Napoli, leksion Milanit në “San Siro”

Napoli, leksion Milanit në “San Siro”

Napoli rifiton brenda pak orësh vendin e parë në Serinë A pasi mori një fitore të madhe 1-2 në “San Siro”, përballë kampionëve në fuqi të Milanit. Skuadra e Spallettit tregoi edhe një herë se do të jetë një “kockë e fortë” për çdo kundërshtar, pse jo ndër pretendentët kryesorë për titullin kampion.

Duhej të vinte minuta e 55-të që të zhbllokohej rezultati me një 11 metërsh të shndërruar në gol nga Pilitano. Gjyqtari drejtoi gishtin nga pika e penalltisë vetëm pas konsultimit me sistemin VAR.

Kundërpërgjigjja e kuqezinjve erdhi në minutën e 69-të, me sulmuesin veteran Giroud, pasi një aksioni model nga e majta e sulmit.

Vetëm nëntë minuta më vonë, Simeone, djali i trajnerit të Atleticos, shënoi golin e dytë dhe të fitores për Napolin, që falë këtij suksesi ndaj një rivali të drejtpërdrejtë ngjitet në vendin e parë me 17 pikë, me golaverazh më të mirë se Atalanta.

Një ndeshje intensive dhe spektakolare, e denjë për dy skuadrat më të forta në këtë fillim sezoni. Milani bëri volum loje dhe krijoi shumë raste, por djemtë e Spallettit treguan pjekuri të madhe, duke goditur në momente të veçanta. Pioli mund t’i qortojë lojtarët e tij për faktin se duhej të ishin më të vëmendshëm në mbrojtje, por  gjithsesi kuqezinjtë me lojën e zhvilluar konfirmuan të gjitha cilësitë dhe identitetin e lojës së tyre edhe pa lojtarin kryesor, Leaon.