Muza e muzeut

Muza e muzeut

Fjala vjen, në një muze sot mund të shohim një ditar të lënë nga një paraardhës i yni, gjë që nuk do ndodhë me ne, pasi ditari ynë është telefoni celular, kompjuteri ose rrjetet sociale në botën virtuale, botë që mund të vagullojë aq lehtë prej ndonjë virusi a prej ndonjë problemi teknik.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Gjërat dhe gjësendet e ekspozuara në një muze kanë një peshë të ndryshme në shikimin dhe kujtesën e secilit, por kanë të njëjtin ndikim për sa i takon zhvendosjes së menjëhershme në kohë po nëpërmjet kujtesës. Në këtë pikë bashkërendojnë vrullshëm kujtesa e njerëzimit me kujtesën vetjake, ku herë mbizotëron njëra, herë tjetra.

Muzeu është një sublimim i paautorizuar i synimeve dhe dëshirave të ndryshme që janë bërë lëndë e prekshme nga paraardhësit, që merren, i nënshtrohen një procesi analitik, kurohen dhe përdoren në emër të kujtesës, fenomen të cilit do t’i nënshtrohemi edhe ne me ndërhyrjen si forcë zakoni të pasardhësve tanë. Por, pak gjë do të mbetet nga ne, sepse ne kemi ngritur një sistem të mbushur kryesisht me gjëra të ashtuquajtura për “përdorim të përditshëm”, që shpërbëhen e treten pa gjurmë; po edhe nëse mbetet diçka, është aq e varfër dhe e bjerrë sa nuk meriton kurrfarë vëmendjeje. Fjala vjen, në një muze sot mund të shohim një ditar të lënë nga një paraardhës i yni, gjë që nuk do ndodhë me ne, pasi ditari ynë është telefoni celular, kompjuteri ose rrjetet sociale në botën virtuale, botë që mund të vagullojë aq lehtë prej ndonjë virusi a prej ndonjë problemi teknik.

Në muze kujtohen sende, që në mënyrën se si vendosen dhe shfaqen para nesh, sa vijnë e na imponohen edhe më shumë dhe kështu na vendosin një lloj pengese për të kujtuar njerëzit.

Një nga ndjesitë e para që beh kur gjendesh në një muze është se gjërave që shikon u është hequr e zakonshmja, pjesë e së cilës ishin deri para se të zhvendoseshin. Në këtë mënyrë ato marrin një status të cilin nuk e kishin për aq sa ishin jashtë muzeut. Kështu, muzeu gjykon – gjykon se cila gjë duhet të vazhdojë një jetë të re dhe cila duhet të shuhet një herë e përgjithmonë.

Në fakt, po ta mendojmë në një stad më të ngushtë ose më saktë më intim, pothuajse çdo njeri ose çdo familje e ka prirjen të ndërtojë një muze, të përbërë nga një a më shumë gjëra të mbetura për arsye të caktuara, si kujtesë e kultivuar me vetëdije, në shenjë nderimi a për një tjetër shkas për paraardhësit.

Nga ana tjetër, në muze ndodh edhe befasia e zvogëlimit të gjërave krahasuar me imazhin që e kemi paraprakisht për to. Këtu luan një rol përcaktues fenomeni i mitizimit që haset shpesh në procesin e rrëfimit të së shkuarës, ndaj edhe gjërat grishin dhe ngjisin më fort se të dhënat e provuara. Ja pse për shumëçka që shohim në një muze përjetojmë një habi, e cila aty për aty nis një përballje domethënëse me atë çfarë besonim ose dinim më parë për ato që kemi para syve.

Muzeu ndikon edhe te veprat e artit, të cilat sa më shumë të rrinë në muze, aq më shumë ngrihet një lloj kulti për to. Le të marrim si shembull pikturën Et in Arcadia ego – “Në Arkadia jam” (1638-9), e Nicolas Poussin, e cila, natyrisht që nuk kishte të njëjtin hir kur u vendos për herë të parë në muze krahasuar me aurën që gëzon sot. Kështu që, pavarësisht se e njëjta, pa asnjë ndryshim, në të njëjtin vend, vjen duke transmetuar e provokuar ndjesi dhe mendime të ndryshme, le të themi, nga shekulli në shekull. Meqë jemi te ky rast, kujtojmë se vetë Poussin-i ka qenë mjaft i dhënë pas Romës, pas pjesës antike të saj, domethënë pas muzeut, dhe kështu Roma u bë një shtëpi e dytë për të, duke studiuar në veçanti statujat klasike.

Tani le ta zgjerojmë disi rrjedhën duke iu qasur atyre gjërave që nuk mund të përfundojnë në muze, sido që të lakmuara sa më s’ka nga muzeologët dhe koleksionistët, dhe është fjala për një sajesë sipas gjykimit të shoqërisë, por aspak e tillë sipas ligjeve të pashkruara të artit. Josiah Royce, në vëllimin e parë të veprës The world and the individual (1899) e ka formuluar të mëposhtmen:

“Të përfytyrojmë se një copë e truallit të Anglisë është niveluar përkryeshëm dhe se në të, një hartograf të skicojë një hartë të Anglisë. Vepra është e përkryer; nuk ka imtësi të truallit të Anglisë, sado e vogël të jetë, që të mos jetë e regjistruar tek harta; çdo gjë e ka aty korrespondenten e vet. Harta, në rastin e tillë, duhet me përmbajtë një hartë të hartës, që duhet me përmbajtë një hartë të hartës së hartës e kështu në pafundësi.” (Cituar nga Borges-i në librin Inkuizicionet e tjera, f. 54, përkth.: Astrit Cani)

Libri është e vetmja gjë, i vetmi objekt që mund të vendoset në muze, por njëkohësisht i takon edhe të sotmes, çdo të sotmeje; ngaqë sapo ti e merr në dorë dhe lexon qoftë edhe një fjali të vetme, ai del nga muzeu. Kështu, biblioteka është i vetmi muze “objektet” e të cilit mund të përdoren në çdo kohë.

Ndër instrumentet e shumta të njeriut, – shkruan diku Borges-i – pa dyshim, libri është më i mahnitshmi. Instrumentet e tjera janë zgjatim i trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatim i shikimit; telefoni është zgjatim i zërit; kemi edhe parmendën dhe shpatën, kuptohet zgjatime të krahut. Por, libri është diçka tjetër: libri është zgjatim i kujtesës dhe i imagjinatës. Në veprën Cezari dhe Kleopatra, Bernard Shaw thotë se Biblioteka e Aleksandrisë është kujtesa e njerëzimit (një rasti tipik ky ku biblioteka është edhe muze, pasi ajo nuk është më, vetëm sa përfytyrohet). Por, siç thotë Borges-i, libri ka diçka më tepër: ai është edhe imagjinata e njerëzimit. A nuk është e kaluara jonë një thurimë ëndrrash? Çfarë ndryshimi mund të ketë ndërmjet kujtoj ëndrrat dhe kujtoj të shkuarën? Në muze duhet të kujtojmë të ardhmen, meqë shkuara është vetëm një ëndërr.

Muzeu është një rrjetë që mbledh ato çfarë nxjerr në breg lumi i kohës.