` . “Mrekullia” e 19-të - TV SHENJA

“Mrekullia” e 19-të

Ne patëm dërguar Nuhun te populli i vet, e ai i tha: “O populli im, adhurojeni vetëm Allahun, nuk keni zot tjetër pos Tij. Unë kam frikë për dënimin Tuaj në një ditë të madhe!” Paria e tij tha: “Ne po të shohim (në këtë që na thërret) plotësisht të humbur!” (Nuhu) Tha: “O populli im, unë nuk kam kurrfarë humbje, por unë jam i dërguar prej Zotit të botëve!” “Unë ju kumtoj juve shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj dhe unë di nga Zoti im çka ju nuk dini!”

(El-A’raf, 60-62)

Shkruan: Ismail BARDHI, Shkup

Koha e trillimit është tmerr… Nga ajo mund të mbrohemi vetëm me Fjalën e Zotit.Por, për fat të keq, edhe në këtë kohë vërehet tradhtia e ehli kitabit (ithtarëvetë Librit).Ata lejuan dhe lejojnë të nënshtrohen, të mashtrohen, të shiten, të blihen; lejuan që në bazë të trillimit t’i dënojnë besimtarët, me urdhëresa të  jolutjes në lutje. Siç duket, dënimi i Fjalës së Zotit është një shuplakë e madhe: disave për arsye se e kombëtarizuan fenë, disave për shkak se i përshkruan fëmijë Zotit, kurse disa të tjerëve për shkak se heshtën dhe ia kthyen shpinën Fjalës së Zotit. Feja e ka të ndaluar t’i nënshtrohet politikës, “mendjes së robëruar”, sidomos asaj që sajon, trillon, që ekzistimin e vet e mbështet në frikë e sundim. Është fakt se Kur’ani, si Fjalë e Zotit, është i mbrojtur, por kjo nuk do të thotë se kundrejt tij nuk ka hipokrizi, kryelartësi, nënshtrim dhe mashtrim, saqë kemi mundësi të themi se “hapësira muslimane” është shndërruar në një tablo qesharake. Sot muslimanët më tepër janë të dënuar nga vetë muslimanët sesa nga jomuslimanët; e të mos flasim këtu për varfërinë, për harxhimet e tepërta dhe për tradhtinë fetare, familjare (deri në atë masë sa vihet në dyshim atësia e fëmijëve) dhe atë shprehjen që e dëgjojmë shpesh se “ata janë të trashë”.

Pse nuk kemi mundësi ta kuptojmë këtë rast, këtë kohë, këtë paradoks, sidomos ne në këtë hapësirë? Për shumë arsye! Në fillim duhet thënë se ne jemi duke e shfrytëzuar ujin e pijshëm nga tubacione azbesti, që nuk janë ndërruar me dekada të tëra, e që janë të ndaluara gjithandej për shkak të rrezikshmërisë së lartë për shëndetin. Në pazaret tona shitet bylmet pa u kontrolluar dhe jo i paketuar. Kjo vlen edhe për tregtimin e mishit dhe produkteve të tij, që brenda ditës shkrihen e ngrihen sipas “nevojës”. Të mos flasim për tymin që e nxjerrin veturat dhe fabrikat. Pse të mos i përmendim edhe spitalet që datojnë nga “koha e Titos”, ku në një dhomë shtrohen edhe nga 12 veta, secili me sëmundje dhe trajtim të ndryshëm. E ç’të flasim për dukurinë “1 orë lejohet, 2 orë ndalohet”!? Ne nuk mund ta kuptojmë këtë “dashuri të madhe” të shtetit që kujdeset për shëndetin e shtetasve të tij. Sa turp i madh!Në vend që të fillojmë të numërojmë gjëra të mira, ne sot i numërojmë vdekjet.

