Narracioni mbi Kosovën në retorikën e politikës zyrtare ruse

Narracioni mbi Kosovën në retorikën e politikës zyrtare ruse

Përdorimi i narracionit për rajonin ballkanik si një zonë konfliktuoze dhe pa epilog paqeje, Federatës Ruse i shërben për të krijuar perceptimin se Ballkani, pavarësisht pranisë perëndimore (NATO-s dhe BE-së), edhe më tej vazhdon të jetë vatër e krizës. Maksim Samurokov-i, hulumtues në Carnegie Moscow Center, pohon se nëpërmjet narrativit të këtillë Rusia përpiqet ta largojë vëmendjen e Perëndimit nga hapësira post-sovjetike drejt hapësirës ballkanike.

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Që nga vitet e ‘90-ta Rusia post-sovjetike ka shënuar periudha të ndryshme të disponimit antiperëndimor (kryesisht antiamerikan), qoftë në diskursin zyrtar ose opinionin publik rus. Prej tyre, dy ngjarje ishin të ndërlidhura drejtpërdrejt me zhvillimet politike që e karakterizuan Ballkanin, më saktë Kosovën. Njëra ishte në vitin 1999, me rastin e intervenimit të NATO-s, dhe tjetra në vitin 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ndonëse kjo nuk nënkupton që Serbia luan rol kaq të rëndësishëm në jetën politike të Federatës Ruse, megjithatë ky është një tregues i mirë jo vetëm i raporteve ruso-serbe, por edhe ruso-perëndimore në përgjithësi. (Nikolay Petrov).

Perceptimet e ndryshme ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit mbi të ardhmen e arkitekturës së sigurisë dhe rendit post-bipolar në Europë, ndër të tjerash kishin të bëjnë edhe me çështjen e Kosovës. Kjo situatë i ndoqi qëndrimet perëndimore dhe ruse edhe në fillim të shek. XXI kur komuniteti ndërkombëtar tashmë do të duhej të ballafaqohej me epilogun dhe statusin final të Kosovës.

Në kuadër të bisedimeve për statusin final, përveç ndasive ndërmjet Rusisë dhe anëtarëve të tjerë të Grupit të Kontaktit, dallimet u shfaqën edhe ndërmjet pozicionit rus dhe të dërguarit Marti Ahtisari, i cili në raportin e tij të paraqitur para sekretarit të OKB-së, Ban Ki Mun, në mars të vitit 2007 shkraunte se: “…opsioni i vetëm i mundshëm për Kosovën është pavarësia, e cila do të mbikëqyret” dhe se “Kosova është një rast unik që kërkon një zgjidhje unike“. Ndërkaq, në anën tjetër, për diplomacinë ruse, pavarësia e Kosovës do të përbënte precedent dhe do të fitonte karakterin universal, kurse çdolloj përpjekje për ta trajtuar Kosovën si rast sui generis, në pikëpamjen ruse krijonte përshtypje të standardeve të dyfishta që zbatohen për zgjidhjen e krizave në rajone të ndryshme të botës!

Para shpalljes së pavarësisë, Federata Ruse në vazhdimësi insistoi që Kosova të jetë pjesë e integritetit territorial të Serbisë, por nuk duhet harruar që kjo ishte e lidhur me shqetësimet e saj të vazhdueshme dhe për fatin e integritetin territorial të vet Federatës Ruse. Integriteti territorial u shndërrua në çështje të ndjeshme për shkak të pretendimeve të mundshme për pavarësi dhe synimeve separatiste brenda Rusisë. Mirëpo, nëse vendet perëndimore nuk tërhiqeshin nga pozicionet e tyre dhe e njihnin pavarësinë e Kosovës, Moska zyrtare ishte gati ta përdorte Kosovën si një lloj precedenti sa më shumë dhe në çdo situatë. (Dimitar Bechev).

Pikërisht shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Federata Ruse e përdori si justifikim për njohjen e pavarësisë së Osetisë dhe Abhazisë disa muaj më vonë, pasi që në shtator të vitit 2008, pra disa javë pas luftës ruso-gjeorgjiane Vladimir Putini, në cilësinë e kryeministrit, do të deklaron që “ne e njohëm pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë në të njëjtën mënyrë siç e njohën shumë vende europiane pavarësinë e Kosovës”!

