturore e religjioze serbe i bëjnë të kujdesshëm disa liderë rajonalë rreth “Ballkanit të Hapur”, që fillimisht nuk pati përkrahje ndërkombëtare dhe u duk si përpjekje e tre liderëve të zhgënjyer ballkanas: Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev. Dyshimet u sforcuan kur nisma pasoi pas Procesit të Berlinit, që e mëton bashkëpunimin rajonal.

Kur ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha se Rusia ishte përkrahëse e“Ballkanit të Hapur”, atëherë në skenën politike u shfaqën diplomatët. Ambasadori amerikan në Serbi, Kristofer Hill tha se: “Shtetet e Bashkuara i përkrahin nismat që synojnë integrimin rajonal”. Ai e quajti “sarkastike dhe me vullnet negativ” deklaratën e Sergej Lavrovit, ndërsa theksoi se kryediplomati rus “nuk ishte mbështetës i Ballkanit të Hapur”. I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se nisma duhej të ishte vetëm ekonomike dhe t’i përfshinte gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë. Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhelyi, e quajti nismën shumë të mirë, sepse buron nga rajoni. Madje, tha se “Kosova shpejt do ta kuptojë se ‘Ballkani i Hapur’ sjell vetëm përfitime”. Sipas tij, “Ballkani i Hapur” nuk është konkurrencë ose mbivendosje në Procesin e Berlinit, i cili nisi në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, por janë procese përplotësuese. Por, shtoi ai, atëherë kur i gjithë rajoni do të jetë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” mund t’i rikthehet Procesit të Berlinit. Kancelari gjerman, Scholz më shumë ka folur për Procesin e Berlinit: “Është e qartë që marrëveshja në fund duhet ta zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy shtete, që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së”, tha ai.

“Ballkani i Hapur” nuk përkrahet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe nga kryetari malazez, Milo Gjukanoviq. Dy politikanët, që e përkrahin Procesin e Berlinit, janë skeptikë ndaj “Ballkanit të Hapur”, sepse e njohin më thellë politikën serbe dhe përballen me problemet e shkaktuara nga Serbia.

Për Albin Kurtin, vetëm Procesi i Berlinit mund t’i përshpejtojë reformat dhe t’i afrojë gjashtë shtetet e Ballkanit më pranë bllokut europian. Kosova nuk mund të bëhet bashkë “me shtetin që nuk i dënon krimet e kryera në Kosovë dhe krimet e Rusisë në Ukrainë”. Kurti, pra, nuk është kundër bashkëpunimit rajonal dhe, me të drejtë, ka dyshime.

Edhe kryetari malazez, Milo Gjukanoviq, ndryshe nga kryeministri Dritan Abazoviq, është kundër dublimit të nismave rajonale. Procesi i Berlinit, sipas tij, e parasheh bashkëpunimin dhe tregun e përbashkët rajonal me standarde europiane, kurse këtë nuk e përmban “Ballkani i Hapur”. Qytetarët, sipas tij, mund të lëvizin lirshëm deri në Kroaci e Slloveni, aty ku fillon BE-ja. Ai e sheh “Ballkanin e Hapur” si shprehje indinjate të disa liderëve të rajonit për shkak të ndërprerjes së procesit të zgjerimit europian.

Në BE nuk ka qëndrim të prerë e të qartë për integrimin e rajonit në BE. Edhe pse mendimtarët evropianë kaherë e kanë kërkuar integrimin e shpejtë të Ballkanit në BE, ka politikanë që duan të krijojnë “korridor” për pritje të gjatë të shteteve të rajonit derisa të integrohen në BE.

Dyshime të përligjura

A janë të përligjura kundërshtimet dhe dyshimet ndaj “Ballkanit të Hapur”? Kjo është pyetje që mund t’i përgjigjemi me pyetje të shumta. A mund t’i besohet një Serbie që armatoset nga Rusia dhe Kina? A mund t’i besohet një Serbie ku dominojnë ndjenjat pro-ruse, anti-europiane dhe anti-NATO, aty ku krerët deklarohen për bashkëpunim rajonal dhe refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet të pavarur e as nuk kërkojnë falje për krimet në Kosovë, aty ku përkrahet “Bota serbe” që krijon probleme në Mal të Zi, BeH, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut? A mund t’i besohet një Serbie që synon realizimin e “Memorandumit të Dytë”?

“Memorandumi i Dytë”,  i njohur si “Strategjia për ruajtjen dhe zhvillimin e lidhjeve të shtetit amë me diasporën dhe serbët në rajon”, synon që “lidhjet” ndërmjet serbëve në rajon të realizohen nëpërmjet Kishës Ortodokse Serbe. Ai parasheh aksione diplomatike dhe propagandistike për shmangien ose zvogëlimin e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës; lobimin dhe propagandën, që shtetet si Bosnja, Kroacia dhe Kosova, të detyrohen të heqin dorë nga paditë kundër Serbisë në gjykatat ndërkombëtare; krijimin e perceptimit se Serbia në luftërat në ish-Jugosllavi ishte shtet i dëmtuar si shtetet e tjera të rajonit; diskreditimin e Gjykatës së Hagës; destabilizimin e qeverive të shteteve të rajonit sa herë që krijohet mundësia; provokimin e trazirave të brendshme dhe pakënaqësive në shtetet fqinje; shkëputjen e Republika Srpska-s; unitarizimin e serbëve në rajon në bashkësi unitare serbe; pengimin e funksionimit të shteteve të rajonit; forcimin e elementit serb në Maqedoni; përfshirjen e serbëve në Slloveni si pakicë kombëtare etj.

“Memorandumi i Dytë” nuk është teori komploti. Dikur u kundërshtua edhe nga Sonja Biserko. Ajo i akuzoi elitat mbizotëruese se vazhdonin ta projektonin Serbinë si “padrone të rajonit”, t’i keqpërdornin serbët dhe të provokonin situata tensioni në rajon.

Elitat politike, kulturore dhe religjioze serbe ëndërrojnë një Serbi si “padrone e Ballkanit”. Kjo nuk do të lejohet nga shtetet tjera. Prandaj askush nuk mund t’i parashikojë efektet e “Ballkanit të Hapur”.

Na duhet një Ballkan pa pengesa të lodhshme e të ankthshme; me qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, ideve; me treg të zgjeruar rajonal. Ndoshta një ditë njerëzit do të udhëtojnë më shumë dhe do të kenë më pak paragjykime. Natyrisht, kur do të udhëhiqen nga politikanë që do ta kenë guximin t’i gjykojnë gabimet e së kaluarës dhe nuk do t’i mohojnë krimet.