Ngazëllimi i Ramës për xhaminë e famshme të Shkodrës: ndër më origjinalet në botë!

Ngazëllimi i Ramës për xhaminë e famshme të Shkodrës: ndër më origjinalet në botë!

Kryeministri Rama përcolli këtë mëngjes lajmin e nisjes së rikonstruksionit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, një ndër më historiket e të veçantat në Shqipëri, por sipas tij dhe në botë.

“….Dhe me lajmin e mirë se pas faljes së fundit mbrëmë në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, u hap kantieri më i ri në fushën e trashëgimisë kulturore, për një nga objektet pa asnjë ekzagjerim më origjinale të arkitekturës islame në botë, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan i pari i qeverisjes.

Kujtojmë se Xhamia e Plumbit në Shkodër përmbytej rregullisht nga shirat dhe se po shkonte ekstremisht drejt degradimit. Ajo është xhamia ku ristartoi jeta fetare islame në 91-shin, pas mbylljes në 67-ën me urdhër partie të çdo aktiviteti fetar, pas së cilës Shqipëria komuniste u vetëshpall vend ateist me Kushtetutë.

Dhe duket cinik fakti që rehabilitimi i shumë objekteve fetare, përfshirë dhe xhamitë, ku veçon  dhe kjo e famshmja e Shkodrës, po bëhet me inisiativën e atyre që për një pjesë të shoqërisë cilësohen ende si pasardhës komunistësh.

Madje kohë më parë, drejtues të Islamit në Shkodër do ia faturonin pushtetit aktual degradimin e Xhamisë së Plumbit, duke e gjykuar si të pandjeshëm ndaj objektit në fjalë për shkak të trashëgimisë antifetare.

E tani vjen rasti që kryeministri i vetëshpallur katolik, me baba ish-komunist e gjyshe besimtare(katolike), lajmëron me ngazëllim nisjen e rehabilitimit të xhamisë, duke i dhënë asaj dhe një vlerë me përmasa botërore. /tesheshi.com/