Ndryshimet kushtetuese nuk janë dërguar ende në Greqi për arsye teknike (Video)

Ndryshimet kushtetuese nuk janë dërguar ende në Greqi për arsye teknike (Video)

Ministria e Jashtme e Maqedonisë pritet që së shpejti të dërgojë informatën tek Ministria e Jashtme e Greqisë se ndryshimet  kushtetuese për implementimin e Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimet e Ligjit kushtetues kanë kaluar në Parlamentin e Maqedonisë.

Burime nga ministria thanë për televizionin Shenja se akoma nuk është dërguar informacioni, pasi siç thonë ata, duhet të plotësohen disa kushte teknike. Megjithatë sipas paralajmërimeve të kryeministrit një gjë e tillë do të ndodhë në fillim të kësaj jave.

Pasi të dorëzohet ky njoftim tek Ministria e Jashtme Greke, Parlamenti grek thirr seancë ku do të duhet ta ratifikojë marrëveshjen, e gjithashtu edhe protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe menjëherë pas kësaj  informohet sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, si dhe për datën kur ajo ka hyrë në fuqi. Me hyrjen e saj në fuqi shfuqizohet Marrëveshja e përkohshme mes palëve, e nënshkruar në Nju Jork, më 13 shtator 1995.

Menjëherë pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, Maqedonia do t’i njoftojë të gjitha organizatat ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale, institucionet dhe forumet, anëtare e të cilave është, për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje dhe pastaj do të kërkojë nga ato që ta pranojnë dhe përdorin emrin e ri. Maqedonia poashtu i njofton të gjitha shtetet- anëtare të Kombeve të Bashkuara për hyrjen e kësaj marrëveshjeje në fuqi dhe do të kërkojë nga të njëjtat ta pranojnë dhe ta shfrytëzojnë emrin e ri për të gjitha përdorimet dhe qëllimet, duke përfshirë edhe në të gjitha marrëdhëniet e saja bilaterale dhe komunikim. Kjo nënkupton se emri i ri i shtetit për përdorim ndërkombëtar hyn në fuqi menjëherë, megjithatë për përdorim të brendshëm kjo gjë ndodh me hapjen e kapitujve, gjegjësisht brenda pesë viteve.

Kodi i vendit në targat e regjistrimit të automjeteve do të jetë NM ose NMK. Për të gjitha qëllimet tjera, kodi i vendit mbetet MK dhe MKD, siç është e përcaktuar zyrtarisht nga Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit. Maqedonia menjëherë dhe në pajtim me praktikat e shëndosha administrative do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme me qëllim që organet kompetente të vendit që tani e tutje në mënyrë të brendshme ta përdorin emrin Maqedonia e Veriut në të gjitha dokumentet e reja zyrtare, në korrespodencë dhe në materiale relevante. Në lidhje me rëndësinë e dokumenteve dhe materialeve tashmë ekzistuese të lëshuara nga autoritetet e maqedonisë do të ketë dy periudha kalimtare, një “teknike” dhe një “politike”. Periudha kalimtare “teknike” do t’u referohet të gjitha dokumenteve dhe materialeve zyrtare të administratës publike për përdorimin ndërkombëtar dhe dokumenteve për përdorimin e brendshëm, por të cilat mund të përdoren edhe jashtë shtetit. Këto dokumente dhe materiale do të përtëriten në pajtim me emrin e ri, më së voni në afat prej pesë vitesh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Ndërkaq, periudha kalimtare “politike” do t’u referohet të gjitha dokumenteve dhe materialeve, të cilat janë veçanërisht për përdorim të brendshëm.

Ndryshimet kushtetuese u miratuan më 11 janar të këtij viti me 81 vota, ndërkaq menjëherë të nesërmen më 12 janar është bërë publikimi i tyre në Gazetën Zyrtare. Ajnur Bafqari /SHENJA/