` . Napoli mposht me “manita” Udinesen, ngjitet përkohësisht i dyti! - TV SHENJA

Napoli mposht me “manita” Udinesen, ngjitet përkohësisht i dyti!

“Manita” e Napolit për Championsin. Të kaltrit e Gattusos mposhtën me rezultatin e thellë 5-1 Udinesen në ndeshjen hapëse të javës së 36-të të Serie A, duke konfirmuar momentin pozitiv që po kalojnë dhe duke u ngjitur përkohësisht në vendin e 2-të të kampionatit, në pritje të sfidave të rivalëve direktë në garën për zonën Champions. Ishte një Napoli vrastar ai që zbriti në fushë përballë friulanëve me shumë dëshirë për të marrë maksimumin e pikëve. Pas disa tentativave të çuara dëm, skuadra e Gattusos zhbllokoi shifrat në minutën e 28-të me Piotr Zielinskin që shfrytëzoi topin e kthyer nga Muso pas goditjes së Osimhen. 3 minuta më vonë Zielinski bëri njeriun asist duke shërbyer për Fabian Ruiz që shënoi edhe të dytin për Napolin. Por 4 minuta para pushimit Udinese rihapi sfidën me golin e Okakas. Vetëm kaq për miqtë nga Udine në këtë sfidë pasi pjesa e dytë foli e gjitha për Napolin që realizoi dhe 3 herë të tjera. Fillimisht meksikani Lozano në të 56-ën i çoi shifrat në 3-1, ndërkohë që 10 minuta më vonë shënoi edhe mbrojtësi Di Lorenzo. Nuk mund të mungonte në këtë sukses të thellë të Napolit firma e kapitenit Insigne që realizoi një gol të bukur pak para fundit duke vulosur fitoren 5-1 të Napolit që me këto 3 pikë u ngjit në kuotën e 73 të tillave, 4 më shumë se Juventusi për momentin.