` . Nëse ti nuk e shpluhuron mendimin, kush dhe nëse sot nuk i davarisim mjegullat, kur? - TV SHENJA

Nëse ti nuk e shpluhuron mendimin, kush dhe nëse sot nuk i davarisim mjegullat, kur?

(Përshtypje nga libri “Nëse ne jo, kush? dhe Nëse sot jo, kur?” i autores Liber Emini)

Shkruan: Iljasa Salihu

Sa herë lexoj një libër, përpos që ndiej se kohën po e shfrytëzoj dobishmërisht, ndihem më i shëndetshëm, më i ngritur, më fatlumë, njëherësh më me këmbë në tokë, ngaqë pas leximit kuptoj se sa gjëra nuk i kisha ditur dhe sa të tjera i kisha harruar a pluhuruar. Libri që së fundmi më bëri përshtypje, është libri i autores Liber Emini, “Nëse ne jo, kush? dhe Nëse sot jo, kur?” Autorja në këtë libër i shtjellon me një mendim të thukët, gjuhë të pastër dhe me porosi të qartë, pështjellimet e shoqërisë sonë. Bisedave dhe mëdyshjeve që ndodhin nëpër familjet tona dhe shoqëritë tona, kjo mundohet t’i jep qasje të mirëmenduar, kështu duke i dhënë pamendimit mendim, kotësisë këshillë e kritikë, mëdyshjeve kapërcyell, pra shteg që shpie në davaritjen e mjegullave. Nuk është lehtë fjalëve të pamenduara t’i japësh mendim dhe pastaj mbi themelet e atij mendimi ta mëtosh mbarësinë e veprimit. Mirëpo, pikësynimi i çdo shkrimtari ky është, apo të paktën ky duhet të jetë; të kërkojë ura edhe aty ku mungojnë lumenjtë në mënyrë që t’i nxisë mendimet për pasojat e shuarjes së lumenjve.

Pasi ta lexoni këtë libër, shumë gjëra do t’ju duken të njohura, apo të dëgjuara, mirëpo krejt në fund do të arrini ta shpluhuroni mendimin dhe ta nxisni të menduarin për pasojat e shpërfilljes së atyre temave me të cilat çdo ditë bashkëjetojmë dhe në anën tjetër përditë e trashim shpërfilljen tonë ndaj këtyre temave. Në këtë libër, autorja flet, në të vërtetë shkruan për fjalët që nuk u thanë (u thanë, por nuk u dëgjuan dhe kështu i bie që nuk u thanë), për njeriun që lëre se për të tjerët ka filluar të mos ndiej dhimbje, por as për veten nuk çanë kokën, për turpin që njerëzit kanë filluar të ikin sikurse vegani prej mishit, pra për turpin si i huaj në trupat tanë dhe i degdisur prej shpirtrave tanë, për dashurinë që aq shumë është keqmenduar dhe keqshqiptuar në qerthullin tonë, për drejtësinë që për tellall të saj ka njerëzit më të padrejtë, për veten e për tjetrin, thuajse bëhet fjalë për dy botë krejtësisht të ndryshme, për besimin që rrënja e kësaj fjalë është trajtësuar në pleh të padobishëm për arat e shoqërisë sonë, për tradhtinë që fatmirësisht për nga ndjeshmëria ende është si thembra e Akilit, por fatkeqësisht për nga madhësia është bërë si një elefant, ku me ç’rast autorja shkruan “rastësisht mund të biesh nga biçikleta, por të biesh në shtratin e dikujt tjetër të duhet kohë (tradhti bashkëshortësh)”, për largësinë jo vetëm trupore, por edhe shpirtërore, ngaqë sot shohim shumë trupa grumbujsh me shpirtra të paskrupujsh e tema të ngjashme, të cilat rrihen gjithandej, por pa një rregull, standard e porosi. Autorja në këtë libër është munduar t’i standardizojë temat që natyrshëm janë të rëndësishme, por për të cilat shoqëria jonë ka një mendim shkel e shko, mendim ky që pastaj i prinë veprimit shkel e dëmto.