` . Nga njëri kafaz në tjetrin - TV SHENJA

Nga njëri kafaz në tjetrin

Sa për kujtesë, drejtësia është të mos cenosh askënd e asgjë; të duash për tjetrin atë që do për veten; t’i vendosësh gjërat në vendin që u takon. Drejtësia është drithërima e të fortit kur i dobëti i thotë “do të hedh në gjyq”.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Ne kemi kërku vazhdimisht gjëra që nuk dihet se çfarë janë, gjëra për të cilat nuk ka patur dhe nuk do të ketë një kuptim apo një përgjigje bindëse. Për shembull, kemi kërku mënyra qeverisëse si mbretëria, republikanizmi, konservatorizmi, komunizmi, socializmi, liberalizmi, tradicionalizmi e kështu me radhë; por, në thelb, në mënyrë gati të pavetëdijshme, kemi kërku drejtësinë, domethanë drejt-uesit të mos jenë devijuesit tanë.

Sa herë që ka patur lëvizje masive në kërkim të një prej këtyre doktrinave/ideologjive, “të pushtetshmit” janë tërheqë nga skena për t’i ba vend ideologjisë së radhës, dhe me hir a me pahir na kanë dhanë atë që po kërkonim. Domethanë, doni këtë, ja ku e keni – kjo është. Doni këtë tjetrën, ja ku e keni – e tillë është. Kështu, në fillim ne mendojmë se do të na japin atë që po kërkojmë, por, tjetër gja del gjatë rrugës.

Gjendja do të jetë krejt tjetër nëse do të kërkojmë atë që të gjithë e dimë se çfarë është: drejtësinë, sepse të gjithëve na lëndon padrejtësia; e kur të mos e ndiejmë këtë lëndim, atëherë ka drejtësi. Sa për kujtesë, drejtësia është të mos cenosh askënd e asgjë; të duash për tjetrin atë që do për veten; t’i vendosësh gjërat në vendin që u takon. Drejtësia është drithërima e të fortit kur i dobëti i thotë “do të hedh në gjyq”.

E dimë shumë mirë se ç’është drejtësia, por nuk e veprojmë po kaq mirë. E kërkojmë atë te të tjerët, por jo te vetja. Kjo është zemra e problemit.

Nuk ka nevojë me lexu Aristotelin apo Spinozën për me kuptu se çfarë është drejtësia, megjithëse bajmë mirë nëse i lexojmë.

Nëse nuk jemi të drejtë, nuk do të na ndahen “reformat” nga shpina; kalimet nga shiu në breshër dhe anasjelltas. Kemi harru se ka edhe mot pa shi e breshër!

Reformat janë tëhuajësime, më pas përdorim dhe zhvatje e pasurisë së një vendi. Në thelb, këtë ka ba kolonializmi dje dhe neokolonializmi sot. Tragjedia është po ajo, ndryshojnë vetëm kostumet.

Pra, çdo reformë, sidomos ato që imponohen nga jashtë, nuk janë gja tjetër veçse tjetërsim i shpirtit/karakterit të një shoqërie, ndërhyrje në ADN-në e saj, uniformizim i dhunshëm, derisa pjesëtarët e asaj shoqërie fillojnë e thonë “ky vend nuk bahet”, dhe në këtë mënyrë nis “zhvillimi” i saj. Thelbi i çdo reforme është krijimi i kopjes së përsosur të një shoqërie, duke zhdukë kështu origjinalin. Sa ma e përsosur kjo kopje, aq ma i huaj do të ndiehet njeriu në shtëpinë e vet.

Nëse nuk jemi vetë të drejtë nuk kemi se si me kërku drejtësi.

Nëse dikush thotë se kjo është ideale apo një formë ëndërrimi, ose është dorëzu, ose përfiton nga mbajtja në këmbë e status quo-së.

E shkuara e dëshmon qartë se çdo reformë jashtë njeriut është iluzion, madje një iluzion i frikshëm, sepse kjo nënkupton me e refomu me zor një shoqëri, para kohe, qoftë dhe me qëllimin e mirë. Por, në të tilla raste nuk mjafton qëllimi i mirë nëse edhe veprimi nuk është i tillë; nëse edhe veprimi nuk është i përshtatshëm, në përputhje me cilësitë-thelb të asaj shoqërie ku synohet të ushtrohet.

Kjo do të thotë me i imponu shoqërisë diçka të huaj, që nuk përputhet me karakterin apo identitetin e saj. Fundja, çdo shoqëri ka veçantinë e vet, dhe nëse kjo nuk merret parasysh, çdo reformë do të ishte si me heqë një dhëmb të shëndoshë për me e zëvendësu me një “më të mirë” nga laboratori!

 

*          *          *

 

“Prej abtraksioneve që njeriu gjen në libra, mund të ndërtojë vetëm sisteme që shndërrohen në kafaze për vetë atë.” (Kafka, sipas Janouch-it)

Sa shumë njerëz kanë ekzaltu dhe vazhdojnë me ekzaltu në mënyrë të pashërueshme këto “abstraksione” (sidomos ato të Hegel-it dhe Marx-it), sepse shkuan aq larg sa i morën si të vërteta absolute që duheshin përkthyme çdo çmim në veprim politik, në modus vivendi, qoftë dhe duke i burgosë apo vrarë ata që mendonin ndryshe. Çdo parajsë këtu dhe tani përfundon në një ferr të pashmangshëm. Nuk mund të bahemi engjëj, por nuk mund të mbetemi as kafshë. Këtë mister nuk mundet me e zgjidhë arsyeja, por vetëm zemra; domethanë, dashuria pa kushte për të vërtetën tonë të papërkufizueshme. A nuk është dashuria “mungesa e gjykimit”, siç thotë Dalai Lama?! Kështu që, mos e gjyko të vërtetën tënde. Vetëm duaje.