Ndryshime në qeveri, Rama largon Ahmetajn. Ikën dhe kryenegociatori Mazi

Ndryshime në qeveri, Rama largon Ahmetajn. Ikën dhe kryenegociatori Mazi

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot disa ndryshime në kabinetin e tij, duke shkarkuar zëvendës-kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ishte njëkohësisht dhe ministër Shteti për Rindërtimin. Zoti Ahmetaj ka qenë anëtar kabineti në të gjitha qeveritë e kryeministrit Rama, duke mbuluar funksione të ndryshme nga ministri i Ekonomisë, te ai i Financave, me një ndërprerje në vitin 2019, ku ai ju rikthye jetës parlamentare, për t’u përfshirë sërish në kabinetin qeveritar pas tërmetit të nëntorit të po atij viti.

Një largim i mundshëm i tij kishte kohë që përflitej në korridoret e shumicës. Emri i zotit Ahmetaj, është po ashtu një ndër më të lakuarit nga opozita për përfshirje në çështjen e inceneratorvëve.

Kryeministri Edi Rama e “justifikoi” lëvizjen e tij dhe me faktin se Rindërtimi nuk është më prioriteti i qeverisë, duke qenë se ndodhet në fazë përmbyllëse. “Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zëvendës-kryeministrit të fokusohet në këto fusha”, shpjegoi kryeministri duke bërë të ditur emërimin në këtë post të ministres së Energjisë dhe infrastrukturës, Belinda Balluku.
Më i papritur ishte largimi i kryenegociatorit të Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, pikërisht tani kur vendi sapo ka nisur procesin e bisedimeve. “Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore dhe Ministre Shteti pranë kryeministrit”, njoftoi zoti Rama. Zonja Dhuka, aktualisht punon si drejtoreshe në Departamentin e Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes në Kryeministri. Me profesion juriste, nuk rezulton që ajo të ketë një eksperiencë të mëparshme në çështje që lidhen direkt me procesin e integrimit.