` . Nevoja e një strategjie shqiptare ndaj Sofjes dhe Shkupit - TV SHENJA

Nevoja e një strategjie shqiptare ndaj Sofjes dhe Shkupit

Raportet e shqiptarëve të MV-së dhe Bullgarisë duhet zhvilluar nën thjerrëzën e interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan, pozicione që nuk janë shumë të qarta. Sa për qëndrimet e Kosovës dhe Shqipërisë, nuk ia vlen të shkruash asgjë, për arsye se të dyja shtetet nuk kanë politikë të jashtme.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Tetovë

Nuriman Selimi nga fshati malor i Përcës së Komunës së Tearcës (RMV), para se Bullgaria të kapitullonte, u vra nga ushtarët bullgarë në tentativë për t’i ndihmuar me ushqim forcat guerile partizane të përqendruara në malet e Bellovishtit dhe të Vratnicës. Gjatë Luftërave Ballkanike pesë persona prej së të njëjtës familje u vranë në fshatin Tearcë nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe. Masakra të njëjta u raportuan nga Karadaku e deri në Kërçovë.

Gjyshi im, Selim Ibraim Musliu, u rekrutua me dhunë nga bullgarët gjatë Luftërave Ballkanike si punëtorë në ndërtimin e hekurudhës që duhej ta lidhte pjesën jugore të vendit me Shkupin. Pothuajse katër dekada më vonë, si punëtor në një mulli të Tearcës, Selimi përsëri u bë dëshmitar i largimit të forcave ushtarake bullgare nga fshati i tij, duke lënë pas vetes municion, mjerim dhe kujtimet për dhunë e ushtruar ndaj banorëve. Ndërkaq popullata maqedonase, për shkak të frikës e disa sipas dëshirës, e prezantonin veten si bullgarë, kurse disa të tjerë as që kanë guxuar të tregonin identitetin e tyre të vërtetë, rrëfente Taip Memeti i cili jetoi 97 vjet dhe kishte qenë ushtarë i Bullgarisë në Pirin.

Pasi Bullgaria e pushtoi MV, bashkë me forcat italiane ata e caktuan kufirin në fshatin Neproshten dhe, sipas tregimeve lokale, pjesëtarë të etnisë së sotme maqedonase kishin kërkuar strehim tek popullata shqiptare. Për shkak të vendimit të Gjermanisë për t’u tërhequr nga fronti jugor, Bullgaria u detyrua të largohej nga territoret e pushtuara, kurse partizanët komunistë e morën pushtetin duke i ndërruar vetëm rolet e pushtuesit. Në fund të vitit 1944, forcat partizane maqedonase pushkatuan pa faj shtatë banorë shqiptarë të fshatit Tearcë dhe shumë tjerë në fshatrat e komunës së sotme. Gjyshi im (i ati i nënës sime), Ramiz Abazi, rrëfente se ai kishte qenë i detyruar të qëndronte i fshehur 16 ditë në një kasolle të fshatit nga frika e pushkatimit prej forcave partizane maqedonase. Kur fushata e pushkatimeve dhe hakmarrjeve u ndërpre, ai doli jashtë për të jetuar jetën me vështirësi dhe frikë nga pushteti i ri komunist maqedonas. Nuk kaloi shumë kohë kur kriza e bukës e detyroi një ditë të hyjë në radhë për të blerë pak bukë misri bashkë me banorët maqedonas të fshatit Tearcë. Nga urrejtj aidentitare dhe fetare, gra të etnisë maqedonase duke shtyrë njëri- tjetrin për bukë, ia kafshuan veshin Ramizit. Ai jetoi me shenjat e veshit të kafshuar deri në verën e vitit 1997, kur edhe vdiq.

80 vjet më vonë, mosbesimi ndëretnik dhe ndërshtetëror për të mbështetur njëri-tjetrin në konfliktet bashkëkohore dhe mosmarrëveshjet e dy dekadave të fundit për identitet, hapësirë dhe territore bëjnë rrugën e zgjidhjes së kontesteve dhe të pajtimit ende më të vështirë në Ballkan.

