Musku ankohet se Apple po synon ta largojë Twitterin nga App Store

Musku ankohet se Apple po synon ta largojë Twitterin nga App Store

Elon Musk e ka akuzuar Apple se po synon ta largojë Twitterin nga App Store i saj, pa i dhënë asnjë arsye platformës së rrjeteve sociale.

Pronari i ri i Twitterit ka thënë po ashtu se prodhuesi i telefonave të mençur “iPhone” i ka ndaluar po ashtu reklamat në Twitter, duke bërë që Musku të shtrojë pyetjen nëse Apple e urren fjalën e lirë, raportoi The Guardian.

Musku i ka bërë këto deklarata në një cicërimë të hënën në Twitter.
“Apple po ashtu ka kërcënuar që ta largojë Twitterin nga App Store, por nuk tregojnë pse”, ka shkruar njeriu më i pasur në botë.

Në fillim të këtij muaji, ish-kreu i besimit dhe sigurisë së Twitter-it, i cili dha dorëheqjen pas marrjes së Twitterit nga Musk me vlerë prej 44 miliardë dollarësh, paralajmëroi për një dëbim “katastrofik” nga dyqanet e aplikacioneve Apple dhe Google.

Yoel Roth shkroi në New York Times se çdo nxjerrje nga ato dyqane aplikacionesh do ta bënte “të vështirë për miliarda përdorues të mundshëm marrjen e shërbimeve të Twitterit”.
Ndërkaq, në fillim të këtij muaji, Phil Schiller, i cili drejton App Store të Apple, fshiu llogarinë e tij në Twitter në një lëvizje që menjëherë shkaktoi spekulime se marrëdhëniet e biznesit të Musk me një shpërndarës kyç të aplikacioneve në Twitter po tensionoheshin.