` . Ndikimi i pandemisë në luftërat civile - TV-SHENJA

Ndikimi i pandemisë në luftërat civile

COVID -19 po tregon në mënyrë dramatike, ose të bashkohemi ose do të mposhtemi”

(António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së)

 

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

 

Epidemitë masive, katastrofat natyrore dhe fatkeqësitë me përmasa planetare janë momente kyçe, që në të shumtën e rasteve e ndryshojnë rrjedhën e historisë. Këto ngjarje, bëjnë thikëzimin dhe kësisoj ndërhyjnë në historinë e njerëzimit. Tashmë të tillat shndërrohen në referencë kohore! Henry Kissinger-i pohoi se “shtetarët duhet të përgatiten për një rend botëror post-coronavirus”.

Virusi COVID-19, i cili para ca muajsh u paraqit në qytetin Wuhan të Kinës, e që më pas e kaploi globin, s’do mend se është dëshmi e ndryshimit në linearitetin historik. Pandemia pa dyshim konsiderohet një sfidë jo vetëm për shëndetin publik e ekonominë globale por, gjithsesi, ajo i sfidon edhe realitetet e tanishme politike botërore, ato të sigurisë, si dhe zhvillimet në fushëbetejat aktuale!

Përhapja e pandemisë po i gjunjëzon jo vetëm shtetet e brishta e të dështuara, por ajo i vë në dyshim edhe kapacitetet e shteteve, të cilat janë aktorë të vërtetë global kur vjen në shprehje menaxhimi i krizave – crisis management. Me këtë rast mendimtari i Fundit të Historisë, Francis Fukuyama, konstatoi se “Linja kryesore ndarëse në reagimin efektiv të krizës nuk do t’i vendosë autokracitë, në njërën anë, dhe demokracitë, në anën tjetër. Përcaktuesi thelbësor në këtë performancë nuk do të jetë lloji i regjimit, por aftësia e shtetit dhe, mbi të gjitha, besimi në qeveri”. (The Guardian).

Në bazë të një raporti të botuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave thuhet se implikimi i pandemisë është serioz për vendet të cilët gjenden në mes të konfliktit, ngase pandemia e ndërpret rrjedhën e ndihmës humanitare, i kufizon operacionet e mundshme për të vendosur paqe, por mbi të gjithash e minon mundësinë për përpjekjet e mundshme të diplomacisë. /International Crisis Group).

Virusi pra, gjasme, do ta zvogëlojë aftësinë dhe vullnetin e shteteve e të sistemit ndërkombëtar, organizatave rajonale, forcave paqeruajtëse dhe agjencive të tjera humanitare, për t’iu përkushtuar zgjidhjes ose parandalimit të konflikteve.

Në disa raste, zhvillimet e luftimeve ose konfliktet e zgjatura, sidomos kur shoqërohen nga keqmenaxhimi, korrupsioni, si dhe sanksionet e huaja, i kanë lënë sistemet e shëndetit kombëtar thellësisht të papërgatitura për COVID-19. Përhapja globale ndaj virusit tashmë ka ndikim të konsiderueshëm në konfliktet e ndryshme të botës.

Me paraqitjen e virusit në vatrat e krizës, si në Siri, Jemen, e Libi, por edhe në kampet e refugjatëve, duke filluar nga Bangladeshi e deri në Afrikë, ekziston frika e shpërthimeve edhe më masive në zonat e luftës! Madje, shpërthimi masiv i COVID-19 në vendet e brezit shkatërrues, të zhytur në konflikte e luftëra civile, mund të ketë pasoja shkatërruese humanitare, pasi që lufta thuajse tashmë e ka asgjësuar sistemin e kujdesit shëndetësor.

Ndonëse OKB-ja bëri thirrje për një armëpushim global, me shpresë për t’i lejuar vendet të përqendrohen në pengimin e përhapjes së pandemisë, megjithatë janë shënuar pak shenja që palët ndërluftuese në të gjithë rajonin të tregohen të gatshme të zbatojnë një thirrje të atillë. (Al-Jazeera).

Zonat e konfliktit aktiv me rrezikueshmëri të lartë të shpërthimit të COVID-19 mund të jenë Siria veri-perëndimore, veçanërisht zonat rreth Idlibit, si dhe Jemeni, kur tanimë është e njohur se në këtë vend mbi 20 milionë njerëz kanë nevojë për asistencë humanitare.

Duke e marrë parasysh faktin se Arabia Saudite po përballet me pandeminë, uljen e çmimit të naftës e, si rrjedhojë, mund të zhytet në një kaos ekonomik, me shumë gjasë kjo do të bënte që Rijadi ta rishqyrtojë seriozisht angazhimin e tij në Jemen ose, së paku, uljen e çështjes jemenase poshtë listës së prioriteteve saudiane. Ndërkaq, në anën tjetër, rebelët e ekstremistët Huthi do të mund ta shfrytëzonin këtë situatë për t’i çuar më tej qëllimet e tyre politike!

Shkencëtari francez i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Institutit të Parisit për Studimet Politike (Science Po), Bertrand Badie, vë në dukje se për luftëtarët guerilë dhe grupet ekstremiste “kjo është një dhuratë e qartë nga Perëndia”.

Faktor tjetër i cili ndihmon në përhapjen e pandemisë në rajonet ku zhvillohen luftimet, gjithashtu, është edhe ardhja e vazhdueshme e mercenarëve nga një vend në tjetër! Siç duket, një dukuri e tillë shfaqet qoftë në Siri, por edhe në situatën e Libisë. Andaj, për këtë arsye, qeveria e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli të Libisë paralajmëroi se luftëtarët sirianë, madje edhe anëtarët e Hizbullahut libanez dhe gardës revolucionare iraniane, të dërguar për ta mbështetur Haftarin, po i vënë libianët në rrezik nga pandemia. (Vërtet, në Libi kemi një rast interesant të konfiguracionit të forcave, të cilat e mbështesin Haftarin)!

Siria, në të cilën lufta civile muaj më parë (mars) hyri në vitin e saj të dhjetë, tashmë gjendet me shërbime shëndetësore të kufizuara e të fragmentuara, madje ka lënë rajone të ndryshme pa ndihmë të jashtme për t’u ballafaquar me shpërthimin e pandemisë. Aq më tepër do të ishte i pamjaftueshëm parandalimi i përhapjes së virusit në kampet e dendura me refugjatë, kur tanimë dihet se shumë prej këtyre kampeve kanë mungesë strehimi dhe qasje të dobët në ujë të pijshëm.

Kampet e refugjatëve sugjerojnë për nevojën e një mbështetjeje të gjerë multilaterale në ofrimin e shërbimeve mjekësore për t’iu përgjigjur rasteve të pandemisë. Megjithatë, shpresat për një gjë të tillë ngelin të zymta, pasi që vendet kryesore dënuese, si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar e Bashkimi Evropian, janë të goditura tmerrësisht nga virusi COVID-19. (The Washington Post).

Në këtë periudhë, sigurisht, që është evidente edhe vështirësia e mediave dhe organizatave të ndryshme joqeveritare (ndërkombëtare) për të ofruar raporte mbi konfliktet dhe krizat, edhe kjo si pasojë e kufizimeve të udhëtimit. Por, s’duhet harruar që edhe njerëzit, tani për tani, e kanë humbur interesin për t’i ndjekur ngjarjet jashtë pandemisë!

Pandemia COVID-19, sikurse në çdo sferë tjetër, ashtu edhe në zonat e luftimeve, e ka vështirësuar dhe rënduar edhe më tej gjuhën e diplomacisë e të komunikimit ndërkombëtar.

Megjithatë, këto situata, si pandemia aktuale, janë mundësi për shtetet dhe qeveritë e ndryshme që t’i transformojnë sjelljet e tyre dhe kësisoj të hapet një kapitull i ri për botën dhe për marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kjo është një mundësi për krijimin e një bote më morale e më altruiste, ku arsyeja e mbisundon egoizmin, paqja e zëvendëson luftën dhe shpërndarja e të mirave do të zhdukte pabarazinë, që tanimë në shek. XXI është mjaft e theksuar.