Negociatat në sfond, Kosovës i duhet ushtria

Negociatat në sfond, Kosovës i duhet ushtria

Tendenca që FSK-ja të mos armatoset është problem serioz. Kjo është arsyeja e parë që e trimëron Serbinë. Gjatë tërë historisë, shqiptari ka dëshmuar se punën më të mirë që e bën, është ajo e ushtarit. Madje, në mënyrë shumë të suksesshme. Dhe, për këtë arsye në librat e historisë shqiptarët shënohen si popull luftarak. Kosovës tashti kjo mundësi i është ndërprerë.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Një shikim i shpejtë mund të krijojë përshtypje se Brukseli dhe Uashingtoni i janë kthyer sërish kontestit Kosovë-Serbi duke tentuar që ta zgjidhin sa më shpejt. Por, nëse e analizojmë situatën, nuk shihet ndonjë angazhim që do të  ofronte zgjidhje të shpejtë dhe përfundimtare. Këtë gjë ne e shohim kur ndërmjetësuesit (SHBA dhe Europa) i qasen problemit në mënyrë parciale. Megjithatë, ekziston angazhimi dhe kjo është kryesisht për arsye se ekziston frika nga Rusia, e cila mund të përbiroj në Ballkan dhe përmes Serbisë të krijojë situatë të ngjashme me atë në Ukrainë.

Shqiptarët përherë kanë qenë skeptikë në ndërmjetësimin e Europës në zgjidhjen e problemeve në Ballkan. Besimi i shqiptarëve, sidomos ai i klasës politike të mbrojtur nga mediat, ka qenë prore i rezervuar për Amerikën. Kësaj radhe është luhatur ky besim për shkak se Amerika ka qëndrim pothuaj të njëjtë me Europën në lidhje me problemin që u shfaq duke i marrë tabelat si shkas. Shqetësimi i ndërmjetësuesve dhe i Serbisë është rritur edhe për shkak se shenjat flasin që krijimi i Asociacionit është vënë në pyetje.

Në realitet gjatë bisedimeve, që kur kanë filluar, nuk ka pasur tjetër qëndrim që dallohet me këtë të sotmin. Por, kësaj radhe kanë ndryshuar gjërat për shkak se qeveria e tashme e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është duke i refuzuar propozimet që duken se janë të pafavorshme për Kosovën dhe të favorshme për Serbinë. Është hera e parë që qeveria e Kosovës refuzon propozime që vijnë nga Europa, sidomos nga SHBA-të.  Kjo gjë  nuk ka krijuar vetëm habi, por edhe një realitet të ri. Është hera e parë që një kryeministër i Kosovës dikton kushte, rrjedhë të bisedimeve dhe shpejtim të procesit. Kjo është diçka me të cilën nuk janë mësuar ndërmjetësuesit dhe mediat. Prandaj, nuk ndjehet komod Uashingtoni dhe Brukseli kurse Serbia brengoset tej mase.

Në planin e brendshëm nuk ndjehet mirë opozita e as mediat. Ndryshimet për ta sjellin rreziqe. Prandaj, janë bërë tok në kritikën e tyre duke mos e dalluar qeverinë nga shtetit. Për ta, qeveria e cila ndërrohet, është e njëjtë me shtetin që nuk ndërrohet. Çfarëdo mospajtimi me ndonjë propozim që vjen nga Uashingtoni, këta njerëz mundohen ta paraqesin si qëndrim antiamerikan. Ky është një problem që në mentalitetin e një numri të madh të njerëzve në Kosovë është kultivuar për një kohë të gjatë dhe nuk ndryshon shpejt.

Kjo është një gjendje ngërçi e cila tashti ka filluar të vërehet më shumë dhe nuk ka dalje të shpejtë nga aty. Situata për vrojtuesin e zakonshëm është komplikuar me faktin se ndërkombëtarët janë duke u treguar jo vetëm tolerant ndaj Serbisë, por në shumë raste edhe e marrin anën e saj haptas. Gjendemi sikur në kohën e para bombardimeve kur bashkësia ndërkombëtare i bënte lutje Serbisë që ta ndërpriste politikën e saj agresive ushtarake ndaj Kosovës, me dallim që tashti kjo gjë bëhet me qëllim që ta joshë Serbinë që ajo të krijojë distancë nga Rusia.

