MPJ mohon se përgatiten detyrime të reja me Bullgarinë

MPJ mohon se përgatiten detyrime të reja me Bullgarinë

Ministria e Punëve të Jashtme dje i hodhi poshtë të gjitha pretendimet se po përgatiten obligime të reja me Bullgarinë, jashtë Protokollit të nënshkruar midis dy vendeve, pasi të hënën ministri bullgar i Punëve të Jashtme Nikolaj Milkov tha se detyrë e drejtpërdrejtë e MPJ-së bullgare në lidhje me dialogun bilateral me Maqedoninë e Veriut do të jetë miratimi i dokumentit me shkrim, që do t’i definojë detyrat e institucioneve në Bullgari me detyrimet të përcaktuara konkrete.

“MPJ-ja lidhur me spekulimet e paraqitura në opinion për gjoja dokumente të reja të përbashkëta midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, na lejoni të informojmë se Ministria e Punëve të Jashtme po e ndjek nga afër procesin e formimit të Qeverisë teknike të Republikës së Bullgarisë dhe zhvillimin e politikave të brendshme dhe të jashtme, me ç’rast inkurajon fokusi i rëndësishëm që i kushtohet marrëdhënieve tona dypalëshe si një element i rëndësishëm edhe i qeverisë së re”, theksoi Ministria.

“Të gjitha informacionet e shfaqura për rregullimin e brendshëm, mënyrën e organizimit, planet e veprimit dhe prioritetet e Qeverisë së re janë punë të brendshme të Republikës së Bullgarisë dhe nuk paraqesin rezultat të bisedimeve të ndërsjella”, qëndron në kumtesën e MPJ-së.

Prandaj, duam të hedhim poshtë të gjitha pretendimet se po përgatiten detyrime të reja për dy vendet, përtej parimeve të dakorduara në Protokollin e përbashkët e të cilat nënkuptojnë: fillimisht, reciprocitet në kuadër të detyrimeve të marra; si dhe autonomi të Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore.

Në deklaratën e Millkovit reagoi VMRO-DPMNE-ja opozitare  dhe ka kërkuar nga Qeveria që të përgjigjet se çfarë përmbajnë dokumentet e reja nga Bullgaria. – Kovaçevski, Osmani dhe Mariçiq duhet menjëherë të përgjigjen se çfarë përmbajnë këto dokumente të reja, cilat janë kërkesat dhe kushtet e reja? Përderisa po përpiqeshin ta bindin opinionin maqedonas se me Protokollin mbyllen të gjitha kushtet dhe kërkesat nga Bullgaria, për më pak se një muaj do të kemi sërish kushte të reja dhe kërkesa të reja për të përmbushur, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Ministri bullgar Milkov tha të hënën se detyrë e MPJ-së bullgare në lidhje me dialogun dypalësh me Maqedoninë e Veriut do të jetë miratimi i një dokumenti të shkruar, i cili do të përcaktojë detyrat e institucioneve në Bullgari me detyrime të përcaktuara konkretisht.

Protokolli midis  Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u nënshkrua në Sofje më 17 korrik ndërsa dy ditë më vonë u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në, duke shënuar fillimin e procesit të shqyrtimit. Për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe hapjen e kapitujve nevojiten ndryshime kushtetuese.

Skriningu bilateral për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë evropian zyrtarisht do të fillojë në shtator dhe sipas zëvendëskryeministrit Bojan Mariçiq do të zgjasë 16 muaj, gjegjësisht deri në nëntor të vitit 2023.