Muharem Bajrami, shqiptari i parë në Maqedoninë e Veriut që fiton Kupën si futbollist dhe si trajner

Muharem Bajrami, shqiptari i parë në Maqedoninë e Veriut që fiton Kupën si futbollist dhe si trajner

Trofeu i Kupës së Maqedonisë Veriut për këtë edicion shkoi në duart e futbollistëve të Makedonija Gjorçe Petrovit, e cila këtë sezon u drejtua nga një trajner shqiptar si Muharem Bajrami.

Skuadra nga lagja “Gjorçe Petrov” nuk e nisi mirë sezonin 2021/22, por, ecuria e këtij ekipi mori kahje pozitive kur në pozitën e shefit të stafit teknik u emërua 36 vjeçari nga Çairi.

Makedonija Gjorçe Petrovi deri në xhirot e fundit ishte në lojë për të përfunduar e treta në renditjen tabelare në kampionat, ndërsa në kompeticionin tjetër arritën të shkruajnë historinë, duke fituar trofeun e Kupës, pasi në finale mundën Sileksin.

Merita sigurisht se është e futbollistëve që bënë lojën në fushë, por kreatori i asaj loje mban firmën e Muharem Bajramit.

E veçanta e kësaj është se fillimisht Muki theu tabun të bëhet trajneri i parë që do të drejtojë një ekip maqedonase, pasi asnjëherë më parë në histori nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Ndërkohë një rekord personal nëse mund ta quajmë ose që nuk e ka arritur ta prek nga puntorët e futbollit shqiptar në Maqedoni është se askush deri më sot nuk ka mundur të jetë i suksesshëm që edhe si futbollist ta fitojë Kupën e Maqedonisë, por edhe si trajner, ndërsa këtë e ka bërë vetëm Muharem Bajrami.

Një histori në vete dhe e rrallë, pasi Muki fitoi Kupën e Maqedonisë si futbollist me skuadrën e Renovës në vitin 2011, ndërsa këtë vit “rrëmbeu” trofeun e Kupës si trajner i Makedonija Gjorçe Petrovit.