Qindvjeçari i kaluar dëshmoi shumë gjëra, në mesin e të cilave edhe fundin e Perandorisë Osmane, e cila për arsye të “primitivizmit” dhe “zhvillimit ‘smart’ – shkencor” u la në harresë; pastaj Luftën e Parë Botërore përplot dënime dhe shkatërrime, përgatitje për holokaust, që si rezultat solli në Luftën e Dytë Botërore dhe dënimin e përhershëm, ku mbisunduan vdekja dhe tmerri – lufta kundër njerëzimit. Më pas erdhën komunizmat e llojllojshëm, që u munduan ta mbështesin ekzistimin e tyre në luftën “kundër” Zotit dhe besimtarëve: sërish vdekje, dënime dhe trillim. Ky trillim vazhdoi dhe është duke vazhduar. Dhe, sërish heshtën përfaqësuesit e feve qiellore. A është kështu? Jo! Nuk ka mundësi. Pa marrë parasysh se ne në këtë kohë “virusi” nuk jemi duke e dëgjuar fjalën “terrorizëm islamik”, shumë nëna dhe fëmijë muslimanë të Afrikës dhe Azisë sot, edhe në këtë çast, mbyten në mes të detit. Ata nuk patën të drejtë të heshtin edhe para këtij “fenomeni” të padukshëm. Në këtë çast parashtrohet një pyetje: a thua vallë pas heshtjes për “terrorizmin islamik” qëndrojnë planifikuesit e tij dhe të virusit?!

 

*          *          *

 

Nocioni i trillimit këtu i nënkupton ato ide njerëzore të cilat në natyrë nuk kanë asnjë korrespondencë, analogji ose izomorfizëm. Pra, në një kuptim eminent, trillim janë ato produkte njerëzore, në krijimin e të cilave nuk duket se merr pjesë përvoja e perceptimit të botës së ndjeshme. Për më tepër, ne dallojmë dy parime të ndryshme formuese dhe informuese të trillimit, të cilat i përshkruajmë me kusht me termat “të qenit” dhe “intelekti”, të kuptuara këtu si një grup aftësish spekulative të njeriut.

Një nga shenjat më të mëdha të shekullit XX është fenomeni i zgjerimit sasior dhe përmirësimit cilësor të formave dhe mjeteve të agresivitetit “irracional”. Sfera e gjerë e mjeteve të agresivitetit ka kapërcyer prej kohësh kornizat strikte ushtarake, duke përfshirë horizontet më të gjera të “universit teknologjik”, duke çuar në një ndryshim në statusin e njeriut që është gjithnjë e më pak përdorues dhe gjithnjë e më shumë viktimë e dhunës në të njëjtin univers; perspektivat e universit teknologjik çojnë në origjinë apokaliptike, në shenjën e katastrofës ekologjike dhe zhdukjes së specieve njerëzore. Nga ana tjetër, përkundër tezave të Snow-it për antagonizmin e “dy kulturave”, shumica e ideve dhe praktikave të kulturës “humaniste” e mbështesin drejtpërdrejt ose indirekt këtë agresivitet të “universit teknologjik”, duke krijuar një fenomen analog të prodhimit progresiv të ideve dhe veprimeve të dhunshme. Kështu, idetë që e kundërshtojnë fenomenin e agresionit në fakt përcaktohen thellësisht nga objekti i përgënjeshtrimit të tyre: në mënyrë paradoksale, idealet e “pacifizmit” dhe “tolerancës”, për shkak të radikalizmit të tyre, të përcaktuara nga perspektivat apokaliptike të fenomenit të agresionit, përmbajnë edhe elemente të dhunës. Ato nënkuptojnë dëme të konsiderueshme njerëzore, shkatërrim të impulseve instinktive dhe ndryshime njerëzore. Një botë në të cilën janë fshirë të gjitha dallimet, në të cilat janë shkatërruar të gjitha veçantitë – është po aq viktimë e agresionit sa kjo botë që vuan dhe vdes për shkak të konfliktit të atyre dallimeve dhe veçantive. Përfundimisht dhe përsëri në mënyrë paradoksale, qëllimi përfundimtar i dhunës së kryer në emër të dallimeve dhe veçantive nënkupton vetë origjinën e idealeve të “pacifizmit” dhe “tolerancës”: një botë pa dallime dhe veçanti, një botë e shënuar nga triumfi i një veçorie.