 

Shqiptarët në mes maqedonasve dhe bullgarëve

 

Hapësira dhe territori ishin një ndër dy tiparet e luftërave europiane dhe vrasjeve masive të popullatës në Ballkan. “Volk Ohne Raum”‚ në gjuhën shqipe“Njerëzit pa hapësirë”, ishte një thirrje politike dhe propagandë që u përdor në Republikën e Weimarit dhe në Gjermaninë naziste. Ky term u krijua nga shkrimtari gjerman Hans Grimm. Në gjeopolitikë dy ide janë të lidhura me territorin si hapësirë politike: Territori dhe sovraniteti kërkojnë një lloj kontroll politik të hapësirës. Për europianët territori vazhdoi të jetë i rëndësishëm edhe pas Kongresit të Vjenës, po aq vëmendje u tregua për këtë koncept edhe prej popujve të Ballkanit para LPB-së, gjatë LDB-së dhe pas shembjes së komunizmit. Siç dihet, raportet në mes Bullgarisë dhe MV-së nuk janë të njëjta si dikur kur kryeministri Zaev dhe Borisov buzëqeshën në korrik të vitit 2017. Tre vjet pas, dy liderët karizmatikë ia kthyen shpinën njëri-tjetrit dhe iu rrekën politikës së vjetër ballkanike, me hidhërime, akuza dhe propagandë. Pas zgjidhjes së çështjes së emrit, MV-ja e mori veten nga ndikimi disavjeçar rus gjatë qeverisjes Gruevski-Ahmeti. Duke iu ofruar Greqisë, veprimi i Shkupit drejt normalizimit të raporteve me Bullgarinë, me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, ishte një strategji e ndërtuar nga ish ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Me një qëndrim antibullgar brenda vendit, nëpër qendrat europiane dhe në Uashington, Dimitrovi u mundua të krijojë një atmosferë kundër Bullgarisë dhe ta paraqesë Sofjen para diplomacisë euro-amerikane si fajtore e procesit të normalizimit në mes dy shteteve dhe zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit. Një llogaritje e tillë e diplomatit maqedonas, i shkolluar në Britani, po me koncepte të vjetra etnike nacionaliste, ra poshtë, duke çuar në këmbë shtetin bullgar, që rastin me Shkupin ta konsiderojë si çështje të sigurisë kombëtare.

Një tendencë e klasës politike dhe intelektuale maqedonase influencoi edhe Ministrinë e Jashtme të MV-së, duke e bërë hije të ministrisë së Euro-Integrimeve me paraqitje të ideve jo të qarta. Takimi i ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, me homologen, Zahireva, ishte aq jo produktiv, saqë pas këtij takimi në Sofje asgjë nuk shkoi mirë në raportet në mes dy qeverive. Në fakt, propaganda maqedonase, në koordinim me megafonët publikë të gazetarisë së “pavarur”dhe gjithashtu me mbështetësit e “pavarur” të partisë së Ahmetit, nuk shkoi aq mirë. Kjo propagandë dështoi dhe në fund Bullgaria vendosi veto, duke ua nxjerrë në sipërfaqe autoriteteve maqedonase qëndrimet antibullgare dhe joparimore. Ashtu siç kemi theksuar më herët, Komisioni maqedonas, që në vete ka figura të ish sistemit komunist dhe i ndikuar nga jashtë, e trajtonte historinë ballkanike dhe të formimit të popujve me fakte të ndërtuara në mënyrë dogmatike. Ky ishte një skenar i njohur i palës maqedonase, që në fund të procesit të ripërtëritjes së raporteve në mes Shkupit dhe Athinës, kontesti të përfundonte në anën maqedonase me histori komuniste, dështim dhe mospërmbushje të obligimeve të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë më Bullgarinë.

