NBA ngre siparin, Golden Stejti fiton Lejkersat

NBA ngre siparin, Golden Stejti fiton Lejkersat

Ka startuar sot sezoni 2022-2023 në NBA, teksa janë luajtur dy ndeshjet e para. Në fushë kanë zbritur kampionët e Golden Stejtit, që para ndeshjes së fituar ndaj Lejkersave kanë marrë unazat e titullit. Një ceremoni e bukur, me kampionët e NBA-së që u përshëndetën nga tifozët e shumtë.  Sa i përket ndeshjes, ajo u fitua me rezultatin 123-109 nga Golden Stejti, që mposhti një rival direkt për titullin në Perëndim. Keri me 33 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, duke i bërë të pavlefshme 31 pikët e Lebron Xhejmsit. Në ndeshjen tjetër, Bostoni triumfoi 126-117 ndaj Filadelfias. Edhe pse me probleme, për shkak të pezullimit të trajnerit, skuadra vendase bëri një ndeshje të mirë, ku u dalluan Tatum e Braun me nga 35 pikë secili. Për Filadelfian, Harden gjithashtu realizoi 35 pikë, por që mbetën për statistikë.