Qenia ka humbur ose po e humb fuqinë për të krijuar fiksion, e cila është “kompensuar” nga hiperprodhimi i trillimit në punëtoritë e intelektit. Dhe, është pikërisht ky hiperprodhim i trillimeve në shekullin XX, dhe që vazhdon në shekullin XXI, që përmban rreziqe të mëdha për botën. Përkatësisht, për dallim nga trillimet e qenies, trillimet e intelektit mund ta rrezikojë natyrën dhe njeriun, sepse ato janë fryt i arbitraritetit të të njëjtit parim që është bërë i tjetërsuar ose autonom në raport me urdhrat ose nevojat e natyrës dhe njeriut. Procesi i shpërbërjes së integritetit dhe hierarkisë origjinale është një çështje e tjetërsimit ose e autonomisë, kjo si pasojë e proceseve të shkëputura brenda njeriut modern. Kështu, intelekti, dikur mjeti i qenies, është bërë një qëllim në vetvete. Fiksioni i një qenieje mund ta rrezikojë natyrën dhe njeriun vetëm në kushte të jashtëzakonshme, sepse qenia është në një lidhje “organike” dhe të drejtpërdrejtë me Urdhrin e Natyrës.

Rreziku i trillimeve të intelektit rritet pikërisht nga rritja e fuqive teknologjike të homo haber-it, si dhe nga ulja e fuqisë së rezistencës së vetë natyrës, e shkatërruar me anë të të njëjtave trillime dhe teknologji. Pothuajse deri në këtë shekull natyra ishte një korrigjues ose kufi relativisht i suksesshëm i krijimit fiktiv të intelektit. Natyra ka arritur t’i durojë dhe shterojë, pushtojë dhe “gëlltisë” trillimet e intelektit, siç janë “Kulla e Babelit” dhe “Shteti i Zotit”, “labirintet” dhe “lëvizja e përhershme”, sistemi teokratik dhe kozmologjik, madje dhe vetë idetë e shkencës për natyrën, e cila u promovua pikërisht NGA e njëjta rezistencë e objektit themelor të njohjes. Sfera e natyrës dhe sfera e trillimeve ishin në një marrëdhënie plotësuese dhe harmonike, duke kontribuar për zhvillimin njerëzor. Natyra siguroi një strehë të fuqishme për të gjithë të arratisurit nga sferat e perverse të tmerrshme të trillimeve, siç është sfera e trillimit, i cili i siguroi njeriut një mjet mbrojtjeje kundër “elementeve të natyrës”. Në shekullin XX ai ekuilibër humbi përfundimisht; dobësimi dhe tërheqja e natyrës e zvogëlon fushën e funksioneve dhe kufijve të saj korrigjues, gjë që rezulton në “pakufizim” relativ të sferës së trillimit. Të liruar nga detyrimet dhe lidhjet me natyrën, trillimet janë thuajse plotësisht të lira nga natyra, të lira nga mohimet monstruoze të natyrës, sepse aty ku ka shumë devijime nga natyra, ekzistojnë edhe shumë monstruozitete. Prandaj, në një numër disiplinash të efikasitetit njerëzor, nga shkenca në letërsi, dallimi “klasik” midis trillimit dhe realitetit humb të gjitha kuptimet; trillimet bëhen realitet, realiteti bëhet fiksion: ose gjithçka është trillim ose gjithçka është realitet. Shkurtimi i distancës kohore ndërmjet një trillimi të caktuar dhe realizimit të tij duhet të përfshihet në të njëjtin fenomen. Me fjalë të tjera, në këtë triumf të trillimit të intelektit, jo vetëm natyra, por edhe koha, nuk mund të rezistojnë më në zgjerimin e saj: historia e teknologjisë moderne flet për një regresion gjeometrik të kohës midis një shpikjeje të caktuar dhe aplikimit të saj, midis produkteve të logove dhe praktikave.

