` . Muhamet Pashë Arnauti, emri që mbeti gjallë në saje të pallatit të tij në Siri - TV SHENJA

Muhamet Pashë Arnauti, emri që mbeti gjallë në saje të pallatit të tij në Siri

Shkruan: Muhamed MUFAKU, Prishtinë

Me pushtimin osman të Levantit më 1516, pas betejës së përgjakshme në afërsi të Halepit me ushtrinë e sulltanit të mamlukëve, që sundonte Levantin e Egjiptin (1260-1517), Sulltan Selim I arriti në Damask, ku qëndroi disa javë. Në vitet e para të sundimit osman, Levanti mbeti një njësi administrative, që u quajt Arabistan, kurse në gjysmën e dytë të shek. XVI Levanti u nda në tri njësi administrative: Vilajeti i Halepit në Veri, Vilajeti i Tripolit të Libanit në mes dhe Vilajeti i Damaskut në jug.

Me zbatimin e kësaj ndarjeje administrative, përkatësisht me sundimin direkt nga qendra me anë të pashallarëve të dërguar prej Stambolli, në këto vilajete të Levantit qysh nga shekulli XVI filluan të vinin pashallarë shqiptarë, si Ajas pasha, Mehmet pashë Dukagjini, Sinan Pashë Topojani e të tjerë.

Sa i përket Vilajetit të Tripolit, i formuar më 1579, ai përbëhej prej pesë sanxhaqeve (Tripoli, Homs, Hama, Selemije i Xhable), që përfshijnë tani pjesën veriore të Libanit dhe pjesën qendrore të Sirisë – prej bregdetit deri në shkretëtirë. Në krye të këtij vilajeti më 1640 u emërua Muhamet Pashë Arnauti dhe mbeti në atë detyrë, me ndërprerje të shkurtra, deri më 1653, kur u dërgua në sanxhakun e Hamasë si mutasalem ose guvernator. Siç duket, qyteti i bukur buzë lumit i kishte pëlqyer, sepse mbeti atje deri në vdekje më 1658, duke ndërtuar disa monumente që mbeten të lidhura me mbiemrin e tij, si Pallati i Arnautit, Xhamia e Arnautit, Hamami i Arnautit etj.

Në burimet që disponojmë, nuk gjetëm të dhëna për Muhamed Pashë Arnautin para se të emërohej vali i Tripolit, pra prej nga na erdhi, por mbiemri i tij karakteristik (Arnauti) tregon qartë se është shqiptar. Sipas historianit libanez Gjirgji Jeni, imazhi i tij si vali i Tripolit lidhet me ashpërsinë e tij në mbledhjen e taksave, kurse historiani sirian, Ahmad Wasfi Zakarija, e nxjerr atë më ndryshe: një njëri që e donte pasurinë dhe e shpenzonte pasurinë në ndërtimin e pallateve dhe monumenteve publike. Kështu, historiani Jeni tregon se Muhamet Pashë Arnauti më 1642 e ndërtoi një pallat buzë lumit Reshfin, në kodrinat e bukura rreth Tripolit. Në librin e tij “Historia e Sirisë”, botuar në Bejrut më 1881, ai jep të kuptohet se pallati ekzistonte deri atëherë, por më vonë sikur u tret.

Pasi Muhamet Pashë Arnaut më 1653 kaloi në Hama dhe mbeti atje deri në vdekjen e tij, më 1658, në këtë qytet të bukur buzë lumit Otontes (Asi), kemi më shumë gjurmë të tij. Kështu, aty, përveç pallatit të madh, për çka do të flasim më poshtë, ai themeloi një vakëf rreth xhamisë e ndërtuar në një kodër buzë lumit Orontes (Asi). Siç duket, në atë vend kishte një xhami më të vjetër të kohës mamluke (1260-1516) me emrin e ndërtuesit (Xhamia e Argonit), që mbeti në rrënojë. Andaj Muhamet Pashë Arnauti e ndërtoi tani një xhami të re, e cila u quajt me emrin e tij (Xhamia e Arnautit) deri në vdekje më 1658. Pasi Muhamet Pashë Arnauti u varros aty, xhamia u quajt “Xhamia e varrit”, përkatësisht deri më 1969 kur Ministria e Vakëfeve të Sirisë e rrënoi atë për ta ndërtuar një xhami më të madhe, që mbeti deri tani me atë emër (Xhamia e Varrit) edhe pse varri i tij u bart në muzeun etnografik të qytetit.