 

Bashkëjetesa e dhunshme

 

Për nga aspekti teorik, territori dhe populli janë pjesë e organizimit politik, por praktikisht mbetet që qeveria dhe populli maqedonas të kuptojë realitetin dhe të kaluarën. Nuk ka rëndësi fakti se rastësia e krijimit të Republikës Socialiste të Maqedonisë ishte projekt i huaj. Thelbësore është të ketë ndryshime në psikologjinë dhe natyrën e (mos) revanshizmit të popullatës maqedonase dhe qeverisë ndaj të tjerëve. Nuk mund të kërkohet lojalitet i plotë nga shqiptarët e MV-së në raportet me Bullgarinë kur të njëjtën gjë e ka bërë shteti maqedonas ndaj shqiptarëve nga 1944 e deri në vrasjet e fundit të qeverisë së Gruevskit. “Mohimi” i sotëm bullgar mund të themi se nuk është asgjë tjetër, veçse një formë tjetër e shtypjes sistematike që kanë bërë pushtetet maqedonase ndaj shqiptarëve etnikë. Duke pritur mbështetje më të madhe nga qytetarët shqiptarë, klasa politike maqedonase nuk mund t’i ikë ciklit historik të së kaluarës, të vërtetës, vetëdijesimit dhe respektimit të të tjerëve në mënyrë europiane.

 

Pozicioni rajonal

 

Në mosmarrëveshjet e fundit është e vërtetë se në emër të shqiptarëve flasin kryetarët e partive politike z. Ali Ahmeti (BDI), z. Ziadin Sela (ASH) dhe lojtari tjetër i LSDM-së, kryetari i Besës – z. Bilall Kasami, që kanë shprehur qëndrime të skajshme maqedonase. Por, nuk mendojnë njësoj si ata të gjithë shqiptarët e MV-së ose ata të Shqipërisë dhe Kosovës. Jemi mësuar me qëndrimet aspak në vijë të Shqipërisë zyrtare, por një pikëpamje jashtë kombëtare e shfaqi edhe kryeparlamentarja e Kosovës dhe u.d. e presidentit, znj. Vjosa Osmani. Tani, pasi janë zënë ngushtë nga bullgarët, qeveritarë dhe segmente të caktuara maqedonase thonë se “shqiptarët janë treguar parimorë…”.

Pozicioni i sotëm i politikës dhe i niveleve të caktuara të shqiptarëve të MV-së, Kosovës dhe Shqipërisë ndaj raporteve Shkup-Sofje është tepër i çuditshëm për vetë ata që i shkruajnë kumtesat partiake, për ata që i drejtojnë ministritë, për miqtë, qytetarët që ndajnë zyra dhe hapësira të njëjta me maqedonasit dhe pa dyshim se në fund ndjehen fajtorë se pse nuk mund të bëjnë më shumë për kolegët dhe bashkëqytetarët e tyre. Na fakt, maqedonasve nuk ua mohon askush identitetin. Janë po të njëjtit që ua mohojnë të tjerëve brenda MV-së. Kjo nuk mund të jetë gjë tjetër, veçse një pasqyrë e mohimit të vetvetes si individë, përfaqësues dhe etni.

Rajonit gjithsesi se i duhen politikanë të rinj që do t’i tejkalojnë politikanët e vjetër dhe qarqet që ata i këshillojnë. Me siguri se me ndërrimet tek popullata maqedonase në sjellje dhe veprime, me ndryshimet në udhëheqjen politike tek shqiptarët e MV-së dhe, me gjasë, se do të kemi edhe pajtim të vërtetë shqiptaro-maqedonas, natyrisht se në të ardhmen do të jemi më të unifikuar si kombe të rajonit nga kërcënimet e reja.

Në rast se do të lëshohet ky rast, rrënimi shoqëror në dekadat që vijnë do të jetë i paevitueshëm. Në këtë drejtim, ishte fjalimi i fundit vjetor i presidentit Stevo Pendarovski, që duhet mbështetur, për pajtimin e brendshëm dhe gabimet në të kaluarën nga pala maqedonase ndaj të tjerëve. Andaj raportet në mes shqiptarëve të MV-së dhe Bullgarisë duhet zhvilluar nën thjerrëzën e interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan, pozicione që nuk janë shumë të qarta. Sa për qëndrimet e Kosovës dhe Shqipërisë, nuk ia vlen të shkruash asgjë, për arsye se të dyja shtetet nuk kanë politikë të jashtme.