Kjo nënkupton që në rast se Perëndimi “shkeli” të drejtën ndërkombëtare, duke e njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu siç pretendon pala ruse, atëherë një shkelje të atillë e ndërmori edhe diplomacia ruse me rastin e njohjes së entiteteve separatiste në rajonin post sovjetik!? Në këtë konstelacion ka një veprim kontradiktor të diplomacisë ruse, pasi që në njërën anë ajo shprehimisht kundërshton njohjen e Kosovës, për shkak të shkeljes së të drejtës ndërkombëtare dhe thekson integritetin territorial, kurse në anën tjetër Osetinë, Abhazinë, por edhe Luhanskun dhe Donjeckun, i krahason me Kosovën!

Në rastin e njohjes së entiteteve, qoftë në Gjeorgji ose Ukrainë, nuk bëhet fjalë vetëm me përdorimin e precedentit, por edhe dërgimit të mesazhit të qartë drejtuar komunitetit ndërkombëtar. Në perceptimin rus, pasi që u rivendosën kufijtë në Ballkan sipas vullnetit të Perëndimit, me këtë rast Rusia do të mund të rivendosë kufij të rinj të brenda ish hapësirës së dikurshme të Bashkimit Sovjetik! Analogjia e këtillë jep të kuptohet që në botëkuptimin e diplomacisë ruse dhe kodin operacional rus zhvillimet historike dhe politike në periudhën që vijoi pas vitit 1999 iu nënshtruan një cikli dialektik shkak-pasojë!

këtë krahasim presidenti Putin e ripërsëriti edhe gjatë takimit me sekretarin gjeneral të OKB-së, Antonio Gueteras, në Moskë në prill të vitit 2022, ku duke aluduar në pavarësinë e Kosovës u shpreh se “të njëjtën gjë mund ta bënin Republikat e Donbasit”. (Russian News Agency- TASS. Prill 2022). Kjo, në të vërtetë, përfaqësonte një shembull tipik të një veprimi Tit-for-Tat nga ana e Rusisë.

Mirëpo, në qarqet diplomatike dhe mediatike serbe krahasimet e këtilla ngjallën pakënaqësi, ashtu që ish ambasadori serb në Bjellorusi, Sreçko Xhukiq, pohoi se “me këtë lëvizje, Moska ndoshta ka ndërmarrë një hap vendimtar në njohjen e Kosovës… “. (Danas, prill 2022). Ngjarjet, të cilat i përjetoi rajoni ballkanik në të kaluarën, për politikën ruse tashmë paraqesin një burim precedenti që përdoret sa herë që e kërkon nevoja e tyre. Nuk duhet harruar që edhe në vitin 2019-të presidenti rus e përmendi Srebrenicën në kontest të një situate në rast se forcat ukrainase e rimarrin kontrollin në Donbas!

Fakti që diplomacia ruse e përdor narrativin mbi Kosovën në kontekst më të gjerë të një panorame antagoniste me Perëndimin, kurse ndryshimi i retorikës (në aspekt pozitiv) kundrejt Kosovës ose, në rastin më të mirë, mospengimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, do të ishte i mundur në rast të kthimit në normalitet të raporteve mes Rusisë dhe Perëndimit. Por, në rrethana të tanishme duket se një gjë e tillë  është ende larg.

Ndonëse diplomacia ruse në disa raste është shprehur për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ia kishte thënë presidenti Putin presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris në vitin 2018, megjithatë Sergej Lavrovi thekson se “ne jemi të përkushtuar që të kërkojmë një kompromis bazuar në Rezolutën 1244 dhe do të mbështesim vetëm një vendim që i përshtatet Serbisë”. Ky qëndrim i shefit të diplomacisë ruse, i cili në mënyrë të hapur mbështet Serbinë dhe ambiciet serbe, vështirë se mund të llogaritet si një pozicion i cili përkrah normalizimin!

Madje, përdorimi i narracionit për rajonin ballkanik si një zonë konfliktuoze dhe pa epilog paqeje, Federatës Ruse i shërben për të krijuar perceptimin se Ballkani, pavarësisht pranisë perëndimore (NATO-s dhe BE-së), edhe më tej vazhdon të jetë vatër e krizës. Maksim Samurokov-i, hulumtues në Carnegie Moscow Center, pohon se nëpërmjet narrativit të këtillë Rusia përpiqet ta largojë vëmendjen e Perëndimit nga hapësira post-sovjetike drejt hapësirës ballkanike dhe se, sipas logjikës së Kremlinit, sa më shumë vëmendje që Perëndimi t’i kushtojë Ballkanit, aq më pak do të angazhohet rreth kufijve të Rusisë.