Për ta mirëmbajtur atë xhami është dashur të themelohet një vakëf, që të sigurohen mjetet për shpenzimet e saj. Për këtë qëllim, Muhamet Pashë Arnauti afër xhamisë e ndërtoi një hamam, i cili u quajt në popull “Hamam i Pashës”, ndërsa futi nën vakëf edhe disa prona tjera. Për fat të, keq ende nuk e kemi gjetur vakëfnamen e tij, që ta dimë më saktë se çfarë burimesh kishte ajo xhami.

Mirëpo, përveç këtyre monumenteve, pallati i tij impozant mbeti deri më tani dëshmi e asaj kohe. Vetëm disa vjet pasi u ndërtua ky pallat, përkatësisht në muajin sheval 1058, kaloi atje udhëpërshkruesi Evlia Çelebi me një karvan me valiun e ri të Damaskut, Murteza Pasha, të cilët Muhamet pashë Arnauti i pranoi në pallat si mysafirë të tij. Në veprën e tij “Sejahatname” Evlija Çelebi u shpreh me befasi kur e pa këtë pallat “me 300 dhoma, me salla e hamame e me bahçe që nuk e kam parë të shoqin veç në Damask”. Po ashtu, Çelebiu e lavdëron shumë Muhamet Pashë Arnautin për bujarinë e mikpritjen.

Po në këtë pallat, në tetor 1655 Muhamet Pashë Arnauti e priti ish sadriazemin shqiptar, Kara Murat Pasha, i cili ishte në rrugë për në Damask e më tutje për në Mekë. Plakun Murat Pasha e kishte kapur një sëmundje gjatë rrugës së gjatë prej Stambollit, andaj mbeti në Pallat nën kujdesin e Muhamet Pashë Arnautit, por vdiq në fund të tetorit të vitit 1655. Muhamet Pashë Arnauti e varrosi atë në varrin që e kishte përgatitur për vete në xhaminë e vet (Xhamia e Arnautit), kurse më vonë e përgatiti një varr tjetër për vete. Me rrënimin e kësaj xhamie më 1969, të dy varret u bartën në muzeun etnografik të qytetit, ku gjenden në gjendje të mirë deri më sot. Në epigrafin e bukur shkruhet se “në muajin xhumadeevvel 1068 (tetor 1655) vdiq ndërtuesi i këtij vendi (xhamia) Muhamet Pasha, Zoti e mëshiroftë”.

Pallati i Muhamet pashë Arnautit u ndërtua në dy faza të ndryshme dhe pësoi shumë ndryshime e dëmtime nëpër shekuj. Forma origjinale ishte një pallat njëkatësh me një sipërfaqe prej 4466 metrash katrorë, me disa stalla e shtojca për nevoja të ndryshme. Pas vdekjes së tij, aty mbeti i biri, Ali bej Arnauti. Por, siç duket, pas një kohe ai u konfiskua dhe më 1884 u zgjerua me ndërtimin e një kati tjetër, madje u bë seli e administratës osmane, duke e mbajtur emrin e ndërtuesit (Saraji i Arnautit). Me mbarimin e sundimit osman në Levant më 1918, ky pallat përjetoi një fat interesant. Kështu, pasi që Siria e tashme kaloi nën mandatin e Francës, me vendim të Ligës së Kombeve, administrata e re e shndërroi atë në seli të shërbimit civil, por më 1925 ai u dogj gjatë revoltës popullore kundër sundimit francez. Pas meremetimit, Pallati u shndërrua në burg të qytetit, kurse stallat e tij u bënë seli për policinë e trafikut dhe nxjerrjen e patentave për vozitje. Kjo zgjati deri më 1960.

E kur policia kaloi në një ndërtesë të re, Pallati i Arnautit mbeti i mbyllur për 20 vjet, duke e ndjerë indiferencën e komunës. Kështu, më 2010 komuna, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmi,t vendosi ta restaurojë e t’ia ofrojë për shfrytëzim sektorit privat si hotel turistik me vlerë historike. Mirëpo, shpërthimi i demonstratave kundër regjimit më 2011 dhe luftimet që ende vazhdojnë në Siri e penguan këtë ndërmarrje, kështu që “Pallati i Arnautit”, përkundër vlerës së madhe historike që e ka, mbeti nën mëshirën e kohës. (Vijon)

 

* Fusnotat janë hequr për shkak të natyrës së revistës

 

Legjenda

3.

4.

Një detaj i portës së Pallatit me epigramin për restaurimit në vitin 1884

Pallati i Muhamet Pashë Arnautit i lënë pas dore në qendër të qytetit Hama

Pallati i Muhamet Pashë Arnautit siç dukej në fillim të shek.XX

Punëtorët duke e pastruar portën e Pallatit më 2018