Është e njëjta taktikë kur ndërmjetësuesi në procesin e pajtimit ia mbanë anën të fortit. Bëhet në atë mënyrën kur palës së dobët ia dredhojnë dorën pas shpinës. Kjo është për shkak se konsiderohet që pala e dobët nuk ka fuqi ta refuzojë e as ta prishë marrëveshjen nëse ajo lidhet. Ky është problemi që shihet. Por, pas çdo problemi që del në sipërfaqe, qëndron një tjetër që nuk shihet në shikim të parë. Problemi kryesor i Kosovës është mungesa e ushtrisë së mirëfilltë. Kosova e ka FSK-në, por të gjithë e dimë se cila është fuqia e saj. Madje, kishte probleme serioze edhe në emërtimin e saj. Shtetet mike të Kosovës hezitojnë edhe më tutje që ta armatosin FSK-në. Kjo ndodhë përkundër faktit që ushtria serbe, edhe ashtu e fuqishme, armatoset dhe përgatitet çdo ditë dhe vazhdimisht e kërcënon Kosovën.

Tendenca që FSK-ja të mos armatoset është problem serioz. Kjo është arsyeja e parë që e trimëron Serbinë. Gjatë tërë historisë, shqiptari ka dëshmuar se punën më të mirë që e bën, është ajo e ushtarit. Madje, në mënyrë shumë të suksesshme. Dhe, për këtë arsye në librat e historisë shqiptarët shënohen si popull luftarak. Kosovës tashti kjo mundësi i është ndërprerë.
Ushtria nuk është e nevojshme vetëm për mbrojtje nga sulmet e jashtme. Ushtria krijon mentalitet shtetëror te populli brenda kufijve duke ndikuar në zhvillimin e politikave të brendshme, sidomos të asaj të jashtme. Politikanët dhe diplomatët e shteteve që kanë ushtri të fuqishme, ndryshe flasin. Me ushtri të mirëfilltë, Kosova do të krijonte tjetër reputacion. Nuk ka mundësi të negociosh kur në terren nuk ke forcë që e mbështetë strategjinë e bisedimeve. Ushtria e fuqishme nuk ka shumë të bëjë me numrin e banorëve të shtetit, Kosovës në këtë rast. Fuqia e ushtrisë qëndron në armatim, aftësi dhe vullnet të personelit për ta përdorur dijen dhe armatimin dhe, më e rëndësishmja, mbështetja në popull.

Derisa Kosova nuk krijon ushtri të mirëfilltë, të gjithë do t’i parashtrojnë kushte. Pse jo? Kështu gjithmonë ka ndodhë në histori. Kur jemi te historia nuk duhet harruar se ndër kërkesat kryesore të elitës politike shqiptare të periudhës së pas Kongresit të Berlinit (1878), ka qenë formimi i ushtrisë shqiptare. Kërkesa kryesore, të cilën e përçonte edhe Hasan Prishtina, ishte që shqiptarët të shërbenin në territorin e Katër Vilajeteve dhe të udhëhiqeshin nga oficerë shqiptarë. Këta e kërkonin krijimin e bërthamës së ushtrisë shqiptare. Kjo kërkesë nuk u mohua vetëm nga Stambolli, por edhe nga vetë shqiptarët (konservatorët), të cilët nuk e shihnin rënien e Perandorisë Otomane.

Sikur kërkesa e elitës politike shqiptare të shkonte në vend, luftërat ballkanike do të kishin përfunduar me tjetër rezultat. Këto situata janë përsëritur disa herë më vonë. Në të gjitha rastet e luftërave, shqiptarët kanë qenë pa ushtri. Edhe sot është njësoj. Jo vetëm që mungon ushtria, por edhe mentaliteti është i njëjtë: “çka na duhet ushtria kur e kemi KFOR-in”. D.m.th. sërish llogarisim në forca të huaja.

E vërtetë që ekziston KFOR-i, por ai një ditë shkon, siç kanë shkuar kushedi se sa ushtri tjera nga Kosova. Kjo është arsyeja pse Kosovës i nevojitet ushtria para largimit të KFOR-it. Ushtria e Kosovës nuk ka ku shkon. Ajo mbetet e fundit në terren dhe ndikon në krijimin e vetëbesimit për vetëmbrojtje te qytetarët. Në këto rrethana, si pasojë, në fushë të politikës do të dilnin tjerë politikanë. Edhe Serbia do të kishte tjetër qëndrim ndaj Kosovës.