Nacional- liberalizmi maqedonas, doktrinë politike proruse

Nacional- liberalizmi maqedonas, doktrinë politike proruse

Në vitin 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s ndaj caqeve serbe, ndodhi sulmi i njohur ndaj Ambasadës së SHBA-së në Shkup, që politikisht u orkestrua nga socialdemokratët, duke i pozicionuar në grupin e partive proserbe dhe, me këtë, edhe që mbështesnin qëndrimet ruse.

Faktorizimi politik i partive shqiptare nuk duhet të bëhet në stilin “Sulmo Levicën!”. Çdo deklaratë kundër Apasievit dhe partisë së tij, do të thotë rritje elektorale e një partie proruse.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Në tridhjetëvjeçarin e pluralizmit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut ka pasur lëvizje ose parti politike, të cilat deklarativisht kanë proklamuar opsione liberale ose, shprehur me gjuhën e teorisë politike, kanë shfaqur ide dhe vizione majtiste!

 

Konceptet e majta me pozicione etnonacionaliste

 

Pse themi deklarativisht? Për shkak se historia e re ka evidentuar në mënyrë të saktë se disa projekte ose subjekte politike vetëm në letër ose në programe e platforma kanë pasur orientime liberale-majtiste, pasi në raport me shqiptarët dhe orientimet gjeostrategjike e gjeopolitike të vendit shpesh kanë shfaqur tendenca antidemokratike, antiliberale dhe, madje, janë pozicionuar tek ekstremet ose radikalizmi i së djathtës, jo vetëm me ide(ologji), por edhe me veprime konkrete.

Ndoshta për të bërë prologun e këtij shkrimi, do themi se pluralizmi politik njeh opsione të cilat teorikisht mund të klasifikohen si nacional-liberale, që në fakt do të thotë simbiozë e liberalizmit me (etno) nacionalizmin si doktrinë politike, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend! Kjo do të thotë se disa parti politike, kur bëhet fjalë për çështjet e të drejtave sociale-ekonomike, në veçanti të drejtën e pronës, lirinë e shprehjes, raportin mes shtetit dhe religjionit, çështjen e abortit, mbrojtjen e ambientit jetësor, të drejtat e kafshëve, të drejtat e grupeve margjinale, çështjet arsimore e shëndetësore e shumë segmente tjera shoqërore kanë qëndrime liberale ose majtiste! Por, kur në sipërfaqen politike shfaqen çështjet rreth identitetit etnokulturor, statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve, marrëdhëniet me fqinjët ose orientimi drejt strukturave gjeopolitike, ato shfaqin pozicione që në vende tjera i hasim tek partitë e djathta politike, madje tek ato të pozicionuara në skajet e trajektores djathtiste politike, të njohur për kah doktrina etnonacionaliste!

 

Socialdemokracia maqedonase – joliberale ndaj shqiptarëve

 

Në vitet e ‘90-ta, kur formoheshin partitë e reja politike, subjekti i parë ishte Lidhja Komuniste e Maqedonisë – Partia e Transformimit Demokratik, që derivonte, siç shihet qartë që nga emri, nga ish Partia (Lidhja) Komuniste! Një parti, e cila promovonte vlerat majtiste të politikëbërjes dhe shtetndërtimit të ri të Maqedonisë (nga viti 2018 quhet Maqedonia e Veriut), por sa i përket statusit të shqiptarëve shfaqte ide etno-nacionaliste, të ngjashme me ato të VMRO-DPMNE-së së djathtë konservatore. Bie fjala, reagonin me vrullin dhe zellin e maqedonizmit të flaktë kur kërkohej një e drejtë elementare ose themelore e shqiptarëve, siç ishte ajo e arsimimit në gjuhën shqipe në nivel sipëror ose universitar! Në periudhën e kësaj partie, e cila më vonë do të emërtohet si parti e proveniencës socialdemokrate ose Lidhja Socialdemokrate, do të ndodhin shumë ngjarje që e kanë goditur rëndë qenësinë etnokulturore shqiptare. Në vitin 1992 kanë ndodhur “Ngjarjet e Bit-Pazarit”, më 1993 “Afera e Armëve”, më vonë ndodhin “Ngjarjet e Ladorishtit”, ndërsa në vitin 1997 ndodhën “Ngjarjet e Gostivarit”, një sulm i forcave shtetërore policore, që nuk do të harrohet në historinë bashkëkohore shqiptare. Fatkeqësisht, të gjitha këto të bëma të këqija ndaj shqiptarëve ndodhën duke bashkëqeverisur një parti që përfaqësonte shqiptarët, Partia e Prosperitetit Demokratik.

Natyrisht se gjatë qeverisjes së komunistëve të transformuar në socialdemokratë kanë ndodhur edhe shumë ngjarje, në të cilat individualisht dhe, sidomos, kolektivisht, shqiptarët janë diskriminuar në mënyrë sistematike, ndërkaq në raste të caktuara janë shfaqur qëndrime antiperëndimore.

Në vitin 1999, pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s ndaj caqeve serbe, ndodhi sulmi i njohur, deri në tentim për djegie ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, që politikisht u orkestrua nga socialdemokratët, duke i pozicionuar në grupin e partive proserbe dhe, me këtë, edhe që mbështesnin qëndrimet ruse për mosndërhyrje ushtarake në Serbi, edhe pse ishin kryer krimet më makabre ndaj shqiptarëve të Kosovës. Qëndrime të ngjashme proserbe kjo parti ka shfaqur edhe sa u përket refugjatëve të Kosovës, ndërsa në këtë vijë spikat deklarata e ish presidentit, njëherësh ideolog i LSDM-së, Kiro Gligorov, i cili kërkonte korridor për refugjatët nga Kosova.

Kjo parti, sot, sidomos pas vitit 2016, në raport me shqiptarët tenton të promovojë politikë inkluzive, edhe pse koncepti i saj “Shoqëri për të gjithë”, ka ngelur koncept i modeluar teorik, pa gjetur zbatim të gjerë në realitetin shoqëror të Maqedonisë së Veriut. Edhe në dimensionin e orientimeve gjeostrategjike, socialdemokratët promovojnë dhe zbatojnë politika properëndimore, ndërsa në momente sillen edhe me servilizëm ndaj faktorit ndërkombëtar!

 

“E majta” – parti ekstreme djathtiste antishqiptare

 

30 vjet pas filleve të pluralizmit, në skenë do të shfaqet një parti e njohur me emrin “E majta” (shpesh e njohur edhe në diskursin politik shqiptar me emrin origjinal në gjuhët sllave “Levica”). Kjo parti, njëjtë si të gjitha opsionet e majta, shfaq interesim dhe brengosje të madhe, sidomos për të drejtat e punëtorëve, të varfërve ose shtresave me status jo të mirë social, mbrojtjes nga ajri i ndotur, përkatësisht ka mbajtur qëndrim, që janë puromajtiste. Megjithatë, kjo parti nuk shfaqet aspak me program majtist, përkundrazi shfaq qëndrime dhe deklarime etnonacionaliste sa u përket të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe marrëdhënieve me Kosovën, duke kërkuar madje tërheqjen e njohjes së saj nga Maqedonia e Veriut.

Madje, kur bëhet fjalë për çështjet globale, ajo nuk rresht pa shfaqur pozicione të qarta proruse. Lideri i këtij subjekti politik, Dimitar Apasiev shpesh ngrihet politikisht tek kampi zgjedhor maqedonas me anë të oponencës në stilin “Sy për sy, dhëmb për dhëmb!” nga eksponentë të Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërsa më i zëshmi është kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri. Këto veprime, në çaste të ndryshme të parlamentarizmit dhe politikëbërjes janë ndoshta edhe të domosdoshme, por faktorizimi politik i partive shqiptare nuk duhet të bëhet në stilin “Sulmo Levicën”, por mbi vizione të qarta mbi të ardhmen e shqiptarëve.

Duke pasur parasysh formulën e aksionit dhe reaksionit, çdo deklaratë kundër Apasievit dhe partisë së tij do të thotë rritje elektorale e një partie proruse, lideri i së cilës nuk heziton të shprehet se “Perëndimi kolektiv po shkatërrohet. Kësaj nuk i shpëtohet. Kjo është fryma e historisë!”

Ndoshta nuk është për t’u habitur as fakti që këto qëndrime të Apasievit janë të njëjta me ato të Vlladimir Millçinit, ish drejtues i organizatës liberale “Soros” dhe një eksponent i lartë i Lidhjes Socialdemokrate në vitet 1990-2000. Qëndrimi i tij i fundit është se “Nuk përjashtohet që vendet e ‘Ballkanit të hapur’ të mos presin pranimin e tyre në Bashkimin Europian”! Kjo, pasi sipas Millçinit, do të ndodhë pasi “Thjesht, BE-ja do të shkatërrohet!” Apasievi dhe Millçini mendojnë ngjashëm dhe kjo, thjesht, nuk është rastësi.

Narrativi antieuropian, i cili shpesh koincidon me narrativin prorus të partisë “E majta” dhe organizatave të tjera margjinale politike dhe shoqërore, është bërë përditshmëri dhe proklamohet edhe nga ekspertë dhe organizata joqeveritare me orientim “europian”, sidomos pas pranimit të “Propozimit francez”, i cili u dha fund mosmarrëveshjeve historike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe i hapi rrugën nisjes së negociatave për anëtarësim në BE mes Shkupit dhe Brukselit.