` . Nis transferimi i migrantëve nga Vuçjaku - TV SHENJA

Nis transferimi i migrantëve nga Vuçjaku

Në Bosnje dhe Hercegovinë nisi të martën transferimi i migrantëve nga kampi i improvizuar Vuçjak në një qendër të përkohshme pranimi, afër Sarajevës.

Nermina Qemaloviq, ministre e Shëndetësisë në Kantonin Una-Sana, ku edhe ndodhet Vuçjaku, tha se çdo gjë po shkon sipas planeve.

Kryeministri i këtij kantoni, Mustafa Ruzhniq, nuk u deklarua për media, ndërsa për nesër paralajmëroi konferencë shtypi.

Autoritetet në Bosnje janë përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Evropian për kushtet e rënda në kampin Vuçjak.

Kampi, i cili ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95, nuk ka as ujë, as energji elektrike, tualete apo shtretër.

Për disa muaj, atje kanë jetuar rreth 600 migrantë.