Humbja e “qendrës” ose qenies, si një fuqi e aftë për ta drejtuar frymën, ka ngjallur te njeriu modern nevojën për surrogate të “spontanitetit” të zhdukur, të cilat kryesisht njihen në modele të teorive psikanalitike të gjumit dhe “nën-ndërgjegjes”. Me fjalë të tjera, surrogati i të qenit si një parim mbiracional gjendet pikërisht në të kundërtën ekstreme të këtij parimi, në një sferë nën nivelin e racionalitetit. Kështu, njeriu modern e njohu fortesën e tij në energjinë e “nën-ndërgjegjes” dhe në energjinë libide. Këtu trillimet e qenies zëvendësohen nga trillimet spontane të “nën-ndërgjegjes”, domethënë nga përmbajtja e ëndrrës. Të mëdhenjtë e kulturës moderne, siç është Roger Cailllois, shkruajnë traktate akademike, në të cilat shpjegojnë dogmat e reja, duke e formuluar mosekzistencën e dallimeve midis ëndrrës dhe realitetit, trillimit dhe realitetit. Teori të tilla, në parim, duhet t’i justifikojnë proceset në të cilat hibridi fiksional e pushton natyrën. Por, ata nuk arrijnë ta fshehin faktin se horizonti njerëzor po mbyllet. Prandaj vjen edhe prania, në kulturën e Perëndimit modern,e shumë shenjave të nostalgjisë për natyrën, nevoja për të shpëtuar nga bota e trillimeve, nga “natyrizmi”, “nudizmi” ose ideologjia e “Klubit Mesdhetar”, e deri te projektet dhe realizimet e udhëtimit ndërplanetar, si një mjet për ta lënë vendin e trillimit. Ky zgjerim i trillimit të intelektit e kërcënon “ta gëlltisë” njeriun dhe të krijojë trillime të njeriut që do ta zëvendësojnë njeriun e vërtetë, ashtu si roboti i dyfishtë Supermeni. Por, ajo dyshe e ardhshme e njeriut, e krijuar dikur, nuk do të ketë më nevojë për njeriun, sepse njeriu nuk është Supermen.

Është, gjithashtu, nevoja e njeriut modern për të shpëtuar nga identiteti i tij, nga përgjegjësia që e kërkon identiteti. “Operacioni Nostalgjia” është një nga mënyrat më të përhapura për të shmangur identitetin, siç thotë W. Thompson te “Skaji i historisë”: “Njëherë vështirësia e udhëtimit e ruajti integritetin e kulturave të largëta. Sot, kulturat janë të përziera si të verdhat e vezëve me sheqerin dhe traditat e baballarëve hyjnë vetëm në mënyrë të parëndësishme në jetën e djemve të tyre, pavarësisht nëse ata jetojnë në Carolina, Vietnam ose Nigeri. Kjo mënyrë e re e jetës është pasojë e izolimit të periudhave kritike të jetës në kohë dhe hapësirë. Njeriu sot nuk ka nevojë ta bartë peshën e identitetit të tij unik nga djepi deri në varr. Ai është i lirë ta ndryshojë jetën e tij dhe gratë aq sa e lejojnë energjitë e tij. Unë mendoj se McLuhan do ta përshkruante atë mënyrë jetese, duke thënë se një individ nuk është një roman por një televizion: sa më shpejt që një shigjetë shfaqet në një kanal, që tregon se një program i ri po fillon në një kanal tjetër, ai e ndryshon kanalin. Por, në këtë mënyrë të re të jetës, ata që do ta humbin rrugën e tyre do të jenë më të shumtë se ata që do ta gjejnë atë. Duke qenë e humbur, ajo bie në nivelin e nën-kulturave, nën-kulturave artificiale të amerikanizmit të krahut të djathtë, nacionalizmit të zi, maoizmit, hipizmit dhe kulteve të atyre që pretendojnë se shoqërohen me pjata fluturuese. Kur një personi i mungon një strukturë e fortë detyruese e traditës, ai mund të kënaqë të gjitha llojet e fantazive”.

 

*          *          *

 

Kur’ani është Fjalë e Zotit, e mbrojtur nga xhinn dhe ins, që në mënyrë konstante e fton njeriun në përgjegjësi, duke ia dhënë epitetin më të lartë: halifetull-Llahi fi’l erd. Prandaj, ne duhet që ta lexojmë me kujdes atë, të dëlirë dhe me dashuri.Sidomos duhet t’i lexojmë rrëfimet për pejgamberët, sepse çdo pejgamber ka qenë në një kohë, një shenjë, dhe ka mbetur një kohë, një shenjë, duke filluar që nga Ademi a.s., e deri te pejgamberi ynë, Muhammedi s.a.v.. Kjo kohë ma përkujton kohën e Nuhut a.s., populli i të cilit ka jetuar në bollëk dhe vetë ai në “pafundësi” kohore, të cilën sot shkenca nuk ka mundësi ta marrë si metodë shkencore. Njerëzit e Nuhut ishin një nga popujt më të ligë dhe më të çoroditur që kanë ekzistuar ndonjëherë mbi tokë. Ata njiheshin për pasurinë që kishin. Pasuria e tyre i verboi aq shumë, saqë ata shikonin gjithçka përmes përfitimit personal të kësaj bote. Ata, madje, pyesnin nëse do të përfitonin materialisht po ta besonin Allahun. Ata ishin të pakulturuar dhe arrogantë. Allahu u dha atyre pasuri, tokë e shtëpi të bukura, por në vend që ta falënderonin Allahun, ata i falënderuan statujat që i bënë vetë dhe që i dekoruan.

Ne kemi filluar të frikësohemi ose të tutemi edhe nga vetvetja. “Gjithçka” kemi, por në fakt “asgjë” s’kemi. Fjala e Zotit nuk guxon t’i nënshtrohet askujt. Gjithçka duhet t’i shërbejë Fjalës së Zotit.Besimtarët e kanë të domosdoshme t’i nënshtrohen me bindje dhe dashuri asaj, kurse jobesimtarët me vetëdije dhe me përgjegjësi. Besimi është shpëtim.Besimi është qetësi, stabilitet. Besimi e lufton frikën, e lufton mashtrimin, trillimin, rrenën. Besimi e ndalon vrasjen/mbytjen e fëmijëve, grave e pleqve. Nuk mjafton të “ndalohet” feja. Çdo sistem, çdo forcë, që mundohet ta ndalojë diçka të tillë, së pari duhet ta vrasë njeriun. Njeriu kurrë nuk ka qenë kaq i nënçmuar, sa të shitet për një dollar, për një euro, për një ruble, për një lek, për një denar. Faktikisht, sot nuk janë duke sunduar as sistemet politike, as ato kulturore, por sot po sundon dikush që vetëm ka para dhe që është i pushtetshëm me para. Këta janë terroristët më të mëdhenj të botës. Këta janë shkatërrimtarët më të mëdhenj të botës. Shihni, edhe disiplinat shkencore i nënçmuam. Sot, në këtë kohë, një prej drejtimeve më të lezetshme, më të mira shkencore, siç është mjekësia, është në hall për arsye se ata “të mëdhenjtë”, “të padukshmit”, kanë thënë se duhet të mbajmë maska. Të gjorët dijetarë, të gjorët besimtarë, nuk dinë si t’u përgjigjen këtyre terroristëve të pasur të botës, që janë kurvarë në shpirt dhe në trup.

Atë çast kur t’i braktisim vlerat universale dhe normat që vijojnë pas tyre, atë çast kalojmë në sferën e relatives. Atëherë humbet kriteri themelor. E vërteta nuk mund të jetë për një grup diçka e për grupin tjetër diçka tjetër. Sepse, në atë rast braktiset krejtësisht kriteri racional i së vërtetës. Pra, kur të humben kriteret dhe vlerat universale, siç ka ndodhur në kohën tonë, kalohet nga sistemi absolut i vlerave në atë relativ. Ne, me të vërtetë, si duket jemi bërë një shoqëri të cilën hulumtuesit modernë e quajnë “shoqëri rreziku”, ku dënohet pafajësia nga fajtori. Siç thotë M. Krlezha: “Të gjithë u pajtuan se diçka më është çrregulluar në tru dhe se me mua nuk është gjithçka mirë dhe normale; mbase jam çmendur kur reshta së menduari me logjikën e tyre”. Është më se e qartë se çmenduria është duke na pllakosur; në vend që të flasim për fjalën e Zotit, që thotë: “Mbi të janë nëntëmbëdhjetë” (el-Mudetthir, 30), ne sot merremi me një “19-tëshe” tjetër frikësuese – si hyrje në robërimin universal: “Ndal, e ke virusin!?!”.