` . Mustafa: Me LVV-në do ta diskutojmë edhe çështjen e Presidentit - TV-SHENJA

Mustafa: Me LVV-në do ta diskutojmë edhe çështjen e Presidentit

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie ka thënë se kanë diskutuar për punën që ka bërë grupi punues i LDK-së në takimet me LVV-në.

Mustafa ka thënë se ende nuk është diskutuar për ndarjen e ministrive me LVV-në.

“Ne sot në mbledhje të kryesisë së LDK-së u informuam nga ekipi ynë lidhur me rrjedhën e dialogut, bisedave që po zhvillohen me LVV-në për harmonizimin e programit qeverisës. Kryesia ka vlerësuar se ekipi ynë ka bërë një punë të mirë. Është arritur mjaft shumë harmonizim, në aspektin ekonomik, arsimit, shëndetësisë, sundimit të ligjit, sigurisë dhe pjesën sociale, që u diskutua dje. Janë arritur pajtime të nivelit të kënaqshëm edhe të organizimit të Qeverisë, dhe si do të funksionojnë edhe ministritë e ardhshme. Qeveria e ardhshme do të jetë më efektive dhe më ekonomike. S’kemi nevojë të merremi me çështje që s’pajtohemi, edhe pse janë shumë të pakta”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Mustafa ka përmendur takimin kur do të flitet për ndarjen e posteve.

“Ne do ta kemi një takim me liderin e LVV-së, dhe nënkryetarët e LDK-së si dhe kandidatja për kryeministër nga LDK. Në këtë takim do të bisedojmë për çështjen e posteve dhe do ta bëjmë publike. Ne parimisht jemi shprehur që ne do ta pranojmë që kryeministrin ta ketë partia që del e para dhe ne do t’i përmbahemi këtij parimi. Por kjo nuk do të thotë që çështja e kryeministrit është e përfunduar në pikëpamje të peshës që ka edhe në pozita tjera shtetërore”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për dialogun duke thënë se duhet ecur tutje.

“Do ta inkurajojmë qeverinë e ardhshme ta dërgojë dialogun përpara dhe nuk pres që do të kemi kundërshtim të LVV-së në këtë aspekt. Modalitetet pastaj caktohen rrugës. Lidhur me taksën ne jemi shprehur që do të aplikojmë reciprocitetin”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka folur edhe për postin e Presidentit, duke thënë se do të diskutojnë me LVV-në se cilës parti i takon ta propozojë për të ardhmen.

“Po shoh që po bëhet zhurmë në medie për çështjen e Presidentit. Nuk e kemi në rend ditë këtë, e kemi çështjen e zgjedhjes së qeverisë dhe parlamentit. Por të gjitha çështjet që do të dalin gjatë kësaj periudhe duhet të diskutohen brenda katër vjetëve, e edhe çështja e Presidentit. Mirëpo, në asnjë rast unë nuk jam shpreh se do të jam i propozuar. Ky propozim do të vije kur të shpallen zgjedhjet për President dhe propozimi vije nga partia. Kjo çështje duhet të bisedohet me partnerët e koalicionit, dhe duhet të përkrahim të drejtën e një subjekti politik që nesër ta bëjë propozimin për këtë. Pra tani do të merremi vesh se kujt i takon ta propozojë kandidatin për president në të ardhmen. Por vetëm kujt i takon, e jo ta propozojë tani”, ka thënë ai.

Ndryshe dy partitë që kanë dal të parat Lëvizja Vetëvendosje me 32 deputetë të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë mbrëmë kanë mbajtur takimin e gjashtë për të përafruar programin qeverisës të udhëhequr nga këto dy subjekte politike./Telegrafi/