Ndikimi rus në Ballkan- rrezik për paqen dhe stabilitetin

Ndikimi rus në Ballkan- rrezik për paqen dhe stabilitetin

Sot qasja e Rusisë dhe përpjekja për ndikim në Ballkan vjen përmes Serbisë. Mos të harrojmë se e ashtuquajtura “qendër humanitare” e Rusisë në Nish, përgjegjëse për gjithë Gadishullin Ballkanik, është gjithçka, por jo edhe qendër ku ka aktivitete humanitare. Është qendër spiunazhi, aktiviteti subversiv, ku mësymja çdoherë është destabiliteti i Kosovës në veçanti, e i rajonit në përgjithësi.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Pas shpërbërjes së BRSS-së në vitin 1991, ngrehina që mbeti nga kjo shkërmoqje, Rusia, e sfilitur tejmase, mbeti me gjysmën e popullsisë sa kishte në tërësi BRSS-ja dhe me një ekonomi tejet të rrënuar, e që me projeksionin e saj të fuqisë globale u dërrmua dhe u zbeh ndjeshëm. Me gjithë faktin që ajo ruajti një sasi shumë të madhe të arsenalit nuklear, duke ia tejkaluar edhe SHBA-së, u pandeh se fuqia e “ariut rus” ishte zbehur dhe nuk do të rikuperohej lehtë. Por, përdorimi i fuqisë së saj në rajon, fillimisht në Çeçeni, më pas në Gjeorgji (2008), e më tutje në Ukrainë (2014 dhe 2022) e nxori në pah faktin që megjithëse ariu mund të ishte i lodhur e i plakur, ai ngelej edhe më tej ari.

Me një ekonomi të bazuar tërësisht në energji, me një BVP prej 2.5 trilionë $, me të ardhura për frymë prej 18000 $, me sasi të mëdha gazi dhe nafte, që përbëjnë 2/3-tat e eksportit rus dhe gjysmën e të ardhurave të shtetit dhe 20 % të BVP-së, shestimi rus, e posaçërisht i presidentit të saj, Putin, për ngritjen e fuqisë ruse, duke pasur si synim gllabërimin dhe përdorimin e taktikës së tokës së djegur, shkon në drejtim të asaj që e pat thënë në një rast presidenti i saj, në bisedë e sipër me një nxënës, duke e pyetur se “ku janë kufijtë e Rusisë?”. Nxënësi i gjorë, duke u përpjekur t`i japë përgjigjen e saktë presidentit rus, përpëlitej më kot, për ta çuar presidentin rus që t`i përgjigjej furishëm: “kufijtë e Rusisë janë pa mbarim”.

Kjo është në fakt edhe strategjia ruse, zgjerim në të tëra anët, pa kufizime.

Në një botë multipolare, në një botë tejet viskoze, fuqia e Rusisë për destabilitet mund të jetë e madhe, krahas synimeve të bllokut perëndimor për stabilitet, sepse tendenca për rrënim është shumë më e lehtë se ajo për ndërtim dhe paqtim.

Me gjithë faktin se, krahasuar me SHBA-në dhe me Europën në tërësi, sistemi i shëndetësisë publike ruse është në kaos, mortaliteti është shumë i madh, lindshmëria është në rënie, e vetëm një universitet rus është i radhitur në 100 më të mirët në botë, si dhe transformimi postsovjetik i Rusisë përpëlitet si anija “Titanik” mes identitetit europian dhe atij sllavofil, zotërimi i një numri të konsiderueshëm raketash dhe kokash bërthamore, zotërimi i burimeve njerëzore të talentuara, industria e fuqishme e mbrojtjes, e bëjnë atë burim të përhershëm rreziku dhe me potencial të madh për destabilitet.

Kjo fuqi e saj u pa në luftën e Sirisë, po shihet sot në Ukrainë, e mund të themi lirisht se edhe në shtete të caktuara në Ballkan ky ndikim nuk është aspak i vogël. Strategët e botës ruse, duke e kuptuar faktin se ka përfunduar “momenti njëpolar” (Joseph S. Nyer, JR), po pluskojnë dhe po kalkulojnë me dinakëri në nivel rajonal.

E provuan këtë gjë disa herë në Maqedoninë e Veriut, edhe pse dështuan, qoftë drejtpërsëdrejti, qoftë përmes Serbisë (Rusisë në miniaturë), mandej në Mal të Zi, në Veriun e Kosovës, e mos të flasim për në Serbi.

Qasja ruse në Ballkan ambalazhohet në paketime të ndryshme dhe performon vazhdimisht. Rusia në Ballkan kishte mëtuar dhe ishte përpjekur vazhdimisht të ishte e pranishme në forma të ndryshme. Mjafton të përmendim idenë e panballkanizmit, ide tipike ruse, e sajuar nga Adam Czartoryski (1770-1861), në cilësi të ministrit të Jashtëm të Carit rus Aleksandër I, pasi Polonia u nda nga Rusia, Prusia dhe Austria, e i cili përmes kësaj formule donte të siguronte nxitjen e ballkanasve për luftë kundër Perandorisë Osmane, për të zaptuar më pastaj këto territore, pas largimit të osmanëve, duke sllavizuar dhe ortodoksizuar këtë rajon në tërësi përmes ndikimit rus.

Sot qasja e Rusisë dhe përpjekja për ndikim në Ballkan vjen përmes Serbisë. Mos të harrojmë se e ashtuquajtura “qendër humanitare” e Rusisë në Nish, përgjegjëse për gjithë Gadishullin Ballkanik, është gjithçka, por jo edhe qendër ku ka aktivitete humanitare. Është qendër spiunazhi, aktiviteti subversiv, ku mësymja çdoherë është destabiliteti i Kosovës në veçanti, e i rajonit në përgjithësi. Vlen të theksohet se punëtorët e kësaj baze kanë imunitet diplomatik.

Agjentura ruse në veriun e Kosovës është po ashtu tejet aktive. Mjafton të përmendet këtu rasti rishtar i gazetares ruse që punon në median shtetërore ruse “Komsomolska Pravda”, Daria Aslamova, me burrin e saj, edhe ky gazetar, Robert Valdec, të cilët me pretendimin se kishin për qëllim vizitën e manastireve në Banjska dhe në atë të Deçanit, e për të cilën e kishin edhe bekimin e peshkopit Stefan të Kishës Ortodokse Serbe, ishin në aktivitete të hapura spiunazhi.

Në anën tjetër, mos të harrojmë se 151 nga 250 deputetë të Kuvendit të Serbisë janë anëtarë të grupit të miqësisë Serbi-Rusi.

Në ditën kombëtare të Rusisë, të shënuar më 12 qershor, në pranimin e organizuar nga ambasadori rus në Beograd, paria shtetërore serbe thuaja se e shënonte ditën kombëtare serbe, e jo atë ruse. Aty ishin të pranishëm: Daçiqi, Bërnabiqi, Dodiku, Selakoviçi, ndërsa ambasadori Harçenko, në fjalimin e tij, vuri theksin në vëllazërinë ruso-serbe dhe partneritetin strategjik në pajtim me marrëveshjen e nënshkruar mes presidentëve Putin dhe Vuçiq, që qartazi e troç Serbinë e bën Rusi në miniaturë në Ballkan. Në anën tjetër, po ky ambasador, Aleksandër Bocan-Harçenko, më 8 gusht lëshoi njoftimin e tij, ku theksoi se “Rusia do të ndërtojë bazën e saj ushtarake në Serbi”.

Pra, Rusia, është tejet aktive në Serbi, e tërthorazi me agjenturat e saj edhe në rajon. Një agjent rus i ambasadës ruse në Maqedoninë e Veriut, që fliste shqipe të kulluar, e që shihej në çdo aktivitet kulturor, që më vonë, për shkak të aktivitetit të tij edhe do të dëbohej nga MPJ e RMV-së, është dëshmia më e mirë që e dëshmon këtë që e thash më lart. Ndikimi i llojit të këtij agjenti nuk ishte edhe i vogël në parti politike, bashkësi fetare e kështu me radhë. Andaj, një koordinim i vendosur dhe i bashkuar për të frenuar këtë ambicie dhe mësymje ruse për ndikim dhe dominim është më se i domosdoshëm.

Përballë këtyre fakteve dhe akteve, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, më shumë se kurrë duhen të jenë të rreshtuar dhe të vendosur në aleancën e tyre me Perëndimin, me SHBA-në dhe me Europën, të punojnë në sinkron dhe të koordinohen vazhdimisht, krejt kjo sepse përballë janë dy alternativa: o me Perëndimin, o me Rusinë. Balancim nuk mund të ketë, e as neutralitet.