Muki Bajrami ndal “selfitë” fituese të Strugës

Muki Bajrami ndal “selfitë” fituese të Strugës

Përballje super interesante u luajt sot në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, ku Makedonija dhe Struga Trim&Lum barazuan 1:1, në duelin e vlefshëm pë xhiron e 9-të të elitës së futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Shabani e Aleksovski ishin autor të golave, Ibraimi kishte shans për Strugën, në anë tjetër një herë traversa shpëtoi miqtë e më pas Ademi gjuajti mbi portë nga penaltia. Ilievski me kokë nuk gjeti kuadratin vendas e në kohën shtesë Shabani gjuajti pak mbi portë. Shto edhe kartonin e kuq të Mateusit të Makedonija Gj.P., kompletohet imazhi i një super pjese të dytë me shumë nxitje e emocione.

Në fund barazimi 1:1 bazuar te shanset la të dëshpruara të dyja ekipet, por realisht secila mundej të dilte me tre pikë apo e mundur nga ky duel.

Shikuar nga jashtë, rezultat real dhe që bën Makedonija Gj.P. skuadrën e parë që ndal këtë sezon ecurinë e shkëlqyeshme të Strugës. Trajneri Muharrem Bajrami gjen formulën për të ndalur struganët pas 8-të fitoreve rresht. Goli i Aleksovskit nuk lejoi gëzim të miqve e në këtë mënyrë ”pengohet” edhe ”selfia” numër 9 e Strugës. E themi këtë duke ditur se pas çdo triumfi, struganët shfaqeshin me nga një fotografi nga zhveshtoret e stadiumit ku realizonin triumfin.

Gjithsesi, përkundër barazimit, Struga mbetet bindshëm e para në renditje me 25 pikë të tubuara dhe skuadra e vetme pa humbje në këtë sezon.