Ndikimi rus në Ballkan dhe nevoja për një ndërgjegjësim

Ndikimi rus në Ballkan dhe nevoja për një ndërgjegjësim

Diskursi viktimizues i Serbisë, përkundër diskriminimit pozitiv që gëzon minoriteti serb në Kosovë, është cinik dhe i rrezikshëm. Ndonëse në terren nuk ka asnjë fakt të vetëm se Kosova po i diskriminon pjesëtarët e komunitetit serb, përpjekjen e shtetit kosovar për unifikim administrativ ajo po e përkthen në terma të urrejtjes ndërnacionale dhe me një gjuhë të qartë, të hapur dhe kërcënuese, po na e kthen në kujtesë ligjërimin e urrejtjes dhe hakmarrjes së liderëve serbë në fillim të viteve të ’90-ta.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka një rritje të vëmendjes ndaj zgjerimit të orbitës së ndikimit rus në Ballkan dhe më gjerë. Ani pse shumë eksponentë të sigurisë kanë apeluar vite më parë për një ndikim në rritje të Rusisë në Ballkan, kjo sikur haste në indiferencë të pakuptimtë nga qarqet perëndimore. Dhe, tani, kur lufta atje u bë reale, filluan të merren më seriozisht këto paralajmërime, për të parandaluar e pamundësuar një tjetër vatër konflikti ose ndërmarrje pushtuese.

Sido të kenë rrjedhë gjërat deri këtu, sot jemi në një realitet të ri: Rusia është më e fuqishme, ndikimi i saj në Ballkan është real dhe shumë më i madh dhe ky ndikim rritet e ushqehet sa të vazhdojë status-quo-ja në vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket integrimit në Bashkimin Europian. Vërehet se ndikimi rus në hapësirat ballkanike po gjen zbatim së paku në dy trajta: e para, ndikimi përmes Serbisë, aleatit të saj tradicional, dhe, e dyta, përmes aktorëve lokalë në vendet ballkanike, në politikë, biznes, media, organe të sigurisë etj. Rasti i fundit i “revoltës” së instrumentalizuar serbe, që ndodhi në veri të Kosovës, ishte vetëm një shkëndijë e vogël e potencialit destabilizues që posedon binomi ruso-serb. Prandaj, rreziku i destabilizimit është real. Serbia, nga njëra anë, anon nga Rusia dhe mbetet aleate besnike e saj, ndërsa nga ana tjetër taktizon me Europën. Rreziku për një destabilitet të mundshëm ose për ecje prapa do të bëhet edhe më real nëse serbët e Kosovës, nën ndikimin e pushtetit në Serbi, binden të dalin nga institucionet e Kosovës, siç kanë paralajmëruar, gjë që do ta bënte situatën vërtet të ndërlikuar. Mbase do të dalin me kushtin që të kthehen nëse formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, në një kohë kur ka një presion permanent ndaj qeverisë së Kosovës për ta themeluar atë. Por, ky Asociacion do të nënkuptonte legalizim e institucionalizim të atyre sirenave rebeluese në Veri ndaj autoritetit të shtetit. Ai do të nënkuptonte një sabotim tipik klasik ndaj shtetit, një mosbindje ndaj shtetit dhe një legalizim të nacionalizmit serb brenda Kosovës në dorën e Beogradit. Prandaj për Kosovën kjo do të nënkuptonte heqje dorë nga sovraniteti dhe kompromis i pariparueshëm.

 

“Kolonat me refugjatë” si viktimizim taktik

Mund të duket absurde, por tërë destabiliteti që u shkaktua nga serbët lokalë në veri të Kosovës, të keqpërdorur nga pushteti aktual në Beograd, ishte për një çështje administrative, një vendim administrativ që kërkon shtrirje të autoritetit të shtetit për tabelat e automjeteve në secilin vendbanim njësoj, gjë të cilën Serbia po e përjeton si tkurrjen tjetër të radhës drejt dëbimit, ndoshta, definitiv nga Kosova dhe po e interpreton si presion e shtypje ndaj serbëve. Diskursi viktimizues i Serbisë, përkundër diskriminimit pozitiv që gëzon minoriteti serb në Kosovë, është cinik dhe i rrezikshëm. Ndonëse në terren nuk ka asnjë fakt të vetëm se Kosova po i diskriminon pjesëtarët e komunitetit serb, përpjekjen e shtetit kosovar për unifikim administrativ ajo po e përkthen në terma të urrejtjes ndërnacionale dhe me një gjuhë të qartë, të hapur dhe kërcënuese, po na e kthen në kujtesë ligjërimin e urrejtjes dhe hakmarrjes së liderëve serbë në fillim të viteve të ’90-ta. Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sikur mundohet të vendosë baraspeshë me shqiptarët në viktimizim të popullatës civile, teksa shprehet se “nuk do të ketë kolona me refugjatë serbë”, ani pse këto kolona, të cilave iu referohet ai, janë imagjinare (imagjinare janë edhe synimet e supozuara për përzënie të serbëve), ndërsa kolonat që përjetuan shqiptarët janë reale. Është larg imagjinatës që tabelat e automjeteve të shkaktojnë kolona me refugjatë e të përndjekur, por nuk është larg imagjinatës të sajohen e improvizohen skenarë të tillë mashtrues e konflikt-nxitëse nga një lider si Vuçiqi, i cili shtiret si lider që po sakrifikon për paqen, ndërsa nuk i fsheh aspak ambiciet ekspansioniste mbi Kosovën nën pretekstin e mbrojtjes së minoritetit serb. Së paku, ligjërimi i tij është thellësisht problematik.

 

Ndërgjegjësim për shtetin dhe për përkatësinë

Në situatën e tanishme, shqiptarët – duke rikonfirmuar orientimin euroatlantik pranë SHBA-së dhe NATO-s – duhet te kthjellen sa më parë në planin e brendshëm. Të kenë narrativin e vet për lirinë, shtetin dhe shoqërinë, sovranitetin, punën e mirëqenien dhe kështu ta ndërtojnë të tashmen e të ardhmen. Duhet të kuptohet një herë e mirë sa serioze është çështja dhe bërja e shtetit të jetë mision i secilit qytetar, ashtu siç ka qenë dikur solidariteti për të shpëtuar e për të sjellë lirinë. Nuk mjafton konsumi i politikës ditore për të bartur idealet dhe vizionet për të ardhmen, për të ekzistuar. Vetëm kështu shoqëria bëhet kuptimplote e shteti i mirëqenë.

 

Disa degradime shoqërore si simptoma të rrezikshme

 Dështimi a suksesi i ndërtimit, shpëtimit dhe vendosjes në rrugë të mbarë e të sigurt të shoqërisë e shtetit nuk duhen kundruar vetëm nga këndvështrimi i ngurtë etatist (që fokusohet te aparati i shtetit dhe politikat e tij), por edhe nga një këndvështrim më i gjerë sociologjik e konceptual. Për shembull, meriton vëmendje degradimi shoqëror e vleror në Kosovë kohëve të fundit. Janë për shqetësim trendet negative e dukuritë devijuese në shoqërinë kosovare viteve të fundit në shumë plane. Nuk është menduar mirë e me kohë se çfarë shoqërie po duam të ndërtojmë ose për këtë po vendos dikush tjetër përmes një game investimesh? Numri i vrasjeve, si rezultat i mosmarrëveshjeve të ndryshme, i vetëvrasjeve, i emigrimeve të të rinjve, i aksidenteve në komunikacion me pasoja fatale, i vjedhjeve dhe plaçkitjeve, kanë shënuar rritje të dukshme dhe po e dëmtojnë seriozisht shëndetin shoqëror (ani pse një pjesë e shkaqeve për këto duhet kërkuar te pandemia, kriza ekonomike etj., karakteristika këto edhe për shoqëritë tjera). Në rrafshin moral, po ashtu ekziston një çorientim i pakuptueshëm, ku vlerat kryesore morale rrezikohen të kthehen në histori. Në aspektin e ndjeshmërisë ndaj vlerave kombëtare e besnikërisë ndaj atdheut dhe kujtesës sonë, që ende është e re dhe ruan plagët e luftës së fundit, ekziston një pluhur i rrezikshëm që po e mbulon atë, që po e kthen atë në një temë të tejkaluar, të panevojshme dhe kundër trendit aktual, një pluhur që hidhet çdo ditë kryesisht nga mediume kosovare. Nuk duhet të lejohet vdekja e ndërgjegjes historike e heroike. Temat politike e, veçanërisht, zhurma akustike e pakontrolluar e mediave të viteve të fundit nuk duhet ta zbehin indin patriotik e kujtesën historike të shoqërisë, ngase vetëm ajo kujtesë e përkthyer në ideal e mban gjallë atë, ashtu siç e ka mbajtur në kohërat e okupimit.

 

Rreziku i shuarjes së disa vlerave

Vdekja e shtetit bëhet përmes vdekjes së shoqërisë, vdekjes së besimit në disa vlera, rrjedhimisht i humbjes së ndjenjës së solidaritetit ndërmjet njerëzve. Nuk duhet të lejohet ndërtimi i një relativizmi absolut ndaj çdo gjëje, që i bën njerëzit të ftohtë e të pandjeshëm ndaj institucioneve e vlerave kryesore, siç janë familja, besimi, kombi, morali, historia, respekti për dëshmorët, fisnikëria e bujaria, të cilat një komunitet e mbajnë gjallë e dinamik edhe atëherë kur nuk e ka në dorë i aparatin e shtetit ose edhe atëherë kur ai ndryshon ose edhe atëherë kur ai nuk e përfaqëson mesazhin dhe indin historik e moral të komunitetit. Duket të mos kenë lidhje e impakt në politikën ditore, përkatësisht në mbarëvajtjen e shtetit, por pikërisht te këto principe qëndron fuqia e padukshme që mundëson e frymëzon jetën, të bukurën, lirinë e triumfin mbi secilën kanosje, qoftë të karakterit njerëzor (luftë, përplasje, krizë socio-ekonomike), qoftë të karakterit natyror (fatkeqësi natyrore). Dhe, ky shpirt social, që e bën shoqërinë ekziston pothuajse i pavarur nga aparati politik, shteti. Ndërkaq, mediat në Kosovë, me qasje e gjuhë cinike, injoruese e nihiliste e kanë zbehur besimin në vlerat kryesore shoqërore.

 

Goditja bëhet së pari mbi shoqërinë

Ndikimi serb e rus duhet të kërkohet edhe në këtë drejtim, jo vetëm në agjentura klasike politike ose të tjera. Ngase, kur thyhen virtytet e vlerat morale dhe botëkuptimet tradicionale të cilat e mbajnë gjallë komunitetin shoqëror, të cilat civilizimi njerëzor ka arritur t’i përcjellë deri më sot, e të cilat secila shoqëri i ka kultivuar në mënyrën e vet, të binjakëzuara më rrëfimin e vet për jetën, atëherë hegjemonia politike e kulturore dhe, në rastin më kulminant, invazioni ushtarak, bëhen të mundshme dhe shumë më lehtë të realizueshme. Prandaj kombin e shtetin e mban gjallë narrativi i suksesshëm dhe paradigma e solidaritetit. Kështu rreziku kryesor vjen nga relativizimi i çdo virtyti human, shpirtëror e kombëtar dhe kështu një komb i thyer paraprakisht shumë lehtë pushtohet në çdo nivel tjetër. Prandaj duhet kuptuar nga secili serioziteti i çështjes. Një gamë njerëzish e grupesh, që ka thyer dhe ka luftuar këto principe, nuk ka ideal, nuk ushqehet nga ndonjë ide fisnike, por ka kalkulim komercial, kapitalist, mendjelehtë, në rastin më të mirë, dhe shërbim të sponsorizuar kundër shtetit e atdheut të vet, në rastin më të keq. Prandaj deri nesër ajo kurrë nuk do të dalë në mbrojtje të jetës, besimit, nderit, pragut të shtëpisë dhe atdheut. Dhe, sa janë të rëndësishme këto e di mirë secili shqiptar që ky pluhur nuk ia ka mbuluar sytë e ndërgjegjes. Një vetëgjykim restrospektiv, që nga niveli personal, familjar dhe ai shoqëror do të duhej të bëhej urgjentisht e seriozisht për të mundësuar një këndellje të gjithmbarshme si shoqëri. Një vetëkritikë është e domosdoshme për ta mundësuar transformimin që s’po ndodhë. Politika e shteti, nga ana tjetër, e ka barrën e vet të detyrimeve, mbi të cilat do të bëheshim kujdestarë edhe më të mirë e të zotë. Nuk duhet lejuar askush degradimim e mëtejmë. Ky alarm duhet të shërbejë si thirrje për shpëtim, për vendosje në rrugën e mbarë të zhvillimit dhe për të ndërtuar një mirëqenie. Është faktike se në Kosovë mund të takohen shumë rryma e botëkuptime politike e ideologjike, për disa prej të cilave shoqëria kosovare ende s’ka qenë e përgatitur, disa i ka përvetësuar pa filtër e disa i ka përjashtuar po ashtu pa filtër. Por, një solidaritet minimal i nevojshëm është i domosdoshëm për të ekzistuar tani dhe në të ardhmen. Ky solidaritet mund të ndërtohet mbi rrëfimin për lirinë dhe sakrificën, mbi kujtesën kolektive, që është emëruesi më i përbashkët i mundshëm i kësaj hapësire etno-kulturore e gjeografike, që ka një rrëfim për veten dhe jetën.