` . Nevojë për njëra tjetrën, por dhe thika pas shpine - TV SHENJA

Nevojë për njëra tjetrën, por dhe thika pas shpine

Refleksi i raporteve shpesh të palogjikshme janë sidomos kur partnerët e koalicionit (si s’u mësuan një herë partitë!), bëjnë fushatë njëra kundër tjetrës, sikur në rastin e parë që t’u jepet nesër, nuk do të mbështeten prapë te njëra tjetra nëse për këtë do të kenë nevojë për koalicion!

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Se çfarë rezultati do të japin zgjedhjet e 15 korrikut dhe çfarë kombinimesh mund të bëhen pas tyre, kush me kë do të bëjë koalicion, a do të hyjnë ata që janë sharë midis vete, siç ishte koalicioni i kaluar (sepse Xhejms Bondi i kishte mësuar “kurrë mos thuaj kurrë”), a do të kthehet sërish formula që funksionoi dhjetë vjet “fituesi me fituesin”, apo sipas afërsisë programore (ideologjike), apo sipas ndonjë formule të tretë, do të shohim. Koalicionet deri tash në Maqedoni i kanë thyer të gjitha formulat, prandaj asgjë nga më parë nuk mund të merret si e gatshme, sepse kur janë në lojë interesa të mëdha, gjithçka është në lojë (çdo mjet që mund të shfrytëzohet) dhe gjithçka e mundur.

Zënkat midis Petar Shilevovit (kryetarit të Shkupit) dhe Visar Ganiut (kryetar i Çairit), se kush e ka bërë rrethin në kufirin midis komunës Çair dhe Butel (te shkolla ekonomike) para pak kohe, mund të merret si episod para zgjedhor, por dhe si një stil, apo klishe përplasjesh të partive ndër ne. E keni parasysh, këta dy kryetarë janë zgjedhur nga një koalicion midis BDI-së dhe LSDM-së, kurse sot zihen për një rrethrrotullim se kush do t’i marrë meritat. Sigurisht se votat që i nevojiteshin Shilegovit, e që iu siguruan nga votuesit e BDI-së në zgjedhjet lokale kundrejt Koce Trajanovskit (VMRO-DPMNE) të fortë kishin vlerën e arit. Ndoshta edhe anasjelltas, ndihma e LSDM-së në Çair ose Strugë, nuk ka qenë për t’u hedhur poshtë. Prandaj dhe janë koalicionet. Këto parti bënë këtë lloj koalicioni, sepse edhe në pushtetin qendror ishin në koalicion, kurse në zgjedhjet presidenciale, ku pas dy mandatesh të Gjorge Ivanovit të VMRO-së, erdhi një kandidat i LSDM-së, nuk do të zgjidhej asnjëherë të mos ishin votat shqiptare. Përkrahja e hapur e BDI-së ia dha vulën e një “presidenti konsensual”, duke i dhënë një peshë më të madhe se sa përkrahja fshehtas që e kanë marrë kandidatët maqedonas nga partitë shqiptare, zakonisht në rrethin e dytë. Episodi i zgjedhjeve të fundit presidenciale hodhi një hap tutje kulturën politike, ose më saktë, kulturën e bashkëpunimit midis partive të dy kampeve politike etnike. Me gjithë këtë histori bashkëpunimi, sot këto dy parti bëjnë fushatë njëra kundër tjetrës, sikur të mos kishin qenë në koalicion gjatë mandatit që ende nuk e kanë përfunduar. “Piketimi”i BDI-së postin më të lartë në qeveri, LSDM-ja e kuptoi si një kanosje për votat që herë e kaluar i kishte marrë nga shqiptarët.

 

Klishetë e roleve

 

Interesat shtetërore dhe shoqëria etnikisht e përzier, ndonëse jo kategori kushtetuese, që nga fillimi i pavarësimit ka krijuar imperativin që qeveria të jetë e përbërë nga përfaqësues të partive maqedonase dhe atyre shqiptare. Një shtet në ndërtim dhe një shoqëri e përzier me shumë çështje të hapura, nuk do të mundnin ndryshe. Rruga e përbashkët nuk ka qenë e lehtë, më saktë, në mungesë të vizionit politik të partive maqedonase që mëtuan të ndërtonin një shtet etnocentrik, ka bërë që humbet shumë kohë përplasjesh, deri në një konflikt të armatosur, për t’i sjellë deri diku raportet ndëretnike në nivel të qëndrueshëm, çfarë mund të thuhet se janë sot.

Protagonizmi i partive nuk ka qenë i njëjtë, por klisheu po: partitë shqiptare kanë qenë ato që vazhdimisht kanë kërkuar, kanë qenë vazhdimisht të pakënaqura (por gjithnjë ndonjëra prej tyre në pushtetin ku s’ka mundur t’i lëvizë gjërat), kurse ato maqedonase kanë qenë gjithnjë ato që nuk kanë dhënë, ose janë munduar të japin me doza të vogla që s’i kënaqnin kërkesat e shqiptarëve. Po ashtu ka ekzistuar edhe klishe i roleve: VMRO-DPMNE-ja ka qenë partia nacionaliste te maqedonasit, (P)PDSH-ja te shqiptarët, kurse LSDM-ja e moderuar, te maqedonasit, kurse PPD-ja dhe më vonë BDI-ja te shqiptarët. Sot ky klishe ka pësuar metamorfoza, sepse në bllokun shqiptar duket sikur të gjithë janë bërë të moderuar, kurse te blloku maqedonas, pas ikjes së Nikolla Gruevskit, kemi një VMRO-DPMNE që nuk merret në këto zgjedhje me shqiptarët por i kthehet “Obnovës” së famshme (mbase me platformë ekonomike, pa i harruar çështjet identitare që i ka për qejf vazhdimisht!) të Gruevskit , kurse LSDM-ja që bëri do lëvizje të guximshme në këtë mandat të saj, të siguruar nga BDI-ja (ndërrimi i emrit si parakusht kryesor për anëtarësim në NATO dhe BE), merret si dikur VMRO-ja që fitonte zgjedhjet me rrezikun shqiptar, për të penguar një kandidaturë shqiptare për kryeministër që e ka hedhur partneri i saj aktual i koalicionit.

Dekada e parë e pluralizmit ishte në shenjë të raporteve koalicioniste LSDM-PPD. Në këtë periudhë është sjellë kushtetuta që nuk i kënaqi synimet politike të shqiptarëve, që sipas Arbër Xhaferit ka qenë gjeneratore krizash, nuk u soll asnjëherë rregullore parlamenti që të paktën shqip të flisnin deputetët (për qeveri as mund të mendohej), nuk u lejua Universiteti i Tetovës, ndodhi Bit Pazari me katër viktima për disa “shteka” cigaresh të shitësve të vegjël (ndërkohë që kontrabandistët e mëdhenj mbetën të paprekur), ndodhi Gostivari, ndodhën gjykimet e Mitat Eminit dhe grupit organizatorë të “paravojskës” (për të cilën Stojan Andovi më vonë ka thënë se ai gjykim ka qenë me informata të dyshimta të shërbimeve serbe!), gjykimi i “Rufi Osmanit, Alajdin Demirit, Fadil Sulejmanit… PPD-ja vazhdimisht ankohej dhe vazhdimisht ishte në qeveri, dhe partneri i koalicionit, LSDM-ja e Branko Cërvenkovskit i kurdiste situata konfliktuoze pas shpine, duke e vënë në sprovë përherë për të (mos) dalë nga qeveria. Sepse, me gjithë këto, fuqia tjetër politike që priste të vinte në pushtet (VMRO-ja), ishte më nacionaliste se ajo.

Koalicioni i radhës ka qenë VMRO-DPMNE – PPDSH (1998-2001\2002). Duket sikur ky koalicion, edhe pse me reputacionin e partive nacionaliste, kanë pasur një fillim çuditërisht të relaksuar marrëdhëniesh, me përpjekje për faktorizim më të madh të partnerit shqiptar, dhe me përpjekje, ndryshe nga ç’ishte shquar kjo parti që kishte qenë kundër çdo avancimi, pranoi një zgjidhje kompromisi me hapjen e Universitetit të Evropës Juglindore, ani se privat, për t’i plotësuar sadopak kërkesat e shqiptarëve për arsim sipëror. Avancim u shënua edhe në përfaqësimin e shqiptarëve në administratë, sepse Arbër Xhaferi në atë periudhë u imponua si një lider i tipit intelektual, i respektuar edhe te shqiptarët edhe te maqedonasit. Ky koalicion funksionoi mirë gjer në v. 2001, kur do të duhej të menaxhohej konflikti që e shkaktoi UÇK-ja, një skenar që askush nuk e kishte pritur. Raportet edhe më shumë do të komplikohen kur në valën e konfliktit (menaxhimin e së cilës e mori një qeveri ku hynë edhe LSDM-ja edhe PPD-ja), Arbër Xhaferi (PPDSH) dhe Imer Imeri (PPD), do të nënshkruajnë me liderin politik të UÇK-së, Ali Ahmetin, Deklaratën e Prizrenit, me çka pasoi një zhgënjim i madh te VMRO-ja dhe gjithë opinioni maqedonas. Mund të thuhet se në konfliktin e 2001-ës qe ndalur hovi i koalicionit të ekstremeve që kishte shenja premtuese dhe mund të thuhet se haraçin e LSDM-së (që asgjë nuk bëri në mandatet e veta për ta ndryshuar gjendjen) e pagoi VMRO-ja,e cila ishte po aq përgjegjëse për antishqiptarizmin që e ushqente edhe si opozitë ndaj çdo ndryshimi të mundshëm në favor të shqiptarëve.

 

Raportet e reja pas 2001-shës

 

Kuptohet, në historinë e pluralizmit politik, viti 2002 do të shënojë një kufi dramatik për dy subjekte: në skenën bipolare të bllokut politik shqiptar do të mbetet PPDSH-ja “nacionaliste” kundrejt faktorit maqedonas dhe “arrogante” brenda bllokut shqiptar, dhe nuk do të ketë më vend për PPD-në e moderuar, sepse vendin e saj me të njëjtin imazh, do ta zë subjekti i ri, Bashkimi Demokratik për Integrim. Historia luajti me fatin e partisë së parë shqiptare (PPD), e cila 2-3 vjet do të përpëlitet për t’u ringritur, por pa sukses.

Pra, në fazën e re ishte koha për protagonizmin e partisë e cila doli nga gjiri i ish – Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me të cilën gjatë fushatës parazgjedhore të gjitha partitë maqedonase zotoheshin para zgjedhësve të tyre se nuk do të bëjnë koalicion “me terroristët”. Por, pragmatizmi e bëri të veten, asnjë parti që do t’i fitonte zgjedhjet nuk do të mund të anashkalonte partinë që dominoi skenën politike me fitore të bindshme (16 deputetët, kundrejt 7 të PDSH-së dhe 2 të PPD-së). Gjithsesi ka qenë guxim politik për admirim i LSDM-së, e cila mezi priste të kthehet në pushtet, që përkundër retorikës parazgjedhore, të mbahej për partinë e re të Ali Ahmetit, i cili, për shkak të paragjykimeve ndaj tij, muajt e parë nuk do të vinte në mbledhjet e parlamentit.

Detyrat e shtëpisë që dilnin nga Marrëveshja e Ohrit ishin sfidat serioze të koalicionit. U deshën 48 ditë në vitin 2004 të negociohej harta e re territoriale e komunave në hotelet e Mavrovës, që i shteroi energjitë e të dy partive. Shqiptarët fituan 20 për qindëshin në Shkup me bashkëngjitjen e komunës së Sarajit, si dhe në Strugë e Kërçovë, por në Shkup komuna “e tyre”, Çairi, mbeti më e vogël me territor se çdo tjetër. Koalicioni LSDM-BDI pati guximin ta mbyllë edhe problemin e universitetit shqiptar, duke themeluar Universitetin Shtetëror të Tetovës (sepse në Marrëveshjen e Ohrit ishte paraparë arsim sipëror në gjuhën shqipe). U zgjidh edhe çështja e përdorimit të shqipes në parlament (gjysmak duhet thënë, sepse deputetët mund të flisnin por jo dhe të udhëhiqnin mbledhjet në gjuhën shqipe)… Nisi të rritet edhe përfaqësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore, ku gjërat kishin mbetur në gjysmë.

Gjatë këtij mandati, VMRO-ja opozitare do të kundërshtojë gjithçka që dilte nga Marrëveshja e Ohrit dhe për këtë do të shpërblehet në zgjedhjet e radhës nga votuesit me orientim nacionalist, më 2006. Në koalicion kjo parti do ta marrë “partnerin strategjik”, PDSH-në, e jo partinë fituese në bllokun shqiptar, BDI-në. Në aspektin politik këto dy parti mund të kishin afërsi programesh, ose të frymës politike, por në aspektin pragmatik nuk mund të siguronte 2\3 e votave për çështje që do të kërkonin “shumicën e Badenterit”, ndaj dhe BDI-ja promovoi principin që qeverinë duhet ta bëjnë partitë fituese (“fituesi me fituesin”). BDI-ja, me forcën e numrave, ia imponoi Gruevskit Marrëveshjen e Majit, por në mungesë të vullnetit për ta jetësuar atë, u organizuan zgjedhjet e parakohshme në vitin 2008, pas të cilave qeveria nuk do të bëhet nga preferenca e partisë fituese maqedonase, por nga legjitimiteti i partive nga të dy blloqet etnike. Kështu funksionoi deri në vitin 2016.

Askush nuk mund të thuhet se mandatet e këtyre dy partive kanë qenë të lehta. BDI-ja, gjatë kësaj kohe ndoshta kishte shprehur mirëkuptim të tepruar për ndjeshmëritë identitare maqedonase në të cilat u përqendrua VMRO-ja, për çka u kritikua shumë dhe iu bë presion për të dalë nga ky koalicion. Kur më vonë lideri i LSDM-së nisi t’i publikojë ato “bombat” e famshme, u pa se çfarë kanë qenë relacionet midis partive, gjegjësisht, se Nikolla Gruevski për çdo gjë është dashur të marrë pëlqimi nga Ali Ahmeti. Por, sprovat e rënda, ose madje “provokimet” e ndërsjella nuk kanë munguar. Një nga ato shkëndijë ka qenë incidenti në kalanë e Shkupit, kur Pasko Kuzmani i famshëm, i cili u degradua për një keqpërdorim qesharak prej rreth 20 mijë eurosh nga të vetët, deshi t’i kontrabandojë natën disa objekte për të cilët ishin marrë vesh me BDI-në të stopohen. E dimë përfundimin, ato objekte sot e kësaj dite kanë mbetur si “karabina”, pa përfundim. Për nevojat marketingu, një vit VMRO-ja, pa marrëveshje me BDI-në, deshi ta sjellë një ligj për ‘branitellat” dhe meqë kishte shumicë, mendonte se do ta kalonte. Por, atëherë erdhi në shprehje invenca e BDI-së, duke shtruar disa mijë amendamente, kurse Talat Xhaferi, atëherë koordinator i grupit parlamentar, shfrytëzoi boshllëkun në rregulloren e kuvendit dhe bënte pauza në diskutime të stërzgjatura dhe lexonte poezi të Aco Shopovit. Ky ligj, asnjëherë nuk u soll falë kësaj zvarritjeje.

 

Marrëdhëniet e komplikuara LSDM-BDI

 

Parimi “Fituesi me fituesin” kishte një mangësi serioze. Ai të shtynte që të bësh qeveri midis dy partive të papërshtatshme për nga fryma e tyre. Këtë e kishin tejkaluar dikur Lubço Georgievski dhe Arbër Xhaferi, por Ali Ahmeti ishte i pakapërdishëm për publikun maqedonas. Ishte ai që ua kishte prishur rehatinë, ua kishte sulmuar shtetin, pra, ai “terroristi që zbriti nga mali”. Por, për shkaqe pragmatike, edhe VMRO-ja e kishte pranuar realitetin, mbase edhe faktori kohë mund të luante rol për të harruar plagët e 2001-shës, por gjithnjë duke punuar pas shpine, për t’ia keqësuar situatën të paktën në qeveri. Prandaj në zgjedhje kërkonte 61 deputetë që të mos varet prej BDI-së! BDI-ja, siç u tha më sipër, është dashur që për disa gjëra të bëjë kompromise dhe të shprehë pak më tepër solidaritet për disa ndjeshmëri të karakterit etnik: nuk është përzier shumë në çështjet identitare që kulmoi me Shkupin 2014, nuk ka bërë problem për vonimin e kontestit të emrit, por edhe e ka bërë pakashumë bashkëpjesëmarrëse në fajësi për disa fenomene të pushtetit të Nikolla Gruevskit. Kjo i ka shtuar presionet për të dalë nga qeveria, pak edhe nga shqiptarët, e më shumë nga qarqe opozitare maqedonase. Por, BDI-ja i është përmbajtur parimit “fituesi me fituesit” dhe nuk është bërë vegël për rrëzimin e fituesit te blloku maqedonas…

Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha këto, është tejet e rëndësishme kthesa që u bë në vitin 2016 ku prapë fitoi VMRO-DPMNE-ja (me dy deputetë më shumë se LSDM-ja. BDI-ja mori “mandatin” e partive tjera shqiptare që të negociojë me VMRO-në për pikat e Deklaratës së Tiranës. Nga ajo që është marrë vesh nga prapaskena, ndonëse në VMRO nuk e pranojnë (por e theksoi Renata Deskovska nga LSDM), kjo parti ishte dakorduar me kërkesat e partive shqiptare, por BDI-ja në momentin e fundit (dikush thotë gjysmë ore para skadimit të afatit), ndërron mendje që të hyjë në koalicion me LSDM-në. Ata që merren me aspektet e prapaskenave, do të thonë se ndoshta “një telefonatë” (Gjorge Ivanovi i besonte kësaj) e ka bërë ndërrimin e kahes së ngjarjeve, por sido që të jetë, për këtë kthesë BDI-ja sigurisht nuk ka qenë shumë e lumtur, sepse u detyrua të shkelë një parim që vetë e kishte promovuar pas zgjedhjeve të 2006-tës, në raport me partitë maqedonase, por kjo u tregua shumë e dobishme për interesat shtetërore.

Qeveria e krijuar në bazë të shkeljes së një parimi, ku përfshiu partinë jo fituese te njëri bllok me partinë fituese të bllokut tjerë (plus Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës, e më vonë edhe Besa dhe PDSH-ja), arriti disa nga objektivat që kishin qenë peng i aventurizmit identitar të Nikolla Gruevskit: u arrit marrëveshja për ndryshimin e emrit, Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO dhe mori datë për fillim negociatash me BE-në. Mirëpo, idili midis partive kryesore çuditërisht, do të vihet në sprovë nga shumë përplasje të çuditshme, nga një tendencë e pashpjegueshme dhe të palogjikshme sulmesh nga LSDM-ja, sepse të krijosh situata të ndera me partnerin, i cili lirisht ka mundur të shkonte me tjetërkënd dhe të të linte edhe katër vjet në opozitë, vërtetë është jashtë çdo logjike. Sikur në LSDM pati një tendencë që mossukseset e ose disa dukuri negative të qeverisjes t’ia adresojnë BDI-së, domethënë, ne jemi të mirë, ama e kemi shokun e keq! Edhe ndihmën e BDI-së për fitoren e “presidentit konsensual” që BDI-ja haptas e përkrahu, sikur deshën ta minimizojnë ose ta heshtin, sikur mungoi një falënderim haptas në adresë të partnerit! Disa afera korruptive ku nuk u përfshinë përfaqësues të BDI-së, por të LSDM-së, ishin një ngjarje që relativizoi përpjekjet për gjithçka ta fajësojnë BDI-në.

Marrëdhëniet në këtë koalicion, ishin të komplikuara veçanërisht pas zgjedhjeve lokale kur pas zgjedhjes së Arben Taravarit kryetar të Gostivarit, në Ministrinë e Shëndetësisë Zaevi solli kuadrin e vet, që e detyroi Selën të dalë nga qeveria, me çka pasuan ndryshime në koalicion, me hyrjen e Besës (e cila më vonë u nda në dysh) dhe PDSH-së… Ishte ky një koalicion i arnuar, ku askush me askënd nuk do të bashkëpunonte sinqerisht, ku secili kishte interesat e veta të kalkuluara për të ardhmen e vet. Refleksi i këtij çakordimi janë këto pozicionime kur partnerët e koalicionit (si s’u mësuan një herë partitë!), bëjnë fushatë njëra kundër tjetrës, sikur në rastin e parë që t’u jepet, nuk do të mbështeten prapë te njëra tjetra nëse për këtë do të kenë nevojë për koalicion!