` . Mungesa e platformave politike mbi marketingun politik - TV SHENJA

Mungesa e platformave politike mbi marketingun politik

Fushatat e marketingut politik janë të integruara me mjedisin dhe lidhen njëkohësisht me forcat e shpërndarjes në një mjedis të veçantë. Ndryshimet shoqërore, rregullat ligjore ose zhvillimi i teknologjive të reja imponojnë ndryshime në strategji të veçanta marketingu, që kërkojnë nga ana e tyre gjithashtu rigjenerim të kërkesave të marketingut.

Shkruan: Abil BAUSH, Shkup

Gjatë historisë politike të Republikës së Maqedonisë të Veriut pas viteve 1944 nuk ka pasur aplikime të marketingut politik pasi që nuk kanë qenë i nevojshëm hartimi i strategjive të marketingut të bazuara në nevojat dhe dëshirat e votuesve. Kjo për shkak të mungesës totale të subjekteve të pavarura politike që të konkurronin në zgjedhje elektorale. Të gjitha organizatat e masave të inkuadruara në Partinë Komuniste të republikave jugosllave merrnin pjesë në zgjedhjet elektorale nën udhëheqjen e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, si e vetmja forcë politike drejtuese në vendin tonë. Kjo situatë vazhdoi deri në fund të vitit 1990. Pas viteve 1990-të, me lindjen e pluralizmit politik në ish RSFJ, subjektet politike ndjenë nevojën e informimit të qytetarëve në një mjedis politik gjithnjë e më konkurrues nëpërmjet përdorimit të imazhit dhe medies si element parësor në fushatë elektorale.

Për sistemin politik në Maqedoni, marketingu politik mbetet ende një nga fushat më pak të hulumtuara duke pasur parasysh faktin që vetëm në këto vitet e fundit janë aplikuar konceptet e marketingut politik. Ajo që vihet re rëndom në fushatat elektorale është tendenca e subjekteve politike për të ofruar premtime, kryesisht me efekt populist dhe mediatik. Deri para ca vite subjektet politike nuk kanë pasur programe të qarta dhe dokumente të shkruara nga të cilat të dalin në pah diferencat programore, në mënyrë që pas zgjedhjeve të monitorohet efektiviteti i qeverisjes. Ndërrimi i roleve nga programet partiake tek fushata mediatike dhe imazhi elektoral, ka krijuar një sistem të deformuar të marrëdhënieve parti – elektorat. Një platformë apo program i partisë politike në vete duhet të përmban qëllime të cilat mbështeten nga partia politike ose nga një kandidat me qëllim që t’i drejtohen votuesit të gjerë, por që këta të fundit të kenë të shprehura nevoja dhe dëshira. E gjitha kjo bëhet për qëllimin përfundimtar të fitimit të mbështetjes së publikut të gjerë dhe votave për tema ose çështje të ndërlikuara. Në gjithë këtë periudhë kohore të pluralizmit në Maqedoninë e Veriut platformat politike bëheshin sa për t’u dukur, disa i bënin për të gënjyer kurse disa as që e dini se çka është ky dokument strategjik. Një platformë politike duhet të përmban integritet të qëllimeve, inkluzivitet, pragmatizëm dhe të jetë fleksibile me kohën dhe trendet bashkëkohore, por duke pasur kujdes mos të devijoj nga orientimin partiak.

Fillimet e marketingut politik dhe krijimi i platformave politike në fushatat elektorale në Maqedoninë e Veriut datojnë fillimisht në vitin 2004, si pararendëse të fushatës zgjedhore parlamentare të vitit 2006, ku për herë të parë subjektet politike nënkontraktuan kompanitë ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut përjetoi një nga fushatat më të artikuluar për sa i përket organizimit strukturor partiak, angazhimit me media, përdorimit të shumëllojshmërisë së mediumeve, Marketingut politik, marketingut negativ kryesisht mes forcave më të mëdha politike në vend Lidhja Social Demokratike dhe asaj VMRO-DPMNE, dhe partive politike Shqiptare BDI-ja (Bashkimi Demokratik për Integrim) dhe PDSH (Partia Demokratike Shqiptare). Fushata elektorale ishte një garë e vërtetë, e cila shfaqi një konkurrencë të lartë mes subjekteve politike. Maqedonia e Veriut, edhe pse republikë parlamentare, ngjason shumë me fushatën presidenciale të Amerikës, pasi këtu kemi pasur në qendër të fushatave liderët politikë të partive. Prandaj gjithë procesit ka përfshirë të parën pikërisht median dhe kjo për faktin që në Maqedoni të Veriut kemi sistem politik zgjedhor me listë të mbyllur gjegjësisht përdorim sistemin proporcial të votimeve në fushatat e përgjithshme elektorale, e cila ka sjellë uljen e angazhimit maksimal të kandidatëve individë sidomos të atyre që janë në vendet e para në listat zgjedhore. Kjo ndodh për arsyen së këta kandidatë ia kanë lënë kryerjen e menaxhimit të fushatës dhe gjithë elementeve të saj partisë politike përkatëse. Bazuar në shqyrtimin e literaturës, “orientimi demokratik” përcakton mënyrën se si janë të vendosura funksionet e autoritetit, si dhe subjektin dominues në strukturën qeverisëse. Orientimi i demokracisë përcakton, gjithashtu, fokusin e votuesve gjatë fushatës duke përcaktuar 4 karakteristika kryesore të orientimeve:demokraci e orientuar sipas kandidatit, demokraci e orientuar sipas liderit partiak, demokraci e orientuar sipas partisë,demokraci e orientuar sipas qeverisë. Nga këta karakteristika mund të konstatojmë se Maqedonia e Veriut është një shembull tipik i orientimit sipas demokracisë së orientuar nga liderit partiak.

Por me kohë ndryshimet teknologjike kanë rezultuar gjithashtu në risi dhe procese të reja të veprimit tek forca e ndërmjetësve në fushatat elektorale. Mund të konstatojmë se mjedisi në të cilën veprojnë marketingu me platformat politike në procesin politik ndahet në tre grupe kryesore; Elementët teknologjikë, duke përfshirë postën elektronike, televizionin, internetin, si dhe çdo lloj mediumi komunikimi tek votuesit; Elementët e ndryshimeve strukturorë që përfshijnë kufizimet ligjore, procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve, ligji për financimin partive politike dhe zhvillimi i debateve politike; Forcat, që ndikojnë në zhvillimin e fushatës, duke përfshirë kandidatët, këshilltarët, median, partitë politike, grupet e interesit, komitetet elektorale dhe politike, specialistët e sondazheve si dhe votuesit. Secili nga këto elementë përfaqëson një zonë, në të cilën kanë ndodhur ndryshime thelbësore gjatë dy dekadave të fundit sepse ndryshimet teknologjike kanë revolucionarizuar kontaktin e drejtpërdrejtë të kandidatit me votuesin. Ndryshimet strukturore në zhvillimin e fushatave politike i kanë detyruar kandidatët që t’u kushtojnë më kujdes strategjive marketing, si dhe mendimit të ekspertëve që i zhvillojnë ato. Analiza e këtyre ekspertëve lidhet me specializimin e sondazheve dhe analizimin e elektoratit të përgjithshëm duke pasqyruar “humorin” e qytetarëve në një farë mënyre opinion-formimin e votuesve. Sondazhet lidhen me përpjekjet për të kontrolluar sjelljen e votuesve.

Fushatat e marketingut politik janë të integruara me mjedisin dhe lidhen njëkohësisht me forcat e shpërndarjes në një mjedis të veçantë. Ndryshimet shoqërore, rregullat ligjore ose zhvillimi i teknologjive të reja detyrojnë ndryshime në strategji të veçanta marketingu, që kërkojnë nga ana e tyre gjithashtu rigjenerim të kërkesave të marketingut. Modernizimi duhet të përfshijë ndryshime, të cilat lidhen me demokracitë moderne dhe këto ndryshime tentojnë drejt fenomenet të tilla si ndarja nga të qenit shtetas, në të qenit thjesht një spektator, dhe se duhen vlerësuar mënyra të reja për rritjen e mbështetjes qytetare. Ndryshimet politike kanë sjellë dhe ndryshime në strukturën në të cilën veprojnë mediat. Zhvillimi i produktit televiziv, metodat marketing dhe sondazhet e opinioneve publike kanë ndikuar në vendosjen e një etape të re të komunikimit politik e quajtur ndryshe si komunikimi politik High-tech (High-tech political communication).

Partitë politike duhet të mbështeten në modelet e marketingut politik në mënyrë që të arrijnë një avantazh konkurrues të bazuar në analizë tregu të sjelljes së elektoratit i cili do krijonte një produkti politik real sipas kërkesave të elektoratit dhe që do ishte një platforme e vërtetë politike. Prandaj platformat politike duhet të bazohen mbi principet dhe konceptet e marketingut politik dhe jo mbi bazat e emergjencave elektorale. Platforma politike paraqet një nga elementët më të rëndësishëm të produktit politik, i cili ndikon në sjelljen e elektoratit. Angazhimi në një parti politike kur ndiejnë, se lideri partiak përveç aftësive verbale dhe joverbale shfaq karakteristika të tilla si: ndershmëri, integritet moral dhe politik, kompetencë dhe autoritet. Kështu partitë politike duhet të zgjedhin kandidatë të cilët përmbushin më së miri këto kërkesa. Të zhvillohen politika nxitëse të pjesëmarrjes rinore nga kandidatët politikë, përmes krijimit të projekteve dhe zbatimit të tyre në lidhje me sensibilizimin, rritjen e procese demokratike brenda strukturës partiake, si dhe në angazhimin në edukim të brezave të rinj përmes kuotave të drejta të përfaqësimit rinor në strukturat partiake. Produkti politik duhet të hartohet në përputhje me perceptimet dhe kërkesat e këtij segmenti. Segmenti i të rinjve i percepton shijet dhe preferencat partiake, në bazë të tre kërkesave kryesore: punësim dhe siguri, cilësi e lartë niveli të edukimit, si dhe niveli i lartë i jetesës. Rritja e imazhit të vendit tonë nga politika duket se përbën një nga kërkesat e të rinjve. Kështu elementi i bazuar në hartimin e produktit politik e lidhur me çështjen social-ekonomike dhe kombëtare rezulton të jetë i rëndësishëm në sjelljen e elektoratit. Rritja e nivelit social ekonomik përbën një nga kushtet për ndikimin e sjelljes së të rinjve në lidhje me preferencat partiake dhe angazhimin në strukturat partiake.

Fushatat elektorale në kohë pandemie në Republikën e Maqedonisë së Veriut do duhet të japin maksimumin e tyre që të prezantojnë platformat e tyre politike te elektorati. Por, në elektoratin e vendit tonë mungon konsistenca politike e partive politike sidomos të atyre që janë më shumë në qeverisjen e vendit. Këta përfaqësuese politik kanë rezultuar që më shumë të merren me mbijetesën e tyre në pushtet se sa me platformë politike e bazuar në marketing politik. Bashkimi Demokratik për Integrim evoluon në bazë të partnerëve politikë maqedonas dhe jo në bazë të kërkesave të qytetarëve. Koalicioni ASH & Alternativa do duhet të mos jetë në kurthin e tyre dhe në momentin e marrjes të përkrahjes të qytetarit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do duhet që të bëj platformën e tyre politike të zbatueshme dhe të ndjeshme për votuesit e tyre. Platforma politike e bazuar në Marketingun politik dhe e bazuar në ideologjinë partiake do të jetë më mirë e zbatueshme për qytetaret sepse në fund të mandatin qytetari do të ketë mundësi të vlerësojë partinë politike.