` . Nataliteti në rritje dhe mentaliteti i identitetit në ngritje - TV SHENJA

Nataliteti në rritje dhe mentaliteti i identitetit në ngritje

Një shtet për të cilin numrat dhe përqindjet janë të një rëndësie të veçantë po refuzon të regjistrohet tash e nëntëmbëdhjetë vjet. Regjistrimi i fundit është mbajtur në vitin 2002 dhe prej atëherë e deri më sot nuk e dimë sa jemi e si jemi. Patëm mundësi që këtë ta mësojmë në vitin 2011, por e dështuan për arsye se matematika nuk u dilte, pra nuk dilte rezultati që parashikohej, por ai real, dhe ky realitet i trembte ata që përmes numrave ishin mësuar të manipulojnë gjithherë në dobi të tyre.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Kumanovë

Në vija të trasha, problemet e jashtme të Maqedonisë së Veriut janë të numërueshme. Numri i këtyre problemeve është i barabartë me numrin e shteteve me të cilat kufizohet ajo. Po të dëshironte që dikush ta blinte Maqedoninë e Veriut, për shkak të problemeve të shumta me fqinjët, nuk do ta blinte, ngaqë njeriu para se të blejë shtëpi, ai blenë fqinjë e fqinjësi. Mirëpo, me çdo kusht, qysh në krijimin e saj si shtet, Maqedonia e Veriut problemet e brendshme, që vështirë numërohen, mëton t’i mbajë të fshehta ose ta luajë rolin e atij që telashet i gëlojnë në shtëpi sikurse kërpudhat pas shiut, por ai nëpër rrjetet sociale nxjerrë fotografi të lumtura me familjen.

Gabimi i parë këtu ndodhi kur të drejtat etnike i përcaktuan në varësi të përqindjes së popullsisë, thuajse bëhej fjalë për një ndërmarrje të shoqërisë aksionare. Sa më shumë aksione që keni, aq më tepër jeni i pranishëm në fitimet e ndërmarrjes. Për më keq, shqiptarët i trajtësuan në popull i “20-përqindëshit”. E tërë gurra e të drejtave etnike buron nga përqindjet, jo nga fakti i të qenit qytetar me identitet të qartë, që të drejtat të cilat lidhen me përkatësitë natyrshëm të të takojnë. Për t’i fituar disa të drejta, edhe ashtu të gjymtuara shumë, duhet ta plotësosh kushtin e “20-përqindëshit”. Bën të jesh edhe mbi këtë përqindje, që i bie se edhe maqedonasit mund të përfshihen në rubrikën “20 për qind e më tutje”, por për fat të keq ky formulim vlen vetëm për shqiptarët, edhe pse kjo prerazi nuk shkruan askund. Edhe në çështje private nëse përmendet numri “20 për qind”, mendja nënvetëdijshëm të shkon te shqiptarët, thuajse bëhet fjalë për sinonime.

Një shtet për të cilin numrat dhe përqindjet janë të një rëndësie të veçantë po refuzon të regjistrohet tash e nëntëmbëdhjetë vjet. Regjistrimi i fundit është mbajtur në vitin 2002 dhe prej atëherë e deri më sot nuk e dimë sa jemi e si jemi. Patëm mundësi që këtë ta mësojmë në vitin 2011, por e dështuan për arsye se matematika nuk u dilte, pra nuk dilte rezultati që parashikohej, por ai real, dhe ky realitet i trembte ata që përmes numrave ishin mësuar të manipulojnë gjithherë në dobi të tyre. Mentaliteti kombëtar në rritje i shqiptarëve dhe nataliteti në rritje te shqiptarët dukshëm e thellë i tremb bashkëqytetarët e tyre maqedonas. Në vitin 2011 gjërat kishin ndryshuar, ndryshim ky i paraprirë prej luftës së 2001-shit. Kishte ikur koha kur shqiptarët mund t’i regjistroje si diçka tjetër për një interes të ulët. Qartësia e identitetit kombëtar sa vinte e kthjellohej, ndaj regjistrimi i frikësonte ata që me çdo kusht dëshironin t’i diskriminojnë shqiptarët, pikërisht duke u nisur nga numrat. Për këtë arsye, pala tjetër punonte ditë e natë që praninë dhe shtimin e shqiptarëve ta paraqiste si problematike edhe nëpër librat shkollorë, në mënyrë që tkurrjen e tyre ta arsyetonin me çdo kush dhe në çdo formë. Nëpër ato libra na paraqisnin herë si ardhacakë, herë si të asimiluar e herë si pushtues, madje i binin kambanave që shqiptarët po shtohen në mënyrë të pakontrolluar, ngjashëm si kafshët, ndaj mekanizmat shtetërorë duhet të marrin masa, përndryshe ky realitet do të përbënte prishje të baraspeshave shoqërore dhe ekonomike në shtet, paçka se këto shpifje, tallje dhe poshtërsish do të duhej të dënoheshin prej ministrave shqiptarë të arsimit. Shtoja kësaj edhe politikat e këqija për marrjen e nënshtetësisë, ku për pasojë mijëra shqiptarë, të cilët me dekada të tëra jetojnë në këtë shtet, ende nuk kanë nënshtetësi, pra realisht janë, por zyrtarisht nuk figurojnë askund.

Deshën apo nuk deshën këta që kanë nuhatur diçka jo të këndshme për mendësinë e tyre, regjistrimi është standard ndërkombëtar që nuk mund t’i iket prore. Regjistrimi duhet të niste në prill të vitit 2021. Dita e mirë që shihet në mëngjes filloi të na tregojë se edhe këtë herë çështja e regjistrimit do të jetë problematike. Për dallim prej herëve të tjera, këtë herë mërgata është ngritur dhe mbledhur siç i ka hije. Numri i madh i regjistrimit në mërgim dhe njëherësh numri i vogël i regjistrimit te pala tjetër, edhe njëherë e trishtoi mendësinë që me çdo kusht dëshiron të jetë pronare dhe mbizotëruese në këtë shtet. Sakaq dhe sa keq, regjistrimi u pezullua. Pritet të mbahet në shtator, por pritet edhe të mos mbahet fare, ngaqë shtyrja e regjistrimit mund të jetë vetëm një metodë amortizuese e pakënaqësive për ta ndërprerë krejtësisht në shtator.

Maqedonia e ndërtuar gabimisht në numra dhe në përqindje, edhe këtë herë duket se nuk dëshiron ta dijë numrin e saktë të atyre që me flijim të madh kanë vendosur të jetojnë në këtë shtet dhe të atyre të cilët edhe përkundër që nuk jetojnë këtu, nuk kanë hequr dorë prej shtetësisë së tyre. Në sajë të numrave të pasaktë ose imagjinarë për dëshirën e tyre, mendësia mbizotëruese dëshiron t’i ndërtojë politikat e saj. Mbetet të shpresojmë se pala shqiptare në qeveri nuk do të bëhet sërish vegël e kësaj padrejtësie. Përndryshe, ndërprerja e sërishme e regjistrimit do të hapte shumë kuti, të cilat deri më tani i kemi shikuar me